Albspirit

Media/News/Publishing

Anëtarët e opozitës në KQZ lënë mbledhjen: Janë përzierë krimet penale me gabimet e gjendjes civile

Pas disa orësh diskutime, mbledhja e sotme e KQZ për riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për 21 zyrtarë është ndërprerë, pasi 3 anëtarët e propozuar nga opozita kanë lënë mbledhjen.

Bëhet fjalë për Hysen Osmanajn, Klement Zgurin si dhe Vera Shtjefnin.

Osmanaj theksoi se ishin përzierë krimet penale me gabimet e gjendjes civile. Më i ashpër ka qenë reagim i Shtjefnit, e cila tha se sot dekriminalizimi kishte marrë goditje të rëndë. Nga ana e tij, Zguri theksoi se ky gjykim ishte politik, pasi KQZ kishte thirrur njerëz që nuk kishte arsye të ishin në ato lista.

Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Denar Biba tha se fakti që janë bashkuar listat nuk do të thoshte se ishte e njëjta situatë. “Gabimet në formular, mund të humbësh mandatin. Nuk kanë plotësuar saktë formularin sipas Prokurorisë. Për ne e kanë plotësuar saktë formularin. E mira do të ishte që formulari të hartohej ndryshe”, tha Biba.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u mblodh sot prej orës 14:00, për të bërë riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit të 21 zyrtarëve, 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish.

Ndër emrat e listuar nga KQZ janë deputetët Sali Berisha, Arben Ristani, Eduard Halimi, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Spartak Braho, Vangjel Dule, etj; të cilët kanë deklaruar të dhëna në formularin e dekriminalizimit, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Krahas deputetëve të mësipërm në listë janë dhe 8 kryetarë bashkish: Artur Bardhi, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Rajmonda Balilaj, Adel Lala, Zef Hila, si dhe dy kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.

Për dy të fundit prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e mandatit, pasi nuk kanë deklaruar dënime të marra më parë.

Please follow and like us: