LSI sulmon fort Ramën e Tahirin: S’ka prova se droga është djegur, 101 ton drogë u asgjesuan pa procesverbal
LSI nuk i ndal sulmet ndaj dyshes Rama-Tahiri, lidhur me çështjen e kultivimit të kanabisit. Nënkryetari Luan Rama sot gjatë fjalës në Kuvend komentoi sërish raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa tha se nëse nuk merren masat edhe gjatë vitit 2017 Shqipëria do të vazhdojë të jetë ndër vendet kryesore të kultivimit të drogës. Por një pikë më vete ku nënkryetari i LSI-së fshikulloi Ramën e Tahirin ishte pikërisht asgjësimi i drogës së kapur gjatë operacioneve. Edhe në këta rast tha Luan Rama, është shkelur ligji për asgjësimin. Sipas tij 110 ton drogë në Lazarat u asgjësua pa procesverbal.
“Janë identifikuar 13 raste të asgjësimit te droges ku nuk është zbatuar ligji, nuk është mbajtur procesverbali, nuk ka qënë prezent prokurori dhe shkelje të tjera”, vërejti Rama, sipas atsh. Ka ndodhur që një pjesë e të arrestuarve për lëndë narkotike, theksoi ai, kanë mbetur në gjykata, pasi nuk ka prova se droga është djegur. Kjo per shkak se mungon dokumentacioni, që duhet mbajtur në tre kopje. Edhe 101 ton drogë, e sekuestruar në Lazarat, u asgjësua pa proceverbal. Pra, kemi të bëjmë me shkelje të ligjit dhe me mosveprim të organit të prokurorisë. Ndaj është e rëndësishme që jo të reagojmë, por të reflektojmë, të mbledhim strukturat sipas ligjit, t’i vëmë ato në punë dhe të respektojmë rolin dhe autoritetin e gjithësecilit”, tha Luan Rama.
Nënkryetari i LSI-së sulmoi ish-ministrin Tahiri edhe gjatë javës së shkuar, fill pasi u publikuar raporti i DASH për drogën në Shqipëri. Me tone të ashpra iu përgjigj edhe Tahiri, duke i kërkuar LSI-së ta lexojë më qartë raportin. Duket se partia e Metës e ka përqëndruar sulmin ndaj Tahirit e Ramës pikërisht te çështja e kultivimit të drogës në Shqipëri, sulme që me gjasë mund edhe të intensifikohen gjatë fushatës, aq më tepër nëse LSI do të shkëputet nga koalicioni me PS-në.