Dëshira Subashi merr 37 paga mujore si dëmshpërblim
Pas Ardian Fullanit ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që u dëmshpërblye me 56 paga mujore nga gjykata administrative e Apelit, kjo gjykatë ka vendosur të dëmshpërblejë me pagesa financiare dhe Dëshira Subashin.
Ish-nën/kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi, ka arritur të fitojë procesin gjyqësor me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke fituar 37 pagesa mujore.
Sipas vendimit të gjykatës Subashi do paguhet nga buxheti financiar i KLD, për periudhën kur ajo duhet të ishte anëtare e KQZ.
37 pagesa të kryhen për 6 muaj
Tre vite më parë Subashi i është drejtuar me një padi gjykatës administrative të Tiranës, duke kërkuar nga KLD që ta rikthente në vendin e punës ku ka qënë, si gjyqtare e Apelit Tiranë. Në objekt padinë e ngritur kërkohej: “konstatimi i diskriminimit ndreqje e shkeljes se ligjit shpërblim dëmi material dhe moral.
Të detyrohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të vendosë emërimin e paditëses në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë”.
Në vendimin e gjykatës thuhet: “Detyrimin e palës së paditur, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të dëmshpërblejë paditësen Deshira Subashi,për dëmin pasuror të shkaktuar,duke i kompesuar pagën mbi pagën e përfituar në zbatim të nenit 7 të ligjit nr 8097 dt 23.03.1996 , deri në nivelin e pagës referuese të funksionit si nënkryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për periudhën 01.01.2013 deri 30.01.2016. Rrëzimin e padisë në kërkimet e tjera.
Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga përmbaruesi gjyqësor në rast mospërmbushje vullnetare të detyrimit nga pala e paditur. Afati i përmbushjes së detyrimit është 6 muaj”.