Barbara WESEL: Terrori që nuk po merr fund
Sulmi në Londër u krye në të njëjtën ditë, një vit pas sulmeve terroriste në Bruksel. Ky refren i tmerrshëm, tregon se terrori do të mbetet pjesë e jetës sonë
Që nga sulmi i tmerrshëm në Nicë verën e kaluar, duket se ka një model të ri të sulmeve terroriste në Europë. Atentatorë të veçuar vrasin duke përdorur mjete të thjeshta – shpesh me automobilë dhe thika. Një formë e një teknike të terrorit “Low-tech”, për të cilin ata nuk kanë nevojë për konstruktues bombash apo lëndë shpërthyese. Dhe agresorët shenjojnë për vdekje, atyre nuk u intereson identiteti i viktimave, edhe nëse vriten myslimanë, pra nuk bëhet fjalë për vrasje të “të pafeve”, por për vrasjen në vetvete.
Përralla e “të braktisurve
Nga koha e serisë së sulmeve terroriste në Francë, kërkohen motivet e atentatorëve. Kjo për një kohë të gjatë konsiderohej si “model për punë sociale”. Diskriminimi dhe disfavoret ekonomike konsiderohen si arsye për terrorizmin. Sigurisht periferitë franceze kanë qenë të braktisura, edhe në Birmingham -me gjasë agresori vjen nga ky qytet – ka varfëri dhe padrejtësi. Por kjo ekziston kudo në botë, pa bërë që njerëzit të ngrihen e të vrasin fqinjin.
Studimet e fundit mbi motivet e agresorëve nxjerrin në dritë një skemë të re: Autorët janë kriminelë të vegjël që kërkojnë orientim në jetë. Ata duan t’i japin shkëlqimin e tmerrit jetës së tyre të dështuar, duke u profilizuar si vrasës në masë të njerëzve. E kur kjo lidhet me një qëllim në dukje të lartë, si ai për “luftën e shenjtë”, duket sikur këto ekzistenca të dështuara fitojnë identitetin e munguar.
Asnjë zot nuk ka nevojë për vrasje
A kanë të bëjnë me islamin këta atentatorë? Vrasja e të pafajshmëve është padyshim një interpretim pervers i mësimeve të islamit. Besimtarët paqësorë nuk duan që të bëhet një lidhje mes tyre dhe vrasësve. Por kaq e thjeshtë nuk është. Në këtë fe duket se ka një tendencë për sektarizëm vrastar, si ai mes sunitëve dhe shiitëve, që përdoret politikisht dhe shfrytëzohet nga ana fetare.
Këto janë aspekte të papërpunuara të islamit që e pengojnë këtë fe të bashkëjetojë paqësisht në një botë globale. Nëse është i nevojshëm modernizimi i islamit apo ndarja nga protagonistët që ndjekin rrugën e terrorit, këtë duhet ta vendosin besimtarët. Të krishterët nuk dalin më nëpër kryqëzata, edhe myslimanët duhet të ndalin në botëkuptimin e tyre vrasjen me motive fetare. Sepse zoti nuk ka nevojë për vrasës.
Nuk ka siguri
Puna e policisë dhe forcave të sigurisë është përmirësuar vitet e fundit. Në Britaninë e Madhe ishin krenarë, se sa me efektivitet përndiqeshin grupet islamiste. Por shumë profile të agresorëve tregojnë, se në atentate kanë qenë pjesëmarrës kriminelë të zhgënjyer, që janë radikalizuar në heshtje. Nuk mund të kontrollosh mendjet e tyre, pra rreziku do të mbetet, për sa kohë që ideologjia perverse e IS-it gjen përkrahës. Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan tha se nuk duhet të ketë përçarje mes të krishterëve, hebrenjve, myslimanëve apo hinduistëve. Ajo, me të cilën mund t’i kundërvihemi urrejtjes dhe dëshirës për vrasje është mënyra jonë tolerante e jetesës dhe guximi qytetar. Sinjali më i fortë kundër terrorit ka qenë vazhdimi pa frikë i jetës së përditshme. Kjo nuk do të thotë që agresorët të mos ndiqen me të gjita mjetet. Me gjithë zinë dhe kujtimin për viktimat – nuk duhet të humbasim liberalizmin tonë./DW/