Albspirit

Media/News/Publishing

Mark Marku: Krimi i organizuar kërkon të bëhet forcë politike

Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Mark Marku, njëherazi ish-deputet i Partisë Demokratike, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të News24, tha se vendi aktualisht është në krizë, dhe se më keq do të bëhet nëse mazhoranca hyn në zgjedhje pa opozitën.

Marku u shpreh se jemi në fazën kur krimi i organizuar për shkak të lidhjeve me politikën, por kërkon të shndërrohet vetë në një forcë politike.

“Që mazhoranca të shkojë në zgjedhje pa opozitën më duket e pakët. Sistemi politik që do dalë pas zgjedhjeve do jetë i brishtë dhe jo rezistent, do detyrohet të bëhen shumë shpejt zgjedhje të tjera. Që ne të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme do na duhen dhe 10 vjet. Por puna është të shkojmë me anomali zgjedhore apo të gjendet një kompromis e variant përfundimtar. 

Nëse duam t’i japim fund krizës, që nuk është vetëm e sotshme, se sot kjo ka marrë përmasa të jashtëzakonshme bashkë me kanabizimin e Shqipërisë, se zgjedhje të lira s’ka pasur asnjëherë që nga viti 1992. Problemi është nëse një fenomen i krimit të organizuar të shndërrohet në fenomen politik? Të bëhemi si Kolumbia, që ende s’ka dalë nga kjo krizë? Jemi në fazën ku krimi organizuar për shkak të lidhjeve me politikën, kërkon të shndërrohet në forcë politike. Krimi nuk do zhduket ndonjëherë, por problemi është a do të përcaktojë të ardhmen politike krimi i organizuar?”, – tha Marku.

Ai gjithashtu shtoi se reforma e Arsimit ka futur në krizë menaxhimi të gjithë Universitetin e Tiranës.

“Ne bëmë betejë që ligji i arsimit të mos kalonte, do jetë ligji i vetëm në historinë e Shqipërisë që pas 2 vitesh se ka dalë nuk është vënë në zbatim. Ende s’ka akte nënligjore. Sistemi sot është pa ligj, është teknikisht i pazbatueshëm. Ai ka një problem shumë të madh në pikëpamjen administrative.

Problemi ishte se asnjë student nuk shkoi aty ku donte. Ne në gazetari kemi studentë shumë të mirë, por që nuk e zgjodhën vetë gazetarinë. Pjesa më e madhe e universiteteve janë futur në krizë menaxhimi të brendshëm. Sivjet është miratuar buxheti me shumë vonesë. Të gjitha institucionet janë futur në krizë për shkak të këtij ligji. Studentët e vitit të parë ende nuk e dinë sa do paguajnë, janë regjistruar dhe është muaji mars dhe nuk e dinë ende tarifën e tyre vjetore”, tha Mark Marku.

Please follow and like us: