Sali Berisha: Ja çfarë më kërkuan në takimin e Tristes 25 vjet më parë…
Sali Berisha, ish kryetar i Partisë Demokratike në vitin 1992 dhe fitues i zgjedhjeve spektakolare të 22 marsit që i dhanë fund hegjemonisë 48 vjeçare të partisë komuniste në Shqipëri, ka dhënë një intervistë për emisionin Opinion ku flet për rrethanat në të cilat u zhvillaun ato zgjedhje. Ndër të tjera ai shprehet edhe për Takimin e Triestes në Janar 1992 ku thotë:
“Takimi është shumë i vërtetë dhe absolutisht ai takim ka qënë politik. Në atë takim, i organizuar nën përkujdesjen miqësore dhe në distancë, siç vlerësoj unë, të socialistëve italianë, kishte një synim: jo të ndërhyej në procesin zgjedhor, por që si president të zgjidhej një person i pranuar nga të dy palët, i cili ishte një burrë i shkëlqyer, një njëri nga emigracioni. Por natyrisht, nuk mund të jepja asnjë lloj zotimi sepse e ndjeja veten, dhe sa herë më janë kërkuar angazhime paraprake, unë e kam ndjerë veten të pafuqishëm për t’i marrë ato. Aty për aty, kam thënë se unë nuk kam vërejtje për personin në fjalë për president por, problemi është se këtë do ta përcaktojë shumica që del nga zgjedhjet e 22 marsit. Janë diskutuar momente të qëndrave të ndryshme të pushtetit se si funksiononte në vendin fqinj, kam qënë kundër sepse asnjëherë nuk kam marrë përsipër të përdor në avancë besimin e të tjerëve. Kjo është e gjithë e vërteta e atij takimi.
I pyetur se cili ishte personi që ju propozua për president në takimin e Tristes Berisha është shprehur:
“I ndjeri Mentor Çoku, një intelektual që ka jetuar në Romë në mërgim, me një familje shumë të mirë, me qëndrim të qartë antikomunist por natyrisht, unë kurrë nuk i kam lejuar vetes të përdor në avancë besimin e të tjerëve.”
Takimi i Tristes ishte i paplanifikuar dhe në të kanë marrë pjesë Mentor Çoku, Sali Berisha, Fatos Nano dhe një person tjetër që shoqëronte Çokun. Ai u zhvillua në Triste ku po mbahej kongresi elektoral i socialistëve italianë në Janar 1992.