Albspirit

Media/News/Publishing

Manjani: Ju tregoj se si Edi Rama kërcënoi gjykatësen për të futur në burg një plak

Shumë qytetarë u arrestuan për mospagesën e dritave kur qeveria ndërmori aksionin për energjinë elektrike.

Në atë kohë, kryeministri Edi Rama u akuzua se kishte kërcënuar edhe një gjyqtare përmes telefonit. Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka treguar se cilën gjykatëse kërcënoi Rama.

Në një intervistë për portalin “Shuplaka.com”, Manjani thotë se ka qenë një gjykatëse e Kukësit që u kërcënua përmes telefonit nga Kryeministri Rama për të burgosur një plak për mospagesën e energjisë.

“Gjykatësen e Kukësit. Është një gjykatëse e Kukësit, është marrë në telefon për të futur në burg një plak që nuk kishte paguar faturën e energjisë elektrike. Gjykatësi që dha masën e sigurisë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili kishte shkelur ligjin duke përdorur një pajisje të paregjistruar në institucionet shqiptare, përgjimi, krejtësisht e paautorizuar. Nëse ka shkelje ligji me të dyja këmbët, ajo ishte një shkelje ligji e megjithatë gjykatësi ç’bëri? Konfirmoi një kërkesë të Prokurorisë. Kushdo gjykatës do ta bënte atë gjë.
Dolën me ”libër shtëpie”, ky dhe Policia e Shtetit e masakruan atë gjyqtar. Ajo ishte masakër shtetërore me deklarata publike dhe me sjellje krejtësisht brutale dhe harbute të Policisë së Shtetit që bënin sikur hetonin dhe kjo është një gjë që nuk mund të pranohet në një republikë me pushtete të ndara, nuk ka punë kryeministri me jetën e një gjyqtari, fare! Po fare!
Çfarë thoshte kryeministri? Kush vendos kundër meje është kriminel! ”Vrasës serial”, çfarë domethënë ”Vrasës serial”? Kujt i thua? Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, mbledh policët dhe u flet për ”vrasësin serial”, gjyqtarin?!
Si mund të ishte dakord një ministër Drejtësie me këto gjëra? Kurrën e kurrës! Dhe jo një ministër Drejtësie, por asnjë qytetar normal nuk duhet ta pranojë. Është standard sjellje diktatoriale.
Gjykata është jashtë nesh, është jashtë qeverisë, edhe kur gabon, edhe kur sillet e korruptuar. Në fund fare ai të sjell një vendim.
Pse kur u vendos pezullimi i drejtorit të Policisë së Shtetit e ka fajin gjykata?! Po mirë ky drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ku e mori të drejtën me përgju njerëz në mënyrë të paligjshme, pa lejën e prokurorit, pa lejën e gjykatës dhe me një pajisje që nuk ishte regjistruar në Republikën e Shqipërisë?! Po futën në siklet edhe Interforce-n italiane!
Për këto gjëra kush duhet të kërkojë hesap?! Atë gjykatës duhet ta marrësh dhe t’i bësh një lapidar në qoftë se e ka bërë ai gjykatës! Atë prokuror që heton duhet ta mbrosh, jo sulmosh! Nuk lanë gjë pa bërë. Ishte strategji”.
Kur Ylli Manjani nuk i është bashkuar “betejës” kundër këtij gjykatësi, Edi Rama është nxehur, tregon ish ministri.

“Unë kisha shkruar që nuk komentoj. Ky u nxeh dhe tha ‘’si nuk komenton ti?’’ ‘’Jo pra nuk komentoj’’ thashë. Dhe kjo është gjithë historia e kësaj duke u quajtur si një ‘’biografi’’ e keqe e imja, të cilën patjetër mund ta kisha të keqe te Edi Rama, por në kuptimin e zbatimit të ligjit dhe kushtetutes isha krejtësisht korrekt dhe nuk më intereson fare kjo pjesë”.
Në intervistë Manjani shpjegon edhe rastet kur qeveria ka marrë vendim pa u mbledhur fare. Madje sipas tij kjo është një praktikë që ndodh shpesh.
“Po patjetër. Disa herë. Vendime që këta i quajnë qarkulluese janë të paligjshme! Është marrë vendim edhe për të lëvizur Forcat e Armatosura, edhe për t’i dhënë pasaporta diplomatike Kombëtares. Rama ka bërë me kokën e vet. Ose kur është shkarkuar Elvis Rroshi nuk është mbledhur qeveria! Biles doli në media, edhe me firmën e Kryeministrit, ndërkohë që qeveria ishte me pushime. Unë isha ministër, s’më kishte thënë njeri gjë.
Këto duken të thjeshta se shumëkush mund të thotë mirë ia bëri Elvis Rroshit, por luhet me propagandë, jo me ligjet. Në një situatë normale nuk duhet të ndodhë, mirë kur ky vendim të pëlqeka por mund të marrë një vendim edhe që s’të pëlqen. Prandaj janë krijuar rregullat. Qeveria mblidhet dhe ministri betohet se do punojë 24 orë në 24, edhe kur nuk është ministri ka një zëvendësministër”.
Për Klement Balilin, ish MInistri i Drejtësisë tregohet më i rezervuar. Nuk flet më për dashnoret e ministrave, por e vë theksin tek data 17 maj, si dita ku policia duhej të kishte arrestuar Balilin.
“Unë kam thënë dhe e mbyllim këtu këtë çështje, më datën 17 maj 2016 ka pasur dhe ka ende urdhër të Interpol Athina për arrestimin e këtij personi dhe arrestimi i këtij personi është i pajustikueshëm. Kaq. Këtu fillon dhe mbaron kjo histori.

Z.Manjani, cilët ministra kanë qenë me dashnoret te ‘’Santa Quaranta’’?
Nuk i hyj fare kësaj teme. Është një temë që shfokuson.

Keni folur për shërbime inteligjente…
Ndoshta ndonjëherë bëjmë edhe gabim që themi ndonjë gjë më shumë. Nuk dua të shfokusohemi. Ta zëmë se kanë qenë. Çfarë kanë bërë? S’kanë shkelur ligjin e askujt!

Atëherë t’i përjashtojmë të dashurat, këta njerëz të lidhur me Balilin, cilët janë?Nuk e di këtë. Unë kam një datë, 17 maj. Kaq mbaroi historia. Të kapet, pse nuk e kanë kapur?! Ndërkohë që provohet se ka qenë i lirë, edhe nga ju mediet, ka dalë, ka shëtitur dhe s’i ka hyrë gjemb në këmbë!

Ju i besoni këto fotot që janë shpërndarë në dasma, plazh…
I besoj 1 mijë përqind! E kanë thënë vetë familjarët: “S’na ka ngacmu njeri”.

Pati një tentativë për t’iu lidhur me prona të Balilajve, pushime te “Santa Quaranta”…
Tentativat për të përbaltur kanë qenë dhe këtu ka qenë reagimi im, jo nervoz por i fortë që ishte një lojë e Ministrisë së Brendshme për të më përbaltur mua për dy arsye: që ky njeri i lirë është njeri i LSI-së që ”Ok”, ata kanë qenë njerëz të LSI-së, ka bashkëpunuar me LSI-në, unë nuk e kam mohuar ndonjëherë këtë gjë dhe pavarësisht kësaj kam qenë unë i vetmi zyrtar publik që kam bërë distancimin e qartë.
Dhe medemek unë kam një apartament në Sarandë dhe shkoj i bëj pushimet atje…
E vërteta është që kam hyrë atje dhe kam pirë ndonjë kafe se nuk është krim, do shkoj edhe nesër për të pirë kafe, por jo plazh, sepse plazhin e dinë ata që unë e bëj diku tjetër.

Tentativa ishte për të bërë kështu lidhjesh të ulta dhe të pista. Të gjitha ishin shpifje dhe nuk jam marrë me to. Për interes të opinionit publik ka vetëm një datë: 17 maj 2016, kur Policia Shqiptare thoshte që s’kishim mandat arresti, Interpoli grek e futi në sistem, tani pse nuk e arrestojnë? Dhe nuk është hera e parë që luhet me Interpolin, është luajtur edhe me Mark Frrokun. Janë precedentë që këtu luhet keq me Interpolin.
Nga data 17 maj 2016 e deri sa kam qenë unë ministër ai zotëri ka qenë në kërkim ndërkombëtar. Detyrimi i Policisë Shqiptare është të zbatojë urdhrat e Interpolit, ka prova apo s’ka prova, kjo është tjetër çështje.

Policia dështoi të arrestonte. Në radhë të parë dështimi ka qenë i policisë, po them ‘’dështimi’’ në rast se nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër. Tentativa që ata bënë se nuk kishin urdhër arresti ishte mashtrim, urdhër-arrestin e ka patur Interpoli dhe unë kam marrë dijeni nga policia vetë, se nga ta dija unë?!

Drejtori i Policisë së Tiranës më ka informuar që ky person është vendosur në kërkim ndërkombëtar dhe unë kam informuar prokurorin. Formalisht, se praktikisht ky proces nuk u përmbush kurrë. Policia e Shtetit t’ia kërkojë vetes!

Please follow and like us: