Takim me poezinë te “Reja” për 36 poetët më të mirë shqiptarë
21 marsi Dita Botërore e Poezisë është manifestuar me dhjetëra aktivitete në Tiranë. Një nga më interesantët ka qenë “Takim me poezinë” i 36 poetëve më të mirë shqiptarë, botuar në kolanën “Kambana” nga Toena.
I mbajtur tek projekti artistik “Reja” i arkitektit të shquar japonez Sou Fujimoto aktiviteti vijoi me praninë e poetëve të njohur Bardhyl Londo, Sadik Bejko, Natasha Lako, Petrit Ruka e më gjerë.
Poezitë janë lexuar e recituar nga nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri, ku u përfshinë edhe poezi të autorëve nga Kosova nën shoqërinë e kuartetit të harqeve “Tinguj dhe monumente”.
Dita botërore e poezisë ka nisur të festohet që nga viti 1999 në vendin tonë me kontributin e UNESCO-s. Poeti i njohur Bardhyl Londo thotë se 21 marsi është një ditë të shënuar për poetët shqiptarë.“Këtu ka filluar pak kohë që festohet dhe është gjë e mirë që festohet sepse dihet që Ballkani e ka poezinë, sepse edhe kur flet flet me metafora. Shqiptarët e kanë poezi, e kanë këngën në majë të gjuhës madje jo vetëm në gëzime por edhe hidhërime. Kjo është me të vërtetë një ditë botërore, por në shqipëri merr akoma dhe më shumë ngjyrime të theksuara”, u shpreh Londo.
Ndërsa poetja lirike Natasha Lako ka një mezash tjetër për të dhënë, poezia lirike po lihet në harresë.
“Gjithmonë poezia do të lind si një bar me lule, është e pamundur të mos ketë poezi lirike. Është punë e mrekullueshme. Sot vetëm kritika të zbulohet”, tha Lako.
Një poet i njohur është edhe Petrit Ruka. Unik në poezinë e tij, ai e ka zhvilluar karrierën mes dy kohëve diktaturës dhe demokracisë. Por sipas tij poezia i kapërcen kufijtë ideologjikë.
“Ishte një kohë që kishte më pak liri. Çuditërisht funksionon përsëprapthi. Kur ka më pak liri, nuk po them që ka më shumë cilësi por dëshirë dhe vëmendje ndaj poezisë. Krejt e kundërta ndodh liri. Vëmendja dhe poezia bie jashtëzakonisht shumë. Ne me nostalgji e kujtojmë. Gjithmonë e më pak lexohet. Vëmendja ndaj leximit ra, lexuesi u largua për shkak të jetës më dinamike”, u shpreh Ruka.
Aktiviteti është organizuar nga Irena Toci drejtore e Instituti të Librit dhe Promocionit në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Të mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës këto aktivitete do të vijojnë më pas me edicionin e 3-të të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2017”.