Albspirit

Media/News/Publishing

8 prill 1939/ Reagimet e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut ndaj pushtuesit italian në gazetën franceze “Le Populaire”

Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze “Le Populaire”, në faqen e parë, të tretë dhe të katërt të saj, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Më 7 prill 1939, forca të shumta ajrore dhe detare armike, me urdhër të Benito Musolinit dhe me miratimin e Hitlerit, do të hyjnë në hapësirën shqiptare me qëllim për të pushtuar së pari qytetet bregdetare.

Ushtria shqiptare, edhe pse e pabarabartë në numër në krahasim me atë italiane, nuk do të dorëzohet. Madje, ajo do t’u përgjigjet sulmeve italiane nëpërmjet 26 mijë rezervistëve të mobilizuar asokohe nga qeveria shqiptare.

Gjithashtu, reagimet e shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut, ndaj kësaj padrejtësie, nuk do të mungojnë.

Ja disa prej tyre, të botuara të shtunën e 8 prillit 1939 në gazetën franceze:

Thirrja shqiptare ndaj popullit italian

Më 7 prill 1939, në Tiranë, zyra e shtypit shqiptar, nëpërmjet radios, do t’i drejtohej popullit italian me këto fjalë :

“Italianë, regjimi i Musolinit, të cilit nuk i kanë mjaftuar pesë vite luftë që kanë shkatërruar ekonominë dhe gjakosur jetët më të reja të Italisë, vetëm për arsye madhështie në politikën e jashtme, sulmon sot një popull me një milion shqiptarë i cili, në rrjedhën e shekujve, edhe pse krenar për pavarësinë dhe lirinë e tij, i ka dhënë prova miqësie popullit italian.

Këtë sulm të padrejtë, i gjithë populli shqiptar, me armët në duar, e ka kundërshtuar me vullnetin e tij të pathyeshëm për të rezistuar deri në pikën e fundit të gjakut të tij.

Populli shqiptar, në këtë moment tragjik, përdor sloganin e Musolinit sipas të cilit “një popull që nuk lufton nuk e meriton të jetojë.”

Populli shqiptar i shton këtij slogani se burrat, gratë dhe fëmijët do të rinovojnë në këtë orë tragjike leksionin e heroizmit suprem përballë ndërgjegjes së botës së qytetëruar.”

 

Deklarata e Legatës së Shqipërisë në Francë

Legata e Shqipërisë ka komunikuar më 7 prill 1939, në orën dymbëdhjetë e gjysëm, thirrjen në vijim:

“Legata e Shqipërisë në Francë, në emër të qeverisë së saj dhe të gjithë popullit shqiptar, proteston në mënyrë absolute kundër veprimeve barbare të qeverisë fashiste në Shqipëri.

Parlamenti shqiptar, duke rrëzuar dje në mbrëmje njëzëri ultimatumin i cili përmbante kushte të papranueshme për një popull të lirë, forca të shumta detare dhe ajrore kanë bombarduar gjatë kësaj nate dhe vazhdojnë të bombardojnë dhunshëm të gjitha qytetet bregdetare, duke masakruar gra dhe fëmijë të pambrojtur.

Ushtria shqiptare dhe i gjithë populli shqiptar, me të drejtën e tyre për të jetuar të lirë dhe të pavarur, pavarësisht nga pabarazia e forcave : 44 milionë italianë kundër 1.2 milionë shqiptarë kanë shtyrë deri tani të gjitha përpjekjet për zbarkim.

Legata u adreson këtë thirrje të gjitha kombeve të civilizuara, për të cilat ligji është ende një rregull ndërkombëtar, që një ndihmë morale dhe materiale e menjëhershme tu jepet shqiptarëve të cilët, pavarësisht forcave të pabarabarta, i bëjnë ballë me gjoksin e tyre flotës barbare të pushtuesit.”

 

Mbreti Zog pohon vullnetin e tij për rezistencë

“Londër, 7 prill – Një telegram nga Tirana, dërguar në Londër gjatë mbrëmjes, njofton se mbreti Zog i Shqipërisë ka lajmëruar personalisht legatarët britanikë, francezë, amerikanë, jugosllavë, turq, grekë dhe rumunë për sulmin e territorit shqiptar nga forcat ushtarake italiane.

Mbreti Zog u ka thënë gjithashtu përfaqësueve të huaj diplomatikë se qeveria e tij ka vendosur për të mbrojtur tokën shqiptare me të gjitha forcat që ka në dispozicionin e saj dhe se lufta vijon me një frymë të madhe rezistence nga ana e trupave mbretërore shqiptare.

Së fundmi, Mbreti Zog u ka kërkuar ministrave të jashtëm të lajmërojnë qeveritë e tyre përkatëse se sulmet italiane përbëjnë një shkelje zyrtare të të gjitha traktave dhe marrëveshjeve ekzistuese midis Shqipërisë dhe Italisë”

* Burimi:(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Please follow and like us: