Albspirit

Media/News/Publishing

Devin Nunes: S’ka prova që implikojnë Gyleni me grushtin e shtetit në Turqi

 

Devin Nunes, Kryetari i Komitetit të Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në intervistën për emisionin “Fox News Sunday” të Kris Uallase (Chris Wallance), në FOXTV, duke komentuar kërkesën e Turqisë për ekstradimin e klerikut, Fethullah Gylen tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në tentativën e grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar. Zoti Nunes mohoi faktin që administrata e Presidentit Trump të jetë duke shqyrtuar mundësinë e ekstradimit të Gylenit në Turqi. Deklaratat e Kryetarit të Komitetit të Inteligjencës, pasojnë ato të shefit të Shërbimeve Sekrete Gjermane (BND), Bruno Kahl, i cili pak ditë më parë në një intervistë për të përjavshmen “Der Spigel” gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë dëshmi bindëse që implikon Gylenin me tentativën e grushti të shtetit në Turqi.
Kreu Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Devin Nunes, një prej figurave më të rëndësishme të republikanëve dhe një aleatëve më të ngushtë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, komentoi dhe zhvillimet më të fundit në Turqi. Zoti Nunes tha se marrëdhëniet e SHBA-ve me Turqinë janë të tensionuara. Drejtuesi i emisionit “Fox News Sunday”, Kris Uallase, duke iu referuar lajmeve të publikuara në mediat turke tha se nga këta të fundit është përfolur se presidenti Trump do të ekstradojë Fethullah Gylenin në Turqi dhe e pyeti z. Nunes nëse ishte në dijeni të një nisme të tillë. Por, z. Nunes, mohoi një fakt të tillë dhe shtoi se “në dijeninë time nuk ka asnjë provë që implikon Gylenin në tentativën e grushti të shtetit”. Kjo përgjigje me siguri që do të zemërojë, Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, por Nunes ishte i prerë në përgjigjen e tij dhe nuk kurseu kritikat në adresë të qeverisë së Erdoganit, ndonëse nuk u pyet se çfarë mendonte për qeverinë e Erdogan. “Qeveria e Erdoganit është bërë shumë autoritare.
Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Turqinë janë të tensionuar dhe këto do të komplikohen edhe më shumë me intensifikimin e përpjekjeve të SHBA-ve për të luftuar ISIS në Irak dhe Siri”. Megjithatë, Nunes nuk dha detaje për arsyet e tensionimit të marrëdhënieve Turqi-SHBA. “E kam të vështirë të besoj që mund të ketë një nismë të tillë. Por, qeveria e Erdoganit është bërë shumë autoritare. NATO është një nga aleatët tanë më të rëndësishëm. Kohët e fundit situata është shumë shqetësuese për ne dhe s’di që të ekzistojë mundësia e ekstradimit të tij. Nuk më rezulton që të ketë prova që implikojnë zotin Gylen në tentativën e grushtit të shtetit të vitit të kaluar. Nëse do të kishte, sigurisht që kjo do të ishte një çështje tjetër. Por, marrëdhëniet tona me Turqinë janë të tensionuara dhe këto marrëdhënie do të përkeqësohen edhe më shumë me intensifikimin e përpjekjeve tona kundër ISIS në Irak dhe Siri”, theksoi z. Nunes.

*http://washingtonhatti.com/…/chair-of-house-intel-committe…/
Video: https://www.youtube.com/watch?v=nzno7uKNr04

Image may contain: 1 person
Please follow and like us: