11 sloganet që ndryshuan Kinën
Republika Popullore e Kinës u krijua më 1 tetor 1949. Nga viti 1954-1959, Mao Ce Dun ishte Kryetari i Republikës Popullore të Kinës. Gjatë kësaj periudhe ai quhej “kryetari Mao” ose “lideri i madh, kryetari Mao”.
Partia Komuniste mori kontrollin e gjithë medias në vend dhe e përdori për promovimin e imazhit të Maos dhe partisë. Vendet si SHBA dhe Japonia iu servirën popullit si vende armike. Mao Ce Duni vdiq më 9 shtator 1976.
Ai është takuar dhe me liderët komunist të Shqipërisë me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun. Gjate tre dekadave të zhurmshme të pushtetit të tij, parullat popullore, të ashtuquajturat “dacibao” u ngritën në art.
Megjithëse pasuesit e Maos kanë hedhur poshtë shumë nga doktrinat e tij ekstremiste, krijimi i parullave vazhdon sërish në mënyrë marramendëse. Këto janë 11 parullat që ndryshuan Kinën:
1. Le të lulëzojnë 100 lulet, 1956
Përdorimi i parullave në Kinë i ka rrënjët në veçoritë e gjuhës së përditshme kineze, ku frazat e shkurtra dhe ritmike konsiderohen si mënyra më e qartë e të folurës. Këto lloj frazash shpesh paraqiten me katër karaktere kineze dhe janë krijuar nga udhëheqësit e ndryshëm kinezë për më se 2000 vjet me radhë. Mao shpesh zhytej në veprat e klasikëve kinezë dhe përdorte fraza ritmike për të përçuar parullat e tij në popull.“Le të lulëzojnë 100 lulet; le të luftojnë 100 shkollat” është huazuar si parullë nga një fazë historike në Kinën e vjetër që quhet Periudha e Shteteve Ndërluftuese, e cila mbaroi në 221 para Krishtit. Mao e përdori këtë parullë për të treguar që tani e tutje do të lejohet kriticizmi në parti. Po kur kriticizmi erdhi ishte i gjithanshëm dhe plot vrer. Fletërrufe gjigante filluan të vareshin ku kritikoheshin zyrtarët; studentët dhe profesorët denoncuan haptazi politikat e partisë. Një vit pasi revolucioni i 100 luleve kishte filluar, Mao e ndërpreu atë përdhunshëm. “Cila duhet të jetë politika jonë kundra ideve jo-marksiste? Sa i takon kundërrevolucionarëve dhe sabotatorëve ta pandreqshëm të kauzës komuniste, zgjidhja është e lehtë. Ne thjesht u heqim atyre lirinë e fjalës”, tha Mao në një nga fjalimet e tij. Ndërsa fushata kundra reaksionareve filloi të zgjerohej, intelektualët u denoncuan, burgosën ose u internuan fshatrave. Akademikët akoma diskutojnë nëse fushata ishte thjesht një përpjekje hapjeje që shkoi shumë larg, apo një kurth cinik për t’i bërë kundërrevolucionarët të shfaqeshin vetë.
2. Guxo të mendosh, guxo të veprosh, 1958
Kjo ishte parulla kryesore gjatë ‘Hapit të Madh Përpara’, një fushatë dyvjeçare përgjatë së cilës Kryetari Mao përpiqej të nxiste fshatarët që t’u bashkoheshin kooperativave. “Guxo të mendosh, guxo të flasësh, guxo të veprosh” ishte parulla kryesore e fushatës, por gjatë kësaj periudhe prodhimi bujqësor u rrënua në të gjithë vendin. Politikat e Maos, të kombinuara me fatkeqësitë natyrore, shkaktuan vdekjen e më se 30 milionë njerëzve. Megjithatë, pavarësisht lidhjes së saj me katastrofën e ‘Hapit të Madh Përpara’, mbështetësit e Maos vazhduan ta përdorin këtë parullë edhe vite më pas.
3. Shembni 4 vjetërsirat, 1966
Nëse ka një slogan që përmbledh të gjithë teprimet e Revolucionit Kulturor, është tamam kjo parullë. Ajo i shtynte kadetët e rinj që të shkatërronin gjithçka që dukej si “e vjetër”, duke përmbledhur këtu një rang shumë të gjerë dhe të papërcaktuar idesh, zakonesh, traditash dhe mentalitetesh. Në kujtesën perëndimore, kjo është e lidhur ngushtë me pamjet e shkatërrimit të tempujve të vjetër, por lëvizja u shkallëzua dhe shumë pleq dhe intelektualë u abuzuan fizikisht e shumë prej tyre vdiqën. Revolucioni Kulturor lëshoi një numër të pafund parullash, përfshirë këtu edhe “të rebelohesh është e justifikuar”, e cila ishte parulla shoqëruese e “Shembni 4 vjetërsirat”. Mao inkurajoi sulmet mbi të gjitha format e autoritetit, duke u përpjekur kështu të krijonte një revolucion të përhershëm. Me këtë, ai po përpiqej që të riparonte autoritetin e tij që kishte marrë një goditje të rëndë gjatë ‘Hapit të Madh Përpara’. Fushata, e cila mbaroi formalisht në vitin 1976, i kushtoi Kinës disa qindra mijëra jetë të tjera. Disa studiues besojnë edhe që numri i të vdekurve gjatë kësaj dhune “revolucionare” i kalon milionat.
4. Godisni bandën e të Katërve, 1976
Pas vdekjes se Maos, filloi një luftë për pushtetin në majat më të larta të partisë. Pasardhësi i caktuar nga Mao, Hua Kuo Feni mori në duar të gjithë rolet udhëheqëse, por ndërkohë hasi në kundërshtimin e gruas së Maos, Jiang Qing dhe tre aleatëve të saj. Por ato u akuzuan për teprimet e bëra gjatë Revolucionit Kulturor dhe pa humbur kohë u arrestuan dhe burgosën. Afishet e propagandës së kohës i portretizonin ata si tradhtare. Karikatura më e famshme është ajo ku fytyrave të tyre u është vënë një kryq dhe nën të shkruhet “Të hedhim poshtë me vendosmëri klikën antiparti Wang-Zhang-Jang-Yao!”. Huas më vonë ia mori pushtetin nga duar Ten Hsiao Pin, i cili shtyu përpara erën e reformave. Ndërkohë të katër tradhtarët u çuan para gjyqit në një nga luftërat më të përgjakshme për pushtetin në Kinë. Farsa e gjyqit u transmetua në TV, ku gruaja e Maos qëndroi e papërkulur deri në fund, edhe pasi tre aleatët e tjerë e tradhtuan. Të gjithë u dënuan me burgim të përjetshëm. Jiang Qing vdiq me 1991, sipas të gjitha gjasave në një vetëvrasje.
5. Reformë dhe hapje, 1978
Ten Hsiao Pin e futi menjëherë Kinën në një reformë ekonomike. Së pari, ai hoqi referencat e “luftës së klasave”, slogani që gjendej kudo në 12 vitet e fundit, që nga faqet e gazetave deri te parullat e varura nëpër mure. Ai gjithashtu institucionalizoi idenë e “socializmit me karakteristika kineze”, e cila i dha më shumë mundësi udhëheqjes që të devijonte nga dogma marksiste. Motoja e përgjithshme e programit të ri ishte “reformo dhe hapu”. Kjo parullë u përmblodh edhe në hyrjen e Kushtetueses së Kinës, ku thuhej: “Populli kinez i të gjitha nacionaliteteve do të vazhdojë të ecë në rrugën socialiste të diktaturës së proletariatit, duke ndjekur me vendosmëri reformat dhe hapjen me botën e jashtme”. Gazetat dhe posterat po mbusheshin me “4 modernizimet”, një platformë e guximshme kjo e propozuar që me 1960 po kurrë e vënë në jetë nga Mao.
6. Nxirr të vërtetën nga faktet, 1978
Me një dorë pragmatizëm, një fetë logjikë të shëndoshe dhe pak paqartësi mendjengritëse, ky është slogani më i parapëlqyer i udhëheqësve komunistë. “Është një koncept i lashtë filozofik kinez, por gjatë kësaj periudhe reformash në fund të viteve ‘70, kjo parullë mori një hov të ri”, thotë Dr. Altehenger. Fraza si kjo i kanë rrënjët që në debatet e shekullit të II para Krishtit, kur ekspertët legalë ndërtuan maksima të tilla si “Ndiq vazhdimësinë e natyrës” ose “Përshtatu me katër stinët”. Në fakt, parullat kineze përpiqen t’u përngjajnë chengyu – frazave me katër karaktere ose serisë së frazave, që kanë një kuptim të thellë kulturor. Me fjalë të tjera kanë një efekt të madh komunikimi. “Nxirr të vërtetën nga faktet” është një shembull i mirë i kësaj. Kjo frazë është futur nga Mao rreth viteve ‘30, ndaj dhe udhëheqja e re e përdori atë për të provuar vazhdimësinë dhe mbështetjen mbi mësimet e Maos. “Vetëm nëse ne emancipojmë mendjet tona, nxjerrim të vërtetën nga faktet, mbështetemi në realitet për çdo problem dhe integrojmë teorinë me praktikën, ne do mund të çojmë përpara modernizimin e programit tonë socialist”, tha Teng në një fjalim të tij në vitin 1978. Dr. Altenheger tha se ky është një koncept shumë i gjerë dhe prezumon se e vërteta objektive ekziston. Por në të vërtetë, kushdo që drejton politikën mund të diktojë kuptimin e saj.
7. Bëni më pak fëmijë, rrisni më shumë derra, 1979
Kjo parullë është një nga shembujt e çuditshëm të nxjerrë nga një grumbull parullash të lidhura me politikën një-fëmijë të Kinës. Parulla të tilla nuk është se ishin domosdoshmërish të aprovuara nga autoritet qendrore, po sidoqoftë kanë qenë të shkruara me bojë të kuqe në mure për vite me radhë nga zyrtarët servile lokalë. Parulla edhe më të “qarta” ishin “Ndërprit barrën! Aborto! Bëj çdo gjë për të ndaluar një fëmijë më tepër” ose “Nëse një familje do ketë një fëmijë më tepër, i gjithë fshati do të sterilizohet” ose edhe “Një fëmijë më shumë është thjesht një varr më shumë”. Ndërkohë që numri i lindjeve në Kinë u ul në mënyrë të vazhdueshme, edhe politika e fëmijës së vetëm ka qenë nën qëmtim të vazhdueshëm. Në një direktivë të 2007 dhe në një fushatë të 2011, Komisioni i Popullimit Kombëtar dhe Planifikimit Familjar sugjeroi për alternativa të tjera më të zbutura, në vend të parullave të drejtpërdrejta. Ky përafrim i ri sugjeroi parulla të moderuara të tipit “Mëma Tokë është e lodhur për të mbajtur më shumë fëmijë”.
8. Tre përfaqësimet, 2000
Projekti më për zemër i Jian Zemin gjatë dhjetë viteve të tij në udhëheqje të politikës kineze është gdhendur në parathënien e Kushtetutës së Kinës, si “mendimi i rëndësishëm i tri përfaqësimeve”. Z. Jiang e nxori këtë për herë të parë në fjalimin e tij të vitit 2000 dhe pastaj e zgjeroi atë më shumë në fjalimin e vitit 2002 me rastin e 80-vjetorit të krijimit të partisë.“Partia duhet gjithmonë të përfaqësojë kërkesat dhe zhvillimet e forcave të përparuara prodhuese të Kinës, orientimin dhe zhvillimin e kulturës së përparuar kineze dhe interesat themelore të shumicës dërrmuese të popullit të Kinës”, tha ai. Por ndryshe nga frazat klasike e frymëzuese të Maos, këto parulla nuk kanë më rezonancë. Ato veçse tregojnë qartazi shkollimin inxhinierik të z. Jiang. Ai ishte më shumë një teknokrat sesa një poet-luftëtar plot frymëzim, siç ishte Mao Ce Dun.
9. Shoqëri e harmonizuar, 2005
Nëse treguesi i suksesit të një parulle të re është që ajo të përfshihet në Kushtetutën e Kinës, Hu Jintaou duhet të jetë akoma duke pritur me nervozizëm. Deputetet e Parlamentit kinez propozuan në fillim që “shoqëria e harmonizuar” e tij të futej në Kushtetutë që në 2005, por ende asgjë s’ka ndodhur. Sidoqoftë, ka masa të tjera për ta matur suksesin. Një duzinë politikash, rregullash dhe reformash kanë rrjedhur nga ideja fillestare e shoqërisë së harmonizuar (ose sidoqoftë janë kategorizuar nën atë çati). Për shembull, projekte masive për zhvillimin e qyteteve perëndimore të Qinghait dhe Urumqi u bënë nën flamurin e tij. Por edhe fushatat kundër shprehjes së lirë dhe shtypja policore në Tibet dhe Zingjan janë gjithashtu pjesë e kësaj teorie. Z. Hu lançoi platformën e tij si një përgjigje të natyrshme kundër pabarazive të shkaktuara nga rritja e shpejtë ekonomike e viteve ‘80-‘90. Siç e tha dhe ai vetë në fjalimin e vitit 2005: “Një shoqëri e harmonizuar duhet të jetë e përbërë nga demokracia, qeverisja e ligjit, barazia, sinqeriteti dhe gjallëria”. Sidoqoftë, mbase edhe viktimë e suksesit të vet, “shoqëria e harmonizuar” është bërë shpesh objekt talljesh nga internatet kinez. Ato përdorin fjalën “gaforre lumi” që tingëllon si “harmoni”, si një mënyrë për të kritikuar qeverinë pa rënë pre e censurës.
10. Tre supremet, 2007
Mund të tingëllojë si emri i ndonjë grupi muzikor të Motown, por në mendjen e Hu Zhintaos kjo ishte një mënyrë për të kontrolluar një gjyqësor gjithmonë e më të orientuar nga reformat. “Në punën e tyre, gjyqtarët e lartë dhe prokurorët duhet që të shikojnë si çështje supreme çështjen e partisë, interesin e popullit, Kushtetutën dhe ligjin”, tha ai. Z. Hu mbylli në mënyrë efektive diskutimin mbi reformën e gjyqësorit duke emëruar si president të Gjykatës së Lartë, Wang Shengun, një burokrat pa eksperiencë ligjore. Gjëja e parë që beri z. Wang ishte që të sigurohej që gjyqësori t’i nënshtrohej doktrinës së tri të plotfuqishmeve. Që atëherë, interesi i partisë ka zotëruar mbi atë të të dy “të plotfuqishmeve” të tjerë.
11. Ëndrra kineze, 2013
“Ëndrra kineze” është slogani i preferuar i Xi Jinping, që mori në dorë udhëheqjen në fillim të vitit 2013. Por edhe për burokratët e ‘rrahur me vaj e me uthull’, domethënia e tij është akoma e mjegullt. “Qeveria kineze dhe Partia Komuniste kanë një problem; sloganet e reja nuk tingëllojnë me poetikisht dhe nuk i thonë asgjë as publikut të gjerë dhe as klasës politike që presupozohet të punojë me to”, thotë Tom Kellog, një ekspert i Kinës dhe i Fondacionit për Shoqërinë e hapur në Uashington. Xi Jiping u përpoq ta ndryshojë këtë me ‘Ëndrrën kineze’. Po kjo është problematike, pasi njerëzit mund të luajnë me kuptimet e ndryshme të saj. Pra, ato mund të kenë ëndrrën kineze për kushtetutshmëri ose ëndrrën kineze për harmoni. Slogani mbase i takon së njëjtës kategori si “Përpara, jo mbrapa” të Partisë Laburiste në Angli, ose me sloganin edhe më të reduktuar “Përpara” të Obamës, vitin e kaluar në zgjedhjet amerikane. Me pak fjalë, ‘Ëndrra kineze’ mund të nënkuptojë çdo gjë për çdokënd. Z. Xi me sa duket do të nxjerrë edhe shumë parulla të tjera teknike përpara se të vendosë vërtet se te cili prej tyre duhet vërtet të mbështetet për ëndrrën e tij./BBC/