Deputeti i PS reagon ndaj Luan Ramës: Ku ishit 3 vite e gjysmë? Ju po nxisni fenomenin e kanabisit
Deputeti socialist Vladimir Kosta ka reaguar sërish pas deklaratave të forta të deputetit të LSI Luan Rama për fenomenin e kanabisit.
Reagimi i Kostës vjen pas deklaratës së Ramës për asgjësimin e 101 tonëve kanabis pa mbajtur procesverbal.
Kosta kërkon prishjen e koalicionit me LSI. Ai shkon edhe më tej kur deklaron se LSi nxit fenomenin e kanabisit.
DEKLARATA E DEPUTETIT VLADIMIR KOSTA
Luan Rama foli sikur ka ardhur dje nga Hëna
Aleatët tanë sillen sikur vetëm muajin e fundit janë bërë pjesë e qeverisë. Vetëm këto javë po zbulojnë se reformat nuk janë bërë siç duhet dhe se kanabisi është problem. Ku ishin gjatë katër viteve?
Luan Rama foli në Kuvend sikur ka mbërritur dje nga Hëna. Foli sikur nuk e njeh punën e Ministrisë se Brendshme kundër drogës. A nuk ka një zv/ministër në këtë institucion LSI?
LSI nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë në raport me drogat në Shqipëri.
Kanë nisur “gjahun” për të gjetur fajtor kur edhe vetë ata janë nxitësit e këtij problemi duke mos denoncuar asnjë rast të vetëm në kohën e zhvillimit të këtij fenomeni.
Nëse do isha në vendin e Edi Ramës nuk do e lejoja më ketë shfaqje dhe sjellje të dëmshme për qeverinë dhe PS nga aleati ynë. Sepse LSI flet dhe sillet sikur është në çadër dhe jo në qeveri.
Më mirë të marrë fund që tani koalicioni dhe të shkojmë në zgjedhje që tani, por pa këtë aleat dashakeq.