Aktorja kineze: Filmi shqiptar nxiti një ‘zgjim seksual’
Ndërsa në Shqipëri po diskutohet për ndalimin e filmave të kohës së komunizmit, një gazetë e njohur në Kinë shkruan se filmat e kësaj kohe janë shumë të ndjekur në vendin më të populluar në planet.
South China Morning Post shkruan se “ironikisht, ndërsa kinezët mund t’i shohin lirshëm këto filma sot, Shqipëria po diskuton ndalimin e tyre”.
“Gjatë kohës që Kina përllogaritej si aleati besnik i vendit me regjim stalinist, filma si ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’ ishin një dritare mbi botën”.
“Aktorja Joan Chen, për shembull, kujton një ‘zgjim seksual’, teksa shihnin filmin ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’ të vitit 1967 kur ishte adoleshente- pjesërisht edhe për shkak të romancës së dëlirë mes protagonistëve, por edhe për shkak të rrobave që mbanin veshur”.
Gazeta shkruan se në Shqipëri po kërkohet ndalimi i këtyre filmave me pretendimin se u bëjnë lavazh truri njerëzve, sidomos të rinjve.
Në fund gazeta e ka një këshillë: “Rishikimi i të shkuarës nuk do të thotë domosdoshmërisht ushtrim i nostalgjisë- ajo gjithashtu mund të jetë çelësi për ndërtimin e një narrative më të nuancuar dhe reflektuese të historisë”.