Albspirit

Media/News/Publishing

Henri Çili: Koalicioni PS-LSI prishet më 15 prill! E vërteta e takimeve me Ramën

Henri Çili shtjellon për “Shuplaka”-n tezën e tij politike lidhur me të ardhmen e koalicionit PS-LSI.

Pse Çili mendon se koalicioni do të ndahet më 15 prill, si e shikon PS-në, LSI-në dhe PD-në. Pse botuesi i mediave “Mapo” është pro një mandati të dytë të Ramës. Këto janë pyetjet, të cilave Çili iu përgjigjet, por gjithashtu nuk heziton të tregojë nëse e takon Ramën dhe pse ka ndryshuar 180 gradë duke mbështetur të majtët.

Çili, pse mendoni që do të prishet koalicioni PS-LSI? Është një dëshirë e juaja apo keni një informacion që ne nuk e dimë?

Nuk kam as dëshirë, as informacion. Është një arsyetim logjik, duke qenë se deri më 15 prill koalicionet duhet të regjistrohen dhe i bie që maksimumi në mes të prillit, më 15 prill, duhet të ketë një përgjigje për koalicionin.

Gjykimi im, analiza ime politike, lidhet me faktin se aktorët e koalicionit nuk ndihen mirë. Duket që ka një problem shumë të madh, të përsëritur, ka skema, kundërskema, debate, kundërdebate, tërheqje, negociata etj.

Logjika e analizës politike të çon te fakti që aktorët kërkojnë një marrëveshje tjetër. Meqenëse prezenca e Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin aktual është thuajse në maksimumin e vet, brenda këtij formati ku ka një aleat të madh dhe një aleat më të vogël, të cilat Preç Zogaj i quan me metaforë: “Qeveria e madhe”, “Qeveria e vogël”, pra kemi një strukturë aktuale, ku kjo strukturë brenda logjikës, aleat i madh, aleati i vogël, pothuajse është në limitet e veta, nuk mban më shumë nga pikëpamja e raporteve sasiore.

Në momentin që ne arsyetojmë se ka një tension shumë të madh në koalicion, i bie që palët nuk janë komode për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje dhe ndoshta arsyetimi im, logjika ime e kërkon që ndoshta ato të kërkojnë një marrëveshje apo një objektiv politik të ndarë.

Që do të thotë, në mënyrë të përkthyer, që Lëvizja Socialiste për Integrim është e pakënaqur me nivelin e pushtetit që ka, me raportin brenda koalicionit, me proporcionin e pushtetit dhe Partia Socialiste është komode që i ka dhënë këtë nivel pushteti dhe nuk duket e gatshme t’i japë më shumë. Kjo është ajo që shihet nga jashtë, po sidoqoftë liderët bëjnë llogaritë e tyre, koniunktura politike ndryshon më tej.

Të mos harrojmë që LSI ka 13 vite që është krijuar, që në 2004, është një parti shumë më e madhe, shumë më e pjekur, lidershipi i Ilir Metës është i konsoliduar, roli i tij është i konsoliduar dhe si e tillë duket që e ka shprehur edhe vetë gjatë fushatës brenda partiake po edhe nga shumë ministra, që aspiron udhëheqjen e Shqipërisë si parti e parë me Ilir Metën kryeministër. Çka më duket jashtëzakonisht legjitime.

Bashkuar këto dy elementë si edhe nga kronika të tjera që shohim, unë them që palët nuk janë komode me këtë vazhdim, por do të kërkojnë alternativa të tjera, të cilat janë: konkurrim veç, ose rirreshtim në një pol tjetër politik që i bie të jetë ai i opozitës. Sidoqoftë do presim edhe do shohim. Pra, analiza ime është kaq e thjeshtë dhe kaq e pafajshme, nuk ka të bëjë me ndonjë konspiracion tjetër.

Rama e ka përsëritur herë pas herë qëndrimin në koalicion me Metën, e ka thënë se do rrinë bashkë…

Nëse Rama e ka përsëritur, LSI nuk përgjigjet, ose po pret diçka tjetër, atëherë ka diçka dhe në këtë logjikë, raporti ekzistues nuk është më komod për palët, ose të paktën për një palë. Kjo është pak a shumë, sepse ndryshe do të thoshin: Po vazhdojmë! Do ta jepnin përgjigjen.

Këto balanca mos i ka prishur çadra e PD-së?

Këto balanca i kanë prishur shumë gjëra, por mbi të gjitha i ka prishur një qëllim bazë i politikës, që është: çdo politikan, çdo politikë kërkon të përmirësojë objektivat e vetë nga zgjedhjet në zgjedhje dhe në këtë kuptim është krejt legjitime.

Keni komunikuar me Ramën? Ose më saktë e keni këshilluar për mendime që kryeministri mund të kërkojë për situatën politike? Apo nuk keni komunikim fare?

Unë kam komunikim me Ramën për aq sa ka çdo grup interesi apo botues me kryeministrin e Shqipërisë, kur i bie radha që të shtrëngojmë duart, apo në ndonjë koktej, ndonjë aktivitet, konferenca etj.

Pra, nuk e takoni apo ta këshilloni?

Është një “non sens”, detyrat e mia publike janë krejt të tjera. Unë jam botues.

Ju thatë që duhet të shkarkohet Tahiri. E keni dëgjuar ju Ramën apo ai ju?

Edhe ajo është një nga konspiracionet e tjera. Megjithëse protesta e PD-së ishte për zgjedhjet e lira dhe për kanabizimin është shumë e logjikshme, për dikë që e ndjek politikën në mënyrë profesioniste.

Demokratët nuk kanë kërkuar shkarkimin e Tahirit. Ata kërkojnë qeveri teknike…

Koncepti është ky: çdo opozitë ka opsione maksimaliste, por shoqëria sheh atë që është realiste tek ata. Ajo që ishte e vërtetë te protesta e opozitës, është një vendim i arsyeshëm që e kam thënë edhe shumë herë në publik, është fakti që kemi një situatë reale ose të perceptuar, nuk ka rëndësi, të shtimit të lëndëve narkotike, të trafikut dhe të potencialit që kjo para e pistë të përfshihej në zgjedhje.

Pra, hallka, pika e dobët e qeverisjes vërtitet rreth Ministrisë së Brendshme, që është përgjegjëse për nivelin e kriminalitetit në vend, për nivelin e trafikut të drogës etj. etj.

Në këtë sens, unë thashë që opozita dhe shoqëria shqiptare do të ndihet më e sigurt për zgjedhjet e ardhme, nëse do të kishim një ministër tjetër të Brendshëm, i cili do të shkëpuste këtë lidhje ose këtë koniunkturë, me ose pa faj, nuk duam ta gjykojmë politikisht dhe do të krijonte një siguri që skema aktuale është e shpërbërë. Dhe simboli i kësaj është rreth Ministrisë së Brendshme.

Unë e kisha menduar si ministër teknik, po ngjarjet ndodhën ashtu dhe erdhi një ministër politik, por rëndësi ka që u mbajt përgjegjësi për atë sektor.

Pra, nuk keni qenë në një tryezë me Ramën dhe e keni diskutuar?

Kjo është një gjë krejtësisht qesharake. Në 4 vite mazhorancë e kam takuar 3 ose 4 herë Edi Ramën për kafe pune dhe brenda pozicioneve të mia si grup interesi apo botues.

Të kalojmë te kërkesa juaj politike për një mandat të dytë të Ramës. Keni një ndryshim 180 gradë të disa viteve më parë dhe unë po e bëj fare të thjeshtë pyetjen: Një pjesë e të djathtëve janë mërzitur me ju, madje ju shohin “me inat” nëse mund të shprehem kështu, se pse keni ndryshuar kaq shumë. Dhe në vend të tyre po ju pyes, pse keni ndryshuar kaq shumë z. Çili?

Unë në veten time e di që s’kam bërë asnjë ndryshim, sepse nuk kam asnjë ndryshim në ide. Njeriu ka vetëm një detyrë: të jetë koherent me idetë e tij. Edhe ato mund t’i ndryshojë, por duhet t’i argumentojë çfarë ndodhi dhe pse.

Unë kam ide të liberalizmit ekonomik, me pikëpamje liberale mbi shoqërinë, mbi mënyrën e politikës, mbi tolerancën dhe këto nuk më kanë ndryshuar asnjëherë dhe nuk më rezulton në asnjë moment që të jem kundërthënës për një pikëpamje, për një ide.

Tipari im i dytë personal, që nga viti 2002 ku kam një farë zëri në jetën publike, është fakti që unë gjithmonë pozicionohem dhe pozicionimi nuk më bën të humb pavarësinë. Që nga viti 2002 bashkë me liberalët e djathtë ne pozicionoheshim hapur në përputhje me idetë tona, dhe këtë ua sugjeroj të gjithë të tjerëve- dhe jam shumë i gëzuar që sot në çadër, kanë shkuar shumë intelektualë, filozofë, akademikë, gazetarë, të cilët janë pozicionuar pro opozitës dhe për mua mbeten gjithaq të pavarur. I pozicionuar dhe i pavarur nuk ka asnjë kontradiksion, mjafton që njeriu të thotë idetë e veta, në çdo moment, kudo ku ato shfaqen dhe të mbështetë këdo që mbështet idetë e tij.

Pikërisht ky është edhe koncepti im. Unë mendoj që zgjedhjet e 2013-ës patën atë rezultat që patën, zgjedhjet nuk i vendosin analistët, por i vendos populli shqiptar. Unë kam bërë një kritikë shumë të ashpër të ideve populiste, që pati fushata e Edi Ramës (e dokumentuar kjo në debat me Edi Ramën). Kam shkruar një libër me idetë e mia për fushatën, një shpjegim subjektiv për 23 qershorin, “Kundër-reforma”, një libërth i vogël dhe kam pasur një sugjerim, modest: Edi Rama e mori si e mori pushtetin me populizëm, por duhet sa më parë të heqë dorë nga idetë populiste, sepse janë shumë të rrezikshme për shtetin. Pra unë, në njëfarë mënyre paradoksale thosha, “për të mirën e vendit është mirë që të flaken të gjitha idetë populiste, të fushatës së 2013-ës”.

Edi Rama gjatë këtyre 3 viteve ndërtoi një kurs përgjithësisht, në 70% të tij, reformues.

Unë mendoj që në 10 apo 11 reformat e Ramës, i argumentoi në mënyrë jo-populiste. Për shembull; ai e dinte që do të humbiste vota dhe mblodhi çdo faturë, ai e dinte që do të humbte vota dhe i bëri të rregullta konkurset në administratën publike dhe fitoi mërinë e shumë socialistëve. Ai ndaloi ndërtimet pa leje, humbi vota, por ndaloi ndërtimet pa leje, mbylli universitetet e këqija publike dhe shtetërore dhe humbi vota. Ai krijoi tregun e energjisë, ai bëri reforma jashtëzakonisht të rëndësishme në partneritetin publik-privat. Të gjithë i shajnë, por unë që kam pikëpamje liberale i mbroj, sepse një para publike është shumë herë më mirë të harxhohet nga privati se sa të harxhohet nga shteti. Reforma territoriale dhe reforma në drejtësi.

Pra Rama ndërmori një kurs reformues, edhe të arsimit të lartë, i cili shënon bazat e sistemit. A kanë mbetur tema të pratrajtuara mirë nga Rama? Për mua po, 3:

Taksa progresive, vazhdon të jetë rrënimtare për Shqipërinë, duhet në mënyrë urgjente të kalohet në taksë të njënivelëshe mund të mos jetë 10, por të jetë 12,5% apo 15%, por duhet të kalohet.
Duhet të braktisë idenë e shëndetësisë falas, duhet të krijojë tregun e shëndetësisë dhe të sigurimeve.
Duhet ta shkurtojë në mënyrë drastike administratën. 15 ministri janë qesharake për Shqipërinë, ato vetëm sa prishin punë, nuk rregullojnë punë, fryjnë dhe mbajnë ekuilibrat e koalicionit, por nuk i shërbejnë Shqipërisë. 7, 8 apo 10 ministri do ishin shumë të mira.

Pra Edi Rama ka akoma shumë etatizëm, shumë rregulla burokratikë në administratë, sidomos në nivelet e dyta dhe të treta, ka plagë të hapura në shëndetësinë falas, ide nga e cila duhet të heqë urgjent dorë dhe ka një sistem shumë të kompleksuar taksash, duhet të shkojë në një nivel sistemi më të thjeshtuar.

Si përfundim çfarë gjykoj unë? Që mandati i Ramës e kaloi përfundimisht të majtën shqiptare nga pozitat e socialdemokracisë klasike, në pozitat e Rrugës së Tretë, të cilat janë gjithsesi shumë më pozitive se sa populizmi. Këto dhe vullneti i tij i madh si lider, lidershipi i tij për t’i çuar gjërat përpara, për ta bërë një gjë që thotë, më bëjnë të mendoj që cikli reformist i Ramës të vazhdojë edhe një mandat të dytë.

Në këtë kuptim, siç e shikon unë nuk kam ndryshuar asnjë ide!

Për Bashën çfarë mendon? Për rezistencën e tij prej më shumë se një muaji në çadër?

Çfarë ka ndodhur në krahun tjetër? Në krahun tjetër ka një dinamikë tjetër, pas humbjes së zgjedhjeve në 2013-ën, të cilat unë i mbështeta si liberal, duke lobuar dhe kërkuar, duke mbështetur një mandat të tretë, historik dhe të fundit të Berishës, për të mbyllur disa gjëra, gjithmonë për reformimin e Shqipërisë, për mbylljen e disa kantiereve dhe të disa punëve. Nuk ndodhi, populli votoi ndryshe.

Kemi lidership të ri dhe nuk ka kuptim të më thuhet mua pse ke ndryshuar, sepse nuk është më në garë Rama me Berishën. Midis Ramës dhe Berishës të 2013-ës, unë do votoja gjithmonë Berishën e 2013-ës. Është evidente.

Lidershipi i ri opozitës është në hapat e parë. Është realiste, çdo cikël opozitar, në 4-vjeçarin e parë, partia merret me rinovimin e brendshëm, me rregullimin e ekuilibrave, me çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq. Si e tillë, lidershipi i Bashës është ende në hapat e parë.

Lidershipi i Bashës ishte shumë i vështirë sepse kishte edhe një specifikë. Ai është i vetmi lider që e merr drejtimin e partisë në një situatë të veçantë.

Sali Berisha apo Fatos Nano dikur e morën në fillimet e një gjëje të re ose në një shkëputje përfundimtare nga sistemi i kaluar, siç qe rasti i Partisë së Punës. Edi Rama e mori Partinë Socialiste me një konflikt me lidershipin e Nanos. Basha e ka marrë lidershipin me një formë evolutive, siç iu takon më shumë partive të djathta, u krye një proces, e ka marrë pa një konfliktualitet me Sali Berishën. Kjo është shumë e mirë për ta mbajtur partinë të bashkuar, por kjo vonon.

Në këtë kuptim Basha nuk ka qenë për veprim të shpejtë dhe të vendosur në raport me ekipin, programin, por rrugës ka ndodhur diçka edhe më negative.

Basha në përpjekje për të grumbulluar vota, ka rënë në rrezikun e populizmit. Ai iu është bashkuar kauzave të rrugës që kalojnë aty para në bulevardin e SHQUP-it. Është bashkuar me ambientalistët, çka nuk është e natyrshme për partitë e djathta. Ai iu është bashkuar mbështetësve të sektorëve shtetërorë, i është bashkuar kundërshtimit të ligjit të arsimit të lartë, nga Forumi për Lirinë Akademike me profesor Artan Fugën në krye, çka është e pazakonshme për një parti të djathtë, sepse partia e djathtë mbështet tregun e edukimit të lartë. Dhe për më tepër Partia Demokratike, qeveria e mëparshme ishte për një version shumë më liberal të ligjit të arsimit të lartë, ishte më për “paraja ndjek studentin”, ndërkohë që sot Basha thotë që do të anulojnë edhe ata pak hapa pozitivë që ka ligji i ri i Arsimit të Lartë.

Po ashtu, Basha ka rënë pre e kauzave të tjera krejtësisht me natyrë të një partie që nuk i takon qendrës së djathtë, liberalizmit ekonomik, siç është flamurtare partia e themeluar nga Sali Berisha dhe Gramoz Pashko në vitin 1991, partia e qendrës së djathtë, e liberalizmit, e konkurrencës së lirë, e kështu me radhë.

Basha del kundër koncesioneve, ose kundër partneritetit publik-privat, që është term i djathtë, është një terminologji e djathtë. Atëherë më thoni: A duhet të dal kundër ideve të mia për të ruajtur koherencën ndaj një logoje? Jo! Unë i gjykoj personat, individët dhe strukturat në raport me idetë që ato kanë!

Po ashtu programi i Parisë Demokratike, përfshi këtu edhe “Republika e re” është e spërkatur me shumë ide puniste që qarkullojnë vërdallë në çadër ose që afrohen.

Basha flet për ndalimin e donacioneve private në fushatat elektorale, çka është gati komuniste. Shkurt unë do ta kundërshtoj ashpër çdo ide puniste ngado që vjen dhe do mbështes pa asnjë kompleks çdo ide liberale kudo ku ajo shfaqet!

Siç e ka thënë dikur Giddens: Ne nuk do ta mbajmë për paralele domosdoshmërisht një masë joefikase vetëm e vetëm se është e majtë dhe nuk do ta lëmë pa marrë një masë joefikase vetëm e vetëm se është e djathtë.

Shkurt, ne duhet të jemi pretendues ndaj palëve politike që të mos ta bëjmë çorap programim dhe ideologjinë që ato përfaqësojnë dhe këtë duhet t’i kërkojmë minimalisht, kështu mendoj se duhet të kishin bërë të gjithë: kudo ku ka një punizëm të Partisë Demokratike ai duhet të goditet nga demokratët e ndershëm dhe liberalët e ndershëm dhe jo koniunktural. Në këtë sens jo vetëm nuk kam ndërruar ide, por i kam përforcuar ato!

E fundit, kjo nuk do të thotë se Lulzim Basha nuk është efikas si lider. Ai nga një koniunkturë shumë e vështirë ka arritur me protestën e fundit, së paku të bëjë të ndjeshme temën e kanabizimit të Shqipërisë dhe të gjithë janë të bindur se arriti fitoren e parë, duke larguar ministrin e Brendshëm.

Basha ka filluar të ndërtojë një diskurs të ri më të lidhur me shoqërinë, pavarësisht pse shpeshherë ndikohet nga flukse puniste. Lulzim Basha ka arritur qartësisht nga protesta e fundit të përjetojë muajin e parë, të vërtetë, si lider i opozitës. Që do të thotë: askush sot s’e diskuton më lidershipin e tij, ai ka vendosur një kontakt me sy, me gojë, me fytyrë dhe me vesh me popullin, opinionin publik, me çadrën, me partinë e tij, çka nuk ishte e sigurt në fazën kalimtare. Në këtë sens unë shoh potencialisht rritje të opozitës, përqendrim, shoh një centrim në raport me veprimet e tij politike.

Nuk është ndonjë dramë për Shqipërinë dhe në përgjithësi për ciklin politik, madje është e dobishme nëse opozita përgatitet më mirë, “edukohet” më mirë, në raport me betejën politike dhe mbi të gjitha me misionin e saj.

Lulzim Basha ka një mision historik të mos e lëvizë aksin ideologjik të Partisë Demokratike nga e djathta dhe ta ndalë infektimin e opozitës, të Partisë Demokratike nga punizmi.

Dhe nëse i vendosim të dy në një peshore, kush është më afër zgjidhjeve liberale, Rama apo Basha?

Shikoni, nuk kam asnjë pretendim që Rama të jetë liberal, pasi është kryetar i një partie të majtë, unë kam një pretendim të një natyre tjetër. Është më mirë që brenda versionit socialdemokrat të së majtës Edi Rama ka gjetur versionin më të avancuar, Rrugën e Tretë me Tony Blair, e cila e pranon tregun e lirë, pranon mekanizmat e tregut, pranon konkurrencën si gjënë parësore dhe jo anasjelltas. Dhe si e tillë, i frymëzuar edhe nga mentori i tij Blair, unë jam shumë i gëzuar që Rama ka adaptuar versionin më të avancuar të të majtës: Rrugën e Tretë.

Ai as nuk është liberal dhe as nuk bëhet dot, dhe nuk e ka për detyrë të jetë liberal, se do përfaqësojë shtresën e vet, por më mirë kjo se sa …..kjo. Nuk kam pretendim ndaj Edi Ramës, kur Edi Rama bën pak drejt liberalizimit, kjo ka më shumë vlerë se është përfaqësuesi i së majtës. Kur Lulzim Basha cedon pak nga liberalizmi, kjo është një gjë shumë e rëndë, shumë e madhe, dhe mua më mbetet ta kundërshtoj!

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

Kemi dy rreziqe. Rreziku i parë është fakti që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të instalojnë precedentin e mospjesëmarrjes në zgjedhje, çka është një precedent shumë i rrezikshëm për demokracinë shqiptare. Shumë i rrezikshëm edhe për PD-në.

Sidoqoftë kemi akoma kohë. Kemi edhe gati 1 muaj kohë për regjistrin e koalicioneve në zgjedhje për të ndërtuar një negociatë të arsyeshme. Në gjykimin tim negociata është hapur, qeveria i ka bërë lëvizjet e veta, lëshimin, dhe tani i takon opozitës që të bëjë lëshimin e saj.

Kur thoni “lëshim”, për çfarë lëshimi e keni fjalën?

Hoqi ministrin e Brendshëm.

Por Rama ka thënë që e hoqi se Tahiri do të merret me zgjedhjet…

Ai është komunikim, rëndësi ka që Ministri i Brendshëm u largua. Ai do të fitojë më shumë pikë ose të humbë më pak pikë, kjo është gjë tjetër. Fakt është që Rama largoi ministrin e Brendshëm. Megjithatë të presim krijimin e koalicionit brenda qeverisë, lëvizjet e Metës dhe negociatat e opozitës.

Çfarë parashikimi keni për ditët në vijim?

Unë nuk jam fallxhor. Basha ka plotësisht të drejtë të kërkojë garanci shtesë për garantimin e zgjedhjeve, për shkak të realitetit apo perceptimit të realitetit që ka lidhje me paranë kriminale. Zbatimi i plotë i dekriminalizimit dhe dhënia e sigurive në funksion të mbajtjes larg të parave të pista në zgjedhje, – dhe për këtë ka mekanizma teknikë, – për mua janë të mjaftueshme.

Kërkesa për qeveri teknike dy muaj para zgjedhjeve jo vetëm që është jorelaliste, por unë mendoj që mandati i partive që qeverisin nuk mund të ndërpritet me greva, me protesta, me 21 janarë. Zgjedhjet janë mekanizimi i vetëm për të ndërruar pushtetin. Jemi në një demokraci normale.

Mendoni që zgjedhjet janë të garantuara? Kemi edhe raportin e fundit të Departamentit të Shtetit…..

Zgjedhjet janë një proces që në Shqipëri kanë dy autorë: Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste; opozitën dhe qeverinë. Zgjedhjet e 18 qershorit nuk do të jenë më të mira se ato të mëparshmet, por nuk do të jenë më të këqijat. Në 15 vitet e fundit ne kemi parë se si janë zgjedhur kryetarët e bashkive, kryeministrat. Pra, edhe me garancitë aktuale është plotësisht i mundur rotacioni dhe njohja e një rezultati real. Pse? Të dyja partitë kanë një kolegj zgjedhor, kanë një KQZ të balancuar, gjysmat e komisionerëve i ka PD-ja, të tjerët PS-ja.

Ta lëmë aspektin institucional, po vëmë në diskutim ndërhyrjen e krimit, parave të pista, kemi edhe kryebashkiakë që i ka kapur ligji i dekriminalizimit që janë në krye të detyrës dhe po vazhdojnë…

Ata kanë ikur me vendime gjykate.

Por janë në krye të zgjedhjeve, të organizmit të fushatave…

Ka dy probleme: kryebashkiakët kanë humbur të drejtën për të qenë të zgjedhur, por zgjedhës mund të jenë. Ne nuk mund ta kthejmë mbrapa demokracinë në Shqipëri që t’i internojmë ata. Ata janë qytetarë të lirë dhe veprimet e tyre do të bëhen në lidhje me ligjin . Më shumë se kaq nuk nxjerrim nga kjo temë.

Në lidhje me koalicionet, ju keni qenë që çdo parti të konkurrojë më vete…

Po, pikëpamja ime ka qenë e thjeshtë. Vazhdimi i koalicionit PS-LSI është pa interes publik, çështje tyre e brendshme dhe nuk dua ta vazhdoj fare edhe si debat, si ndahen postet edhe ministritë.

LSI është një pol më vete, ka interes të lartë publik sepse krijon një alternativë të re, i mat forcat realisht, palët takohen pas zgjedhjeve.

Bashkimi i LSI-së me PD-në për mua është kundër interesit publik sepse krijon precedentin e keq, që një parti qeveris dhe në fund bashkohet më opozitën, 2 muaj para zgjedhjeve.

Kjo ndodhi njëherë, LSI dhe PD, pra kjo mundësi është kundër interesit publik, sepse humb sensin e ndërgjegjshmërisë. LSI është parti qeveritare dhe duhet të analizohet si e tillë, me të mirat dhe të këqijat e kësaj qeverisjeje.

Kështu bëri edhe Rama me Metën…

Atëherë kishte një kuptim, ishte njëherë dhe kishte sens.

LSI ka thënë që kjo ishte në të mirë të stabilitetit…..

Të lutem, nuk marr përsipër çfarë argumenton dhe bën LSI-ja pasi është parti shumë e pjekur me një lider shumë të pjekur dhe e di vetë se ç’bën, por ajo kishte interes publik.

Interes publik ka edhe formimi i një mazhorance dhe qeverie…

Jo, jo, interesi publik është koncept më i gjerë. Interesi publik e kërkon që partitë që qeverisin të gjykohen për atë që kanë bërë dhe të gjykohen për programin e ardhshëm.

Nëse LSI kalon në koalicion me opozitën, e gjithë opozita i kërkon llogari qeverisë dhe jemi në absurd sepse një pjesë e opozitës ka qenë pjesë e pushtetit.

Kjo ndodhi njëherë në koalicionin 2009-2013, ishte i panatyrshëm dhe tashmë kemi një rinatyralizim të spektrit politik, e majta është bashkë, e djathta është bashkë. Nëse kjo gjë do të vazhdojë pafund, ka diçka që nuk shkon dhe ka diçka kundër interesit publik.

Please follow and like us: