Albspirit

Media/News/Publishing

Berisha: Çfarë di unë për Remzi Hoxhën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për gazetarin e Gazeta Express, Berat Buzhala ku ka folur për një sërë temash. Një prej këtyre çështjeve është ajo e akuzave për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Berisha thotë se nuk e ka njohur kurrë dhe se ai nuk ka gisht në zhdukjen e tij.

BERAT BUZHALA: Rasti Remzi Hoxhës, a keni patur njohuri, a e keni njohur atë?

SALI BERISHA: Remzi Hoxhën nuk e kam njohur kurrë në jetën time. Kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij nga Adem Demaçi. Kam qenë president i republikës dhe Adem Demaçi më ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se ka ndodhur kjo e kjo dhe nuk po gjendet. I kam thënë se absolutisht unë do jap porositë më të prera dhe kam thirrur prokurorin e Përgjithshëm, kam thirrur ministrin e brendshëm, kam thirrur shefin e shërbimit dhe kam lënë porositë më të prera për gjetjen e tij, për zbulimin  rastit. Ky ka qenë qëndrimi im i prerë. Nuk e kanë gjetur. Nuk e di në atë kohë a ishte zhdukur, a e kishin zhdukur, pra nuk e dija fatin e tij por me porosi të Adem Demaçit ose me kërkesë të tij jam marrë në mënyrë intensive me problemin e tij. Familjarët e tij, me sa di unë janë takuar me këshilltarë të mi, s’janë takuar kurrë me mua, dhe ne kemi bërë çdo përpjekje. Mbrapa kam kuptuar që aty është një aferë. Për të zhdukurin duhet kërkuar çdo gjë, por qëndrimet e familjarëve implikojnë një aferë shumë të pisët. Familjarët paraqesin si pretekst zhdukjeje se Remzi Hoxha paska denoncuar një takim që kam bërë unë me Sllobodanin dhe Gligorovin në Shën Naum. Kjo është gjëja më qesharake në botë. Ata që hynë në këto, tregojnë se janë pjesë e vorbullës së shërbimeve. Unë s’jam takuar kurrë me të. Millosheviç, jam nga tre personat në Ballkan dhe më gjerë që më ka shpallur non grata ndonëse nuk kisha kërkuar kurrë takim. Se kam takuar kurrë.

BERAT BUZHALA: A ka pas përpjekje me ju taku?

SALI BERISHA: Jo ai kishte armiqësi…Po të jetë puna për betejën, në atë kohë, në rrafshin diplomatik beteja zhvillohej midis Beogradit dhe Tiranës dhe Tirana e fitoi betejën në mënyrën më spektakolare. Ne kaluam rezolutën në vitin 94 me 137 vota pro në OKB për Kosovën për vetëvendosje.

Pra kthehemi të çështja, këta dolën me këto teza. Mediat dolën me teza të tjera, që Remzi Hoxha ka marrë pjesë në autobombën e Gligorovit.

Nëse ka marrë pjesë te autobomba atëherë atë e kanë zhdukur 100% shërbimet. Gligorovi në atë periudhë ka qenë personi më i ruajtur. Ka pasur një sistem dhe shuma shumë të mëdha për sigurinë e tij sepse Maqedonia kishte një rol thelbësor në stabilitetin e saj. Nuk di të ketë marrë pjesë, unë nuk kisha asnjë të dhënë.

Të gjitha këto më kanë bërë mua të mendoj se kjo është një aferë e paimagjinueshme trillimesh. Pastaj u tha se ky paska tentuar një atentat ndaj meje. Kurrë s’kisha dëgjuar, nuk më ka informuar as shërbimi dhe askush për një gjë të tillë. Një familje që ka humbur një njëri ka një hall, ka një gur varri në zemër, por një familje që këtë problem e nxjerr çdo herë në fushatë elektorale, mendoj se ka probleme shumë serioze vet. Çdo fushatë elektorale rikthehej tema. Një gjë është. Fatos Klosi ka ardhur pas Bashkim Gazidedes, por nuk ka bërë asnjë hetim për Remzi Hoxhën, ka bërë zero hetim. Dhe të gjithë të akuzuarit kanë qenë këtu, të cilët akuzoheshin se mund të jenë të përfshirë. Kjo është historia.

Please follow and like us: