Albspirit

Media/News/Publishing

Një libër historik për “Skënderbegasit”

 

 Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, sjellin  pjesën e dytë të enciklopedisë për shkollën ‘Skënderbej’. Promovimi, ditën e martë tek hotel “Tirana” në orën 11…

Nga Arben DUKA

Nëse me vëllimin e parë “Skënderbegasit ndër vite…!”, i miqve e kolegëve të mi Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, publikuar një vit më parë, mijëra skënderbegas ndjenë t’u rrahë fuqishëm zemra nga malli e nostalgjia, t’u lotojnë sytë e të ripërtërihen, me vëllimin e dytë që kanë sot në duar, plot një vit më pas, që përkon me 72-vjetorin e themelimit të kësaj shkolle të lavdishme, ata janë më krenarë se kurrë e kanë të drejtën legjitime të thonë me plot gojën:

“Po! Ja kush jemi ne skënderbegasit, ja kush është shkolla që na rriti e edukoi ne me dashurinë e pakufishme për njerëzit, me shpirtin e sakrificës e dashurinë e pashtershme që na bëri të sfidojmë çdo pengesë në përmbushje të betimit dhe të gatshëm për të sakrifikuar dhe jetën; ja kush kanë qenë mësuesit dhe komanduesit tanë të mrekullueshëm, ndër më të mirët në vend, që mbi të gjitha, ishin edukatorë, por dhe prindër njëlloj si ata që kishim lënë në shtëpi!

Ndaj, na njihni më mirë ne skënderbegasve, na dëgjoni e respektoni siç ju duam e respektojmë, se ne jemi gjithmonë me të mirën e kundër të keqes, jemi gjithnjë në kahjen e duhur në udhëkryqet e kohës!”.

Që në nisje, unë poeti Arben Duka, miku juaj i kahershëm ju them me plot gojën: Keni ndërtuar me vuajtje e sakrifica një enciklopedi që nuk ka të dytë, keni ngritur një shtatore të gjallë që do të flasë e dëshmoj në shekuj për historinë e lavdishme të shkollës ‘Skënderbej” e skënderbegasve, për ata intelektualë vitalë që kanë qenë e mbeten në pararojë të Shqipërisë. Sigurisht, keni pasur dhe ndihmën e shokëve, u kam ndihmuar dhe unë me aq sa kam mundur, por ju keni mbajtur një peshë që rrallë kush mund t’ia dalë. Ju faleminderit për këtë!”.

Dhe tani pak fjalë për pjesën e dytë të “Skënderbegasit ndër vite…”, të cilin unë pata fatin ta kem në duar gjatë etapave të përgatitjes e deri në momentin që u fut në shtyp.

Ndoshta, është pak të them që është një mrekulli, një punë voluminoze, profesionale, me dokumente të rralla, kujtime të brezave të skënderbegasve, themeluesve të kësaj shkolle, portrete të personaliteteve që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës, jetëshkrime e akte sakrificash sublime të oficerëve skënderbegas rënë në krye të detyrës, kujtime të mësueseve e mësuesve, komanduesve e drejtuesve  të kësaj shkolle në gati pesë dekada…  E gjithçka në këtë libër sillet në mënyrë kronologjike, shoqëruar me faksimile të dokumenteve të panjohura dhe me qindra foto të rralla…

Pjesa e dytë e “Skënderbegsasve ….”,  që kemi në duar (që do të pasohen në vazhdim dhe me pjesën e tretë të enciklopedisë) ka mbi 850 faqe dhe është konceptuar me kapituj që nisin me dokumentet e pa publikuara të historikut të shkollës; kujtime të skënderbegasve për çdo vit, nga viti i hapjes më 1945 deri më 1992 kur u mbyll; portrete të skënderbegasve të

suksesshëm në karrierën ushtarake që arritën të bëhen gjeneralë, ministra e deputetë; skënderbegas që kanë shkëlqyer në shkenca të ndryshme; të atyre që kanë bërë emër në diplomaci si ambasadorë apo diplomatë karriere; të atyre që kanë shkëlqyer në fushën e artit e kulturës; të skënderbegasve që kanë kapur majat në fushën e shkencës ushtarake; të skënderbegasve që kanë shkëlqyer në biznes e në medie; të atyre që kanë shkëlqyer në fushën e sportit shqiptar; eksperiencë e punëve të komandantëve e komisarëve që nga i pari e gjer tek i fundit në vitin 1992; mënyrën e organizimit e funksionimit të kësaj shkolle elitare dhe portretet e eksperiencën e drejtorëve, mësueseve e mësuesve në dekada;  të njohurat e të panjohurat e punës fisnike të oficerëve skënderbegas në përgatitjen e Adem Jasharit e djemtë-komandantë që më pas çliruan Kosovën; kontributin e oficerëve skënderbegas në luftën e Kosovës dhe Maqedonisë; kontributin e oficerëve skënderbegas që drejtuan e drejtojnë komandot shqiptare në frontet e luftës në vatrat e nxehta në botë krahas aleatëve të NATO-s; përpjekjet dhe organizimet e grupimeve skënderbegas në vende të botës për të mbajtur gjallë emrin ‘skënderbegas’  dhe në Shqipëri për ringjalljen e traditës etj…

Bie fjala, Ali Ahmeti, një drejtues shqiptar sot në Maqedoni, sjellë dëshmi të rolit të skënderbegasve në shtabe e fronte të luftës në Maqedoni; kolonel Ekland Dautaj, skënderbegas dhe ky, rolin e komandove shqiptar në Irak, Afganistan, Çad e vende të tjera ku specialët shqiptar kanë qenë apo ndodhen në misione paqeruajtëse përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s.

Janë rreth 36 mijë skënderbegas që e gjejnë veten në enciklopedinë “Skënderbegasit ndër vite….”; dikush me portretin e aktivitetin e tij; të tjerë nëpërmjet dokumenteve arkivore apo kujtimet e shokëve, mnësuesve apoo komanduesve. Në këtë libër ndodhet lista e plotë (sipas amzave që ndodhen në Arkivin Qendror të Ushtrisë) e ndarë në vite dhe listën e plotë të mësuesve, komanduesve e punonjësve që kanë punuar në këtë shkollë nga dita e parë më 28 mars 1945, deri në mbyllje të saj më 1992.

Për mua, por jam i bindur se për specialistë e njerëz të thjeshtë që e lexojnë, vlerat e “Skënderbegasit ndër vite…”, janë të shumta ku unë shkurt po përmend:

-Vlera dokumentare dhe historike që ka ky libër për një nga shkollat elitare jo vetëm në Shqipëri, në Ballkan e më gjerë (siç e kam përmendur dhe në volumin e parë), që ka qenë nga më cilësoret dhe që ka nxjerrë personalitete të njohura në të gjitha fushat. Dokumentet e sjella janë të shumta e të përzgjedhura në funksion të ngjarjeve apo realiteteve të kohës.

-Konceptimi profesional i librit, që nga puna me dokumentin, fotografitë, mënyra e paraqitjes,  gjetja e dëshmive tek protagonistët e deri tek arti i të shkruarit. Kjo konstatohet në çdo kapitull, në çdo pjesë të kapitullit e libri në tërësi.

-Përpjekja për përqasje maksimale me realitetin nga autorët, duke evituar komentin, analizën, por duke sjellë besueshmërinë nëpërmjet rrëfimeve të personazheve dhe dokumenteve të arkivave.

Skenat dhe prapaskenat (nëpërmjet dokumenteve dhe tregimit të protagonistëve) e disa ngjarjeve në ‘hije’ që lidhen me shkollën “Skënderbej” gjatë ekzistencës së saj, përfshi tentativën për shkatërrimin e historikut të shkollës, arkivave të saj (fatkeqësisht nuk u evituan dhe  dëme), deri dhe motivacioni zyrtar dhe shkaku real i mbylljes së këtij institucioni të rëndësishëm në vitin 1992.

-Mbushja e një boshllëku për lexuesin e opinionin lidhur me një njohjen e një pasurie të vyer (që nuk e kanë më), tradita e një shkollimi elitar model, me vlera të padiskutueshme për ushtrinë dhe arsimin në Shqipëri.

… Nuk dua të zgjatem më tej, pasi vlerat e “Skënderbegasve ndër vite…”, janë shumëplanëshe e të shumanshme. Ndaj, ky libër është një pasuri e rrallë jo vetëm për mijëra skënderbegas, mësues e  komandues të shkollës “Skënderbej”, por për të gjithë që e kanë këtë mundësi…

Dhe një herë faleminderit autorëve dhe atyre që ndihmuan në përgatitjen e botimin e këtij libri e, suksese në pjesën tjetër së shpejti…

 

Shkollës “Skënderbej”

(Jemi gjak nga gjaku juaj)

Frynin flladet pranverore,

Përmbi lule e burbuqe,

Tok me ardhjen e pranverës,

Nisi një Legjendë e Kuqe.

 

Djemtë tanë me ideale,

Partizanët fitimtarë,

Zbritën drejt e që nga malet,

U bënë skënderbegasit e parë.

 

Në gjithë ditët e çlirimit,

Vetëtim si yll’,

Që nga ditë e themelimit,

Gjer në ditën që u mbyll.

 

Si një foshnje-historinë,

Në dekada jemi rritur,

Skënderbegas-emri ynë,

Mbeti një emër i ndritur.

 

Kurrë nuk na shuhet drita,

Të bardhën s’e nxin e zeza,

Nuk do të shuhet tradita,

Kalon në breza të tjera.

 

Në sy e ardhmja më ndrin,

Emocionet s’i mbaj dot,

Skënderbegasit kudo jeni,

Po ju përshëndesin sot.

 

Jeho këngë- edhe thuaj,

Zjarrin që na rrjedh ndër deje,

Jemi gjak nga gjaku juaj,

Pjesë të një epopeje.

 

Jemi një s’jemi të huaj,

Tek ju frymëzimin gjej,

Jemi dritë nga drita juaj,

Bij të shkollës “Skënderbej”

 

Shtatëdhjetë vite e më shumë,

Nuk vyshket ajo kurorë,

Na buroftë kënga lumë,

Në të tjerë përvjetorë.

 

Kjo është kënga më e re,

Që për ju e solla unë,

Se kur skënderbegas je,

S’të duhet asgjë më shumë.

 

Shpirti i bukur partizan,

Si pëllumb këtu ka ardhur,

Homazh për ata që s’janë,

Dhe për ju o flokëzbardhur.

 

Skënderbegas-emër nderi,

Këngë e zemrave të zjarrtë,

Është gdhendur tek mermeri,

Vetëm me germa të artë.

 

Please follow and like us: