Albspirit

Media/News/Publishing

Kriza, zgjedhjet dhe ditët për të gjetur kompromisin

Elton Metaj

Partitë politike kanë edhe 15 ditë kohë për të gjetur kompromisin që nuk do të rrezikonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të parashikuara për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017, votimet e përgjithshme kanë hyrë tashmë në zbatimin e kalendarit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Një afat i parë, ai për caktimin e anëtarëve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) është shkelur, pasi opozita nuk ka dërguar propozimet e saj. Kodi sidoqoftë parashikon një rrugëdalje ligjore. Mbi të gjitha, partitë e opozitës ende nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Afati i parë që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e subjekteve politike. Sipas Kodit, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Pra afati i fundit që dosja e Partisë Demokratike të udhëtojë drejt selisë së KQZ-së është 8 prilli 2017. Në vetëm 15 ditët e mbetura klasa politike duhet të gjejë kompromisin, në mënyrë që demokratët dhe aleatët e tyre të regjistrohen si garues më 18 qershor. Shkelja e këtij afati do të kërkojë ndryshime ligjore dhe mund të çojë në mënyrë të paevitueshme në shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kryeministri Rama është shprehur se Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e PD-së, ndërsa për LSI-në, zgjedhjet pa opozitën janë një farsë.

Elton Metaj

Afati i dytë që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e koalicioneve. Sipas Kodit, “dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Pra afati i fundit për të mësuar fatin e dyshes PS-LSI do të jenë 18 prilli 2017. Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se do të mbledhë forumet e saj për të vendosur hyrjen në zgjedhje e vetme ose në koalicion me socialistët, të cilët i kanë dërguar ftesat e tyre muaj më parë. Mbeten edhe 25 ditë në dispozicion të të dy partive për të vendosur lidhur me koalicionin e tyre.

Afati i tretë i rëndësishëm që përcakton Kodi Zgjedhor lidhet me regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë. “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në Kod. I njëjti afat është edhe për partitë që janë regjistruar si pjesë e një koalicioni. Pra deri më 28 prill 2017, partitë duhet të kenë dërguar në KQZ listën me 140 kandidatët e tyre për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë në kalendarin e ngjeshur dhe të ndezur të politikës shqiptare në javët e ardhshme do të shtohen edhe dy çështje të tjera, që lidhen me Kuvendin, si miratimi i komisioneve të vetingut dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Më 27 mars mbyllet afati në dispozicion të Avokatit të Popullit për plotësimin e dokumentacionit të kandidatëve për organet e vetingut dhe dosjet përkatëse do të shkojnë sërish në Kuvend. Mungesa e opozitës mund të sjellë bllokimin e procesit, që parashikohet të jetë dypalësh (mazhorancë-opozitë) sipas Kushtetutës dhe ligjit përkatës. Gjithashtu, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon, sipas Kushtetutës, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Pra kjo procedurë duhet të fillojë jo më vonë se data 24 maj, kohë në të cilën Kuvendi do të jetë i shpërndarë për shkak të fushatës zgjedhore.

“Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve”, thuhet në Kodin Zgjedhor. Për rrjedhojë, Kuvendi mund të vendosë ta nisë procedurën e zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit më herët se data 24 maj dhe mundësisht ta mbyllë këtë proces përpara 18 majit kur nis fushata. Kjo mund të spostojë nisjen e procesit në mesin e prillit.

Prej 18 shkurtit, Partia Demokratike po kërkon ngritjen e një qeverie teknike, si kusht për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Deri më tani, kërkesa e opozitës është refuzuar nga shumica parlamentare, e cila ka nisur përgatitjet për zgjedhjet. E vetmja lëvizje e qeverisë mbetet ndryshimi i katër ministrave, ndërsa afatet kohore po shtrëngohen. Në mos qoftë vullneti i mjaftueshëm për të ulur palët në një tryezë, ditë pas dite kriza po i afrohet më tepër tavolinave të institucioneve.

Datat

8 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ.

18 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ.

28 prill 2017, afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për deputetë në KQZ.

18 maj 2017, nisja e fushatës zgjedhore.

24 maj 2017, afati i fundit për nisjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

24 korrik 2017, dita e betimit të Presidentit të zgjedhur të Republikës.

9 shtator 2017, mbarimi i mandatit të Kuvendit aktual.

Please follow and like us: