E shkuara i jep formë identitetit tonë
Jam i lumtur që jam me ju sot këtu, së bashku me ministren Kumbaro, për të mësuar më shumë për nismat tuaja për vendet e kujtesës, si një pjesë e rëndësishme përbërëse e procesit të trajtimit të së shkuarës.
Shqipëria ka pasur një fillim të ngadaltë për krijimin e një kuadri më të gjerë në të cilin të angazhohet për t’u përballur me të shkuarën komuniste. Aktualisht, mund të shohim kalimin nga heshtja në një angazhim aktiv me të shkuarën, në fusha të ndryshme. Kjo është inkurajuese, pasi do të garantojë të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet vetëm kur të jenë trajtuar shkeljet e mëparshme të të drejtave të njeriut dhe krimet dhe pasi të jetë mbajtur një diskutim publik për të shkuarën e vështirë.
Ne kemi ndjekur me shumë interes debatin e këtyre kohëve për transmetimin në televizor të filmave të prodhuar gjatë regjimit totalitar. Interesi publik që ka ngjallur kjo temë, si dhe reagimet e shumta ndaj rezultateve të sondazhit tonë për të shkuarën e Shqipërisë, dhjetorin e shkuar, tregojnë se ekziston akoma nevoja për të diskutuar dhe për të zhvilluar një narrativë kolektive liberalizuese për një të shkuar kaq të dhimbshme.
Kujtesa është e rëndësishme për të nderuar ata që vuajtën apo humbën jetën gjatë diktaturës. Ajo mund të jetë e pranishme në forma të ndryshme, që nga muzetë dhe monumentet, deri te vendet që mbajnë emrat e viktimave, ruajtja e qendrave të dikurshme të torturës apo kampeve të përqendrimit, ekspozitat e përkohshme apo madje edhe rivendosja e emrave të rrugëve apo ndërtesave. Trajtimi i së shkuarës totalitare është çështje shoqërore dhe njëkohësisht thellësisht personale, jo vetëm për të mbijetuarit e regjimit, por për të gjithë shqiptarët.
Në vendin tim, në Gjermani, ne kemi shumë vende kujtese, pllaka, monumente, muze, ekspozita dhe qendra dokumentimi. Këto janë krijuar nga aktorë të ndryshëm, si edhe nga shteti dhe i dedikohen përkujtimit të viktimave dhe informimit të publikut për krimet dhe vuajtjet që ata kanë shkaktuar gjatë regjimit Socialist Kombëtar, dhe më së fundi, nën regjimin komunist në Gjermaninë Lindore. Ne kemi Memorialin e Murit të Berlinit, që është qendër për vizitorët. Në të mund të shihni një ekspozitë që i kushtohet “Murit dhe Brezit të Vdekjes”, që nderon vdekjen e 138 personave që humbën jetën e tyre në Murin e Berlinit. Memoriale të tjera ndodhen në vendet e burgjeve të mëparshme në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë: të tilla si në Berlin – Hohenschönhausen dhe Bautzen. Ekspozitat dhe koleksionet u japin vizitorëve mundësinë të kuptojnë funksionin dhe përdorimin e burgut, kushtet gjatë burgimit dhe fatin e viktimave individuale. Historia e ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë është temë në shumë ekspozita muzeore.
Shqipëria po përparon ngadalë në këtë aspekt. Unë besoj se ka vend për përmirësim në lidhje me përballjen me të shkuarën. Ju mund të jeni njohur me anketën “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen,” e cila u botua dhjetorin e kaluar si pjesë e projektit të OSBE-së “Mbështetja e platformës së dialogut kombëtar për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë ish-regjimit komunist në Shqipëri”. Në këtë anketë, rreth 90% e të anketuarve mbështesin krijimin e një muzeu kombëtar të diktaturës komuniste. Gjithashtu, 63% e të anketuarve mendojnë se vendet e persekutimit (si për shembull, burgjet dhe kampet e internimit) duhen ruajtur.
E shkuara i jep formë identitetit tonë. Kush mban përgjegjësi për të shkuarën? Deri në çfarë pike duhet t’u caktohet kjo përgjegjësi individëve, grupeve, regjimeve, apo shoqërisë? Për të gjetur përgjigje për këtë pyetje, nevojitet një diskutim i gjerë rreth së shkuarës dhe një diskutim i tillë është i rëndësishëm për shoqërinë. Ky lloj diskutimi ka fuqinë për të bërë që kujtimet traumatike të përdoren në mënyrë pozitive. Kjo është arsyeja përse Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i jep përparësi mbështetjes së dialogut kombëtar rreth së shkuarës dhe punon në këtë drejtim me një diapazon të larmishëm aktorësh në vend – duke përfshirë të rinjtë, të cilët kanë rëndësi thelbësore në këtë proces. Kultura e kujtesës duhet zhvilluar në diskurs social sa më të gjerë. Pikëpamjet e ndryshme rreth të shkuarës duhen respektuar, me kusht që ato të mos mbrojnë kryerjen e krimeve. Shoqëria ka nevojë për kohë dhe informacion për të shqyrtuar se çfarë ishte e gabuar dhe çfarë ishte e drejtë në të shkuarën, deri sa të ndërtojë një narrativë liberalizuese kolektive. Në Shqipëri, një narrativë e tillë është ende në ndërtim e sipër.
Vendet e kujtesës kanë rëndësi të veçantë në trajtimin e të shkuarës së vendit. Ato janë të rëndësishme për ish-të përndjekurit, që janë ende gjallë dhe luajnë, gjithashtu, rol të rëndësishëm për informimin e brezave më të rinj, veçanërisht të atyre që kanë lindur pas vitit 1990. Në këtë kontekst, projektet e kujtesës mund të nxisin ata që vuajtën egërsinë e regjimit të shqyrtojnë kujtimet e debatueshme rreth të shkuarës, si dhe të nxisin dhe përkrahin njohurinë dhe analizën te rinia.
Krijimi i kujtesës në mënyrë të suksesshme kërkon kontribut nga aktorët e fushave të ndryshme: nga historianët, projektuesit e muzeve, artistët, specialistët e traumës, aktivistët e të drejtave të njeriut, dhe specialistët e drejtësisë tranzitore. Një nga qëllimet e këtij takimi është mbledhja e aktorëve të kësaj teme, sepse për të zhvilluar rezultate pozitive dhe afatgjata në lidhje me trajtimin e së shkuarës është e rëndësishme të punohet së bashku.
Faleminderit!
*( Fjala e kryetarit të prezencës, ambasadorit Bernd Borchardt, në takimin bashkërendues për vendet e kujtesës)