Albspirit

Media/News/Publishing

24 marsi, kjo datë e rëndësishme për historinë e Kosovës

Blendi Gashi

24 Marsi është një datë historike për shqiptarët e Kosovës por jo vetëm, por njëkohësisht edhe e dhimbshme që do shënohet dhe mbahet gjatë.

Është historike sepse më po 24 Mars të vitit 1999 i erdhi fundi kasapit të Ballkanit, Millosheviq që u bombardua nga NATO, dhe e dhimbshme sepse po më këtë datë forcat serbe vranë avokatin e njohur Bajram Kelmendin me dy djemtë e tij.

Po më 24 Mars një vit më herët, pra më 1998 u shënua edhe një ngjarje historike që tashmë njhet si “Epopeja e Dukagjinit”.

“Mësymja e forcave serbe drejt familjes Haradinaj”

24 Marsi i vitit 1998 shënon “Epopenë e Dukagjinit”, e cila ditë njihet edhe si fillimi i luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë, Ditës së Dëshmorëve të kësaj zone.

Më këtë datë forcat e shumta të armikut mësynë fshatin Gllogjan të Deçanit me synim të veçantë familjen e Ilmi Haradinajt, djemtë e së cilës ishin prirës të luftës çlirimtare në rajonin e Dukagjinit.

Pas një lufte të pakompromis ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe, këto të fundit ishin kthyer prapësht dhe kokulur andej kah kishin ardhur, duke bartë me vete shumë të vrarë e të plagosur.

Familja Haradinaj, para sulmit nga forcat e armikut, dha dëshmorin e parë të lirisë, pasi gjatë tentimeve për të hyrë në Kosovë me një grup luftëtarësh të lirisë, në kufirin shqiptaro-shqiptar ra heroikisht gjeneral Luan Haradinaj. Ndërsa në vitin 1999 bie edhe gjeneral Shkëlzen Haradinaj.

Çdo 24 Mars, në Gllogjan bëhen homazhe pranë varreve të dëshmorëve, ndërsa manifestimi gjithëpopullor, mbahet në sheshin e qytetit në Deçan.

“Bombardimet e NATO-s”

Një vit më vonë, pikërisht 24 Marsi u bë emërues i përbashkët për lirinë e një populli të shtypur në zemër të Evropës.

Aleanca Veriatlantike, NATO  më 24 Mars 1999 nisi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë që atëherë fshihej gjithnjë me emrin e Republikës Federale e në kuadër të së cilës edhe Mali i Zi.

Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij

Pikërisht ditën kur NATO po sulmonte Serbinë, paramilitarët serb të vetëdijshëm se po i vije fundi, vranë avokatin e shquar shqiptar Bajram Kelmendi, si dhe dy bijtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.

Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut.

Pra, çdo 24 Mars kujtohet ndërhyrja e NATO-s, “Epopeja e Dukagjinit” si dhe vrasja e avokatit Bajram Kelmendi dhe dy bijve të tij ngjarje këto që do mbesin çdo herë në kujtesën e shqiptarëve.

Please follow and like us: