Ndeshja në Palermo, arbëreshët presin Kombëtaren e të parëve
Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të jetë speciale për shumë shqiptarë. Ata këndej kufirit më në fund kanë rastin ta shohin Kombëtaren përballë një prej ekipeve më të forta të botës; për ata që jetojnë përtej Adriatikut bëhet fjalë për një përballje me skuadrën e vendit që u dha mundësi për një jetë të re. Megjithatë, është edhe një kategori tjetër, për të cilët sfida e të premtes mbrëma në Palermo ka një domethënie krejt të veçantë. Bëhet fjalë për arbëreshët, të cilëve fati ua solli Kombëtaren e të parëve vetëm 24 kilometra larg vendbanimit në ishullin e Sicilisë.
Piana degli Albanesi
Televizioni italian “TG3” i kushtoi një kronikë të posaçme popullsisë me origjinë shqiptare në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), kryeqendra e bashkësisë arbëreshe në Itali. Atmosfera e ndeshjes ndjehet në qytezën e stolisur me flamuj kuqezi, sikurse te tifozët, nga më i vogli te më i moshuari, të cilët edhe një herë dëshmojnë se edhe pas më shumë se 500 vjetësh i ruajnë të forta lidhjet me vendin e të parëve.
Arbereshet kuqezi
“E kemi zemrën të ndarë mes Italisë dhe Shqipërisë. Në shtëpi bëjmë tifo për të dyja dhe urojmë për një barazim”, shprehet një vogëlushe. Sara Riolo, mësuese në institutin “Skanderbeg”, thotë: “Të premten presim Kombëtaren e arbëreshëve, të shqiptarëve, dhe ne nuk dimë për kë të bëjmë tifo”.
Arbereshet e moshuar
“Besoj se vendi do të bëhet bashkë dhe për një ditë do të ngjyroset me të kuqe, si ngjyra e flamurit”, komenton Xhovani Bovi, president i Këshillit Komunal të Horës së Arbëreshëve. “Origjinën e kemi nga Shqipëria, prej aty kemi ardhur. Sigurisht që urojmë për një barazim”, shprehet një i moshuar. Ndërkohë, përveç shqiptarëve që do të udhëtojnë drejt Palermos, kuqezinjve nuk do t’u mungojë mbështetja në stadium as nga të zotët e shtëpisë. Ja si shprehet një përfaqësues i tifogrupit arbëresh “Ultras Curva Ëest”: “Ne do të jemi te tribuna e miqve së bashku me çunat arbëreshë, që quhen ‘Tifozat Kuq e Zi’. Do të jemi aty me ta dhe shpresojmë që Shqipëria të fitojë”.
Tifozi kuqezi arberesh
Bashkësia arbëreshe ka bërë një kërkesë në FSHF që një delegacion kuqezi të vizitojë qytezën. Kërkesa është mirëpritur nga FSHF-ja, dhe në orën 10:30 të ditës së ndeshjes, një delegacion i përbërë mes të tjerësh nga presidenti Armand Duka, sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, ish-kapiteni Lorik Cana dhe portieri Etrit Berisha do të priten nga i gjithë qyteti dhe do të nderohen në komunë.