Albspirit

Media/News/Publishing

Evdal NURI: Droga, në PD e në PS

 

Është problemi më i përfolur, më shqetësuesi. S’ka ditë të mos dëgjojmë, se u kapën kaq e aq kg apo dhe tonë drogë! PD e PS e kanë drejtuar këtë vend, pothuajse nga 13 vjet. Ku më shumë e ku më pak droga është mbjellë. Është mbjellë në Veri e Jug. Në Lindje e Perëndim. Më tepër në male se fusha. Në parcela, por e në rrëpira. Arsyet dihen. PD po e akuzon PS, por dhe kjo s’ka lënë kusur. Të rimë shtrembër, e të flasim drejtë! Në 8 vjet pushtet, PD bëri zhurmë në formë, por në përmbajtje droga lulëzoi. Fakt ishte “Republika” e Lazaratit, por kishte dhe shumë “Lazarate” të tjerë. S’binte shumë në sy, mbase dhe lufta ishte minimale. Njerëzit u pasuruan. Disa hodhën fukarallëkun, të tjerët u bënë bosa. Me këtë u lidh dhe politika, por prapa s’mbeti dhe krimi. Ca u kapën. Të tjerë u vranë e po vriten, për larje hesapesh e prishje pazaresh. Janë “rregulluar” shumë familje, por kjo ka sjell mjaft viktima e hasmërira.

1-S’i lind tek ne ky fenomen?

Ai lindi së bashku me demokracinë. Lindi dhe ngatërroi dynjanë! Kjo duhet pranuar. PS erdhi në pushtet në shtator 2013. Droga ishte mbjellë në pranverë. S’kishte faj, se të tjerët e kishin mbjellë. U kritikua por dhe me të drejtë ajo u justifikua. Goditje iu dha vitin 2015- 2016. U shkatërrua bastioni kryesor Lazarati, por dhe kudo në Shqipëri. Thamë që kaq e pat kjo punë! Tani, se ku u mboll s’i iu shërbye, u përpunua e u transportua një Zot e di! Flitet se këtë vit janë shkulur mbi 2.8 milion rrënjë. Janë zhvilluar mbi 6900 kontrolle. Por përsëri në Shqipëri, Greqi e sidomos në Itali janë kapur qindra tonë drogë. Shifra befasuese por dhe shqetësuese për një vend të vogël si ky i yni. Tani bëhet fjalë për një dron që është i aftë të fluturojë deri në lartësinë 800 metra, nga ku mund të fotografojë, filmojë dhe transmetojë në kohë reale në sallën operative se çfarë ndodh në terren. Shumë mirë, por të shohim fundin. Drejtori i Antimafias në Itali, Franko Roberti, deklaroi gjatë vizitës në Tiranë se është 3-fishuar sasia e drogës që trafikohet nga Shqipëria. Kjo na habit! Dihet se kur e pëson nxjerr mësime. S’ka arsye ta përsëritësh të njëjtin gabim. Të gjithë menduam se sivjet më pak drogë do të mbillet. Dhe kjo ishte e arsyeshme. Në fakt ndodhi e kundërta. Kudo e në çdo fshat e krahinë lulëzoi droga. Këtë e shohim dhe e dëgjojmë çdo ditë. Unë s’e kuptoj, ç’punë bënë pushteti në bazë ? Ajo është e dukshme dhe e prekshme. Çdo ditë u shkulen mijëra rrënjë. Ky fakt të bënë të mendosh! Mos janë mbjellë aq shumë, sa ka për t’u shkulur, por dhe mbetet! Diçka s’ecën këtu! Pse u dashka të vejë policia kudo për ta zbuluar e shkatërruar atë ? S’i ka mundësi një fenomen i tillë ? PS po e lufton ashpër drogën, por dhe ajo për inat po mbillet më tepër. Përse e përdorin njerëzit drogën? Nuk ka asnjë arsye të caktuar. Shumica e njerëzve i përdorin drogat për të ndryshuar mënyrën se si ndjehen sepse duan që të ndjehen më mirë ose thjesht ndryshe. Ata i përdorin drogat sepse besojnë në dobishmërinë e tyre. Njerëzit i përdorin drogat për t’u çlodhur, për t’u argëtuar, për t’u bërë pjesë e shoqërisë, për shkak të kureshtjes, ose për t’i shpëtuar dhimbjes fizike dhe psikologjike. Të rinjtë i përdorin drogat për të njëjtat arsye që i përdorin edhe të rriturit.

2-Legalizim për qëllime farmaceutike

Ky problem diskutohet në shkolla, shoqëri, familje e më gjerë. Në këtë legalizim futen të gjitha ato droga, që kanë një ndikim jo të madh në organizmin e njeriut si: Kanabis – Sativa (Hashashi). Por në drogë futen dhe qetësuesit e dhimbjeve klinike si dhe alkooli, nikotina, kafeina, e deri te drogat e rënda si, heroina, kokaina, opiumi që kanë pasoja psikoaktive. -Të mirat e legalizimit të drogave të lehta! Ul kriminalitetin. Sidomos krimin e organizuar që na ka sjell kaq vrasje e fatkeqësi për “larje- hesapesh”, “prishje pazaresh” e tjerë. Gjithashtu do të shkëputi lidhjet e tyre me politikën, mbasi këta njerëz zotërojnë të ardhura fantastike, që bëjnë për vete politikanë të niveleve më të larta duke i korruptuar ata. Pamundësia për të blerë drogë me çmime të larta i shtynë përdoruesit, në krime, vjedhje, tregti të paligjshme, prostitucion e tjerë. -Legalizimi i drogave të lehta, do t’i sillte shtetit të ardhura të konsiderueshme që do t’i përdorte për rritjen ekonomike, rehabilitimin e toksitomanëve, ndihmë shtresave në nevojë e tjerë.

Nevojat për punësim i kanë bërë qytetarët shqiptarë që të merren me kultivimin e kanabisit në mënyrë klandestine, duke provuar herë pas here edhe ndëshkimet ligjore. Ushtrimi i ligjshëm i këtij aktiviteti do sillte të mira materiale për një numër të madh të familjeve shqiptare, por edhe për shtetin shqiptar në formën e tatimeve dhe taksave. Ky legalizim do të kishte një ndikim pozitiv te individët që e përdorin atë. Ata do të jenë më të hapur me shoqërinë duke u çliruar nga streset që i shoqërojnë tani. Legalizimi mbështetet nga një pjesë e shoqërisë. Le të bëhet një referendum e të vendoset. Shumë shtete i kanë legalizuar drogat e lehta si: Holanda, Portugalia, disa shtete në SH. B. A. e tjerë. Ne jemi një vend prodhues masiv i drogave të lehta, sidomos i Marijuanës dhe pikërisht legalizimi i tyre i shkon për shtatë vendeve si ky i yni.

3- Duhani më i keq se droga!

Të ndalosh drogat e lehta kur dy prej tyre, duhani dhe alkooli, janë lejuar s’është e drejtë. E dini ju se 18 % e vdekjeve në Shqipëri vijnë nga duhani? Ai vlerësohet si vrasës më i padukshëm dhe më i rrezikshëm. Nga një studim rezultoi së 85% e personave që kanë vdekur nga kanceri i mushkërisë kanë qënë duhanpirës. U befasova kur mësova se në Shqipëri 18% e fëmijëve nga mosha 13-15 janë përdorues të rregullt të duhanit! Kjo “drogë” e lejuar shkakton në botë më tepër viktima se ajo e ndaluara. Mbi 700.000 njerëz vdesin ç’do vit në botë nga duhani. Pirja e 15 cigareve në një interval 15 minuta njëri nga tjetri, është e barabartë me një cigare hashashi 7 cm. 4-Tri fakte bindëse!

A-Shifrat globale tregojnë që në 10 vitet e fundit, përdorimi botëror i cannabis-it u rrit me 8.5%, i kokainës me 27%, dhe opiumit me 34.5%.

B- Kompania “Philip Morris”, prodhuesja më e madhe në botë i cigareve njoftoi  se do të prodhojë cigare marijuane, kjo falë edhe legalizimit të kësaj bime në dy shtete të Amerikës. E prodhuar nën markën “Marlboro M”, paketat do të jenë në dispozicion në pikat e liçencuara për shitjen e marijuanës në shtetin e Kolorados dhe Uashington, të cilat e kanë legalizuar kultivimin dhe përdorimin e marijuanës për nevoja mjekësore dhe deri në një masë të caktuar.

C-Shteti i Kolorados ka fituar më shumë se 52 milionë dollarë nga taksat për shitjet e kanabisit vitin e shkuar, duke krijuar në këtë mënyrë që biznese tepër të vogla të bëhet fitimprurëse. Investitorë nga të gjitha anët e vendit, po dynden të marrin një copëz nga “torta e madhe” e industrisë së kanabisit në këtë vend.

 

 

Please follow and like us: