Rithemelohet grupi mbështetës për Shqipërinë në Senatin amerikan
Dita e dytë e vizitës së Ministrit Bushati në Washington u shënua nga rikrijimi i grupit mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan (Senate Albanian Issues Caucus). Lajmi u bë i ditur në vazhdën e takimeve që Ministri Bushati pati me bashkëdrejtuesit e grupit, Senatorët Gary Peters nga Michigan dhe Joni Ernst nga Iowa.
Grupi mbështetës për çështjet shqiptare në Senatin amerikan përbëhet nga një grup senatorësh Republikanë dhe Demokratë dhe do të ketë rol kryesor mbështetjen, promovimin dhe favorizimin e dialogut në Senatin Amerikan mbi Shqipërinë dhe çështjet thelbësore, jo vetëm të komunitetit Shqiptaro-Amerikan por edhe të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
“Shqipëria është një aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një anëtare e vlerësuar e komunitetit ndërkombëtar e cila është e angazhuar në konsolidimin e demokracisë dhe zbatimin e reformave kyçe” u shpreh Senatori Peters gjatë takimit me Ministrin Bushati.
Bashkëbiseduesit u ndalën mbi ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë si dhe mbi peshën specifike dhe kontributin e posaçëm ekonomik dhe kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan në shtetin e Michigan-it.
“Mezi pres të bashkëpunoj me senatoren Joni Ernst për të konsoliduar lidhjet e thella midis popullit amerikan dhe atij shqiptar si dhe për të mbështetur aspiratat dhe të drejtat e shqiptarëve në vendet e Ballkanit” theksoi senatori Peters.
Në takimin me bashkëdrejtuesen e grupit, senatoren Republikane Joni Ernst, Ministri Bushati theksoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA -ve në kuadër të legjislaturës së re të Kongresit amerikan.
Senatorja Ernst nënvizoi peshën specifike të marrëdhënies shqiptaro-amerikane në Europën Jug-Lindore dhe vlerësoi arritjet e përbashkëta në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe perspektivës euro-atlantike të mbarë rajonit.
Zonja Ernst u angazhua se bashkërisht me senatorin Peters do të vepronte në funksion të arritjes së objektivave të dy vendeve aleate, në përballimin e rreziqeve të përbashkëta dhe promovimin e interesave dhe vlerave tona euro-atlantike.