Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Tufa: Deklarata e Presidentit e nxituar, pafajësia e Zhitit do të bëhet publike shpejt

 

Agron Tufa, drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka bërë një deklaratë personale mbi përplasjen mes shkrimtarit Visar Zhiti e presidentit, Bujar Nishani.  Në këtë deklaratë, Tufa siguron se pafajësia e Zhitit, i akuzuar si spiun në burgun e Spaçit, do bëhet publike shumë shpejt.

 

Mbi deklaratën e papërgjegjshme e të dëmshme të z. President kundër poetit Visar Zhiti

Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

  1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.
  2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”. Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.
  3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

Please follow and like us: