Zbulohet dokumenti, a ishte spiun Visar Zhiti?
Në një konflikt që nisi si debat parimor, në lidhje me dekretimin e Fatmir Xhafajt si Ministër të Brendshëm nga Presidenti Nishani, përplasja mes Nishanit dhe ish-Ministrit Visar Zhiti ka degraduar në larje hesapesh për llogari personale.
Konflikti mes të dyve e ka zanafillën pak vite më parë, kur Nishani nuk e dekretoi Zhitin për ambasador në Vatikan, që shkaktoi edhe përplasjen e parë midis tyre, ndërsa sot Zhiti nën petkun e një ish të burgosuri të diktaturës, sulmon Nishanin për dekretimin e Xhafajt.
Visar Zhiti akuzoi ashpër Presidentin Nishani për dekretimin e Fatmir Xhafajt si Ministër, pasi ai akuzohet se ka torturuar njerëz gjatë regjimit komunist, për llogari të këtij regjimi. Nishani nuk vonoi të reagonte, duke akuzuar Zhitin si ish-spiun të Sigurimit të Shtetit.
Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë e ka quajtur të ngarkuarin me punë në Vatikan, si “jo të qëndrueshëm psiqikisht”, por Kreu i Shtetit ka shkuar edhe me tej, duke publikuar një mesazh të një ish-të përndjekuri me inicialet P.V., sipas të cilit Visar Zhiti ka qenë spiun dhe bashkëpunëtor në administratën e Burgut të Spaçit, ku ka ndikuar në riarrestimin e të dënuarve politikë.
Visar Zhiti i ka mohuar kategorikisht këto akuza duke i quajtur shpifje ordinere dhe duke deklaruar se ka kundërshtuar këtë “ofertë”, gjatë kohës që vuante dënimin në burgun famëkeq të Spaçit.
Në krah të Zhitit sot ka dalë botuesi Luan Pengili, i cili ka postuar në Facebook një foto ku tregohet një shkresë e vitit 1985 (shif foton poshtë), ku shkruhet se Zhiti nuk ka pranuar të punojë si spiun për llogari të ish-Sigurimit të Shtetit.
Fotos së postuar, Luan Pengili i ka lidhur një shkrim në të cilin, mes të tjerash, thuhet se Presidenti Nishani duhet të vërtetojë akuzat ndaj Zhitit, si ish-spiun të Sigurimit, për t’iu hequr epiteti i shpifësit.
“Midis të tjerave Visari më thotë që ka gjetur edhe dokumentin që ai refuzon në mënyrë kategorike bashkëpunimin me strukturat e sigurimit. Ja kërkova atë dokument e ai ma dha. E pyeta atëherë përse nuk e publikonte, por mora përgjigjen: “Njerëzit më njohin!”
Por sot Visar po të të them atë që ta kam shprehur atje, vite më parë: “Të njohin njerëzit, por nuk të njohin shpifësit!”
Sot po e botoj këtë dokument!”