Albspirit

Media/News/Publishing

Padrejtësitë greke janë të mbrojtura me veprime ligjore në dëm të çështjes çame

Lajmi i paradokohshëm i përhapur në publik edhe në SHBA, se gjykatat dhe prokuroria greke po merreshin me pronat e shqiptarëve në Greqi, ka qenë njëherazi edhe një lajm i keq për një praktikë jodemokratike dhe kundër shqiptarëve të Çamërisë. Sekuestrimi dhe shitja e pronave të banorëve autoktonë pas dëbimit me genocid në vitet 19944-45 në atë moment që u bë publik, ngjalli reagimin e të gjithë komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë që ka intensifikuar veprimet e protestës së shumëllojshme. Në atë kohë reagimet kanë qenë edhe të Shoqatës Çamëria për të Drejtat e Njeriut në SHBA, të bëra publike përmes kryetarit të saj Ahmet Xhafo dhe sekretares Vera Gjata.

Edhe pse kanë kaluar pak kohë nga ai realitet që ishte sa tronditës aq edhe i vërtetë, duhet thënë që harresa apo mosvëmendja ndaj të vërtetave, sjell pasoja të rënda në zhvillimet e mëtejshme të interesave të komunitetit çam që, në fund të fundit është pjesë e kauzës për rikthimin në Çamëri dhe të të gjithë të drejtave që janë njerëzore dhe që i përkasin atyre të drejtave për të cilat sot Europa demokratike thërret me të madhe dhe SHBA ka qenë më e ndjeshme në këtë drejtim.

Sipas një informacioni zyrtar të kësaj Shoqate “u janë dërguar letër Ambasadorit Amerikan në Athinë që të verifikonte këtë çështje si dhe Sekretares Amerikane të Shtetit në atë kohë, Candoleezza Rice, si dhe organizatave për të drejtat e njeriut për këtë çështje”. Kaq u tha në atë kohë dhe përfaqësuesit çam të SHBA e bënë punën e tyre, si një këmbanë që meriton të dëgjohet mirë, se është një këmbanë që bie fort për ta dëgjuar ata që kanë veshë.

Për fatin e keq, gjithçka ka mbetur këtu në këtë pikë dhe as institucionalisht, as politikisht, e as shtetërisht nuk ka asnjë veprim që të tregojë se çfarë po bëhet në skutat e labirintheve të haurit ku rri i strukur Kali i Trojës. Sipas kryetarit Xhafo, që në emër të gjithë komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë në SHBA, që në atë kohë mori përgjegjësinë e një lëvizje të gjerë sensibilizuese të organizatave ndërkombëtare, por edhe atyre shqiptare, u shpreh në atë kohë se “Ne po përgatisim letra për kryeministrin Berisha, Presidentin Moisiu dhe ministrin e Punëve të Jashtme për çështjen çame për këtë çështje e për ardhjen e Presidentit Grek, Papulias në Tiranë”. Kështu bëri zoti Ahmet Xhafo.  Po sot? Gjithçka ka mbetur në statukuonë e një realiteti që për ne komunitetin çam dhe përfaqësuesit politik dhe Shoqatën Çamëria, duket si një pritje, pa ditur se për çfarë dhe nga kush.

Nëse ish-kryetari i shoqatës Çamëria në SHBA, Ahmet Xhafo,  tha se “Do të shkojmë në Washington për takime me qeverinë amerikane të kohës, Organizatën e Kombeve Evropiane e Kombet e Bashkuara në New York që t’i bëjnë ata presion Greqisë, që të mos vazhdojë në atë rrugë. Në qoftë se Greqia vazhdon vijën që ka marrë, atëherë ne do të bëjmë peticion që Greqia të “sekuestrohet” e të dënohet për këtë aksion. Do të punojmë, – vazhdonte Xhafo, –  me organizatat për të drejtat e njeriut e me shtetin amerikan të mos lejojë mallrat greke të importohen e shiten në botën e lirë, mos të lejojë investime dhe pushime në Greqi. Kjo duhet bërë edhe në Shqipëri, sepse ajo do ta dëmtojë Greqinë ekonomikisht. Neve jemi gati për të gjithë aktivitetet që do t’i bëjnë presion Greqisë”.

Ku jemi me këtë realitet apo me një të dhjetën e saj, çfarë po bëhet rreth këtyre problemeve të reja dhe të mbartura që janë një sfidë e madhe që Greqia punon në drejtim të interesave të veta dhe ne në Shqipëri po shohim me mosvëmendje si sehirxhinj.

Nëse Shoqata Çamëria për të Drejtat e Njeriut e denoncoi aktin e qeverisë greke, duke mbështetur dhe rënë dakord që një gjykatë e padrejtë të vjedhë shtëpitë dhe tokat e çamëve në Çamëri, Shoqata në Shqipëri ka rënë në prehrin e mugëtirës dhe mosdenoncimit apo mosreflektimit. Ishte raportuar në atë kohë në shtypin shqiptar dhe atë grek që Prokurori i Përgjithshëm i Greqisë ka shfrytëzuar një gjykatë të padrejtë në Selanik për të lejuar qeverinë greke t’i marrë shtëpinë dhe tokën pronarit legjitim shqiptar pa lejen e tij dhe në kundërshtim me ligjin për tokën. Gjithashtu do të përdorë këtë gjykatë të paligjshme të procedojë në konfiskimin dhe shitjen e të gjithë pronave të çamëve në Çamëri palëve të treta të ndryshme pa respektuar pronarët legjitimë.

Është e vërtetë se minoriteti çam është një komunitet kombëtar dhe i bashkuar shqipfolës në krahinën greke të Thesprotisë ose Çamëri. Është e vërtetë se popullata shqiptare në Çamëri ndanin të dy besimet si musliman, ashtu edhe kristian ortodoks. Pas masakrave dhe mizorive të pashoqe kundër popullatës çame nga forcat e Napoleon Zervës në mbarim të Luftës II Botërore, pothuajse e gjithë popullata muslimane çame u përzu forcërisht dhe u drejtua përkohësisht si refugjate në Shqipëri. Megjithatë, ata kurrë nuk e humbën shpresën për t’u kthyer përsëri një ditë në shtëpitë dhe pronat e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe prosperitet me popullin e Greqisë.

Për shumë vjet, prona jonë ka qenë nën sekuestrim nga qeveria greke dhe  justifikimi ka qenë i bazuar në një deklaratë farse se çamët bashkëpunuan me nazistët. Sidoqoftë, shkaku dhe arsyeja e vërtetë është një politikë sistematike e spastrimit etnik.

Megjithatë, ne gjithmonë kemi besuar se një ditë të gjithë akuzat farse do të rrëzoheshin, konfiskimi do të merrte fund dhe të gjithë individët e minoritetit çam që dëshironin të ktheheshin në shtëpi do të ishin të aftë ta bënin këtë. Nëse në ato vite pas masakrave u bënë denoncime publike dhe Memorandume dhe më pas u la në heshtje për shkak të shtetit diktatorial komunist, kanë kaluar edhe 26 vjet pas 45 viteve të sistemit diktatorial dhe gjithçka ka mbetur në një Rezolutë të vitit 2004 dhe të stigmatizuar në vitet e fundit, nuk ka asnjë lëvizje demonstruese në kancelaritë europiane dhe atë amerikane, siç bëri Shoqata Çamëria për të Drejtat e Njeriut në SHBA, e cila në atë kohë u shpreh se do të vazhdojë protestat paqësore dhe do të përfshijë në një thirrje për bojkot të të gjithë produkteve greke, udhëtimeve dhe investimeve në Greqi. Ne do të bashkëpunojmë me organizatat e të drejtave të njeriut, qeveritë dhe njerëz nëpër botë për të mbajtur qeverinë greke përgjegjëse për këtë akt provokativ. Ne do t’i kërkojmë BE dhe OKB të ndërmarrë sanksione kundrejt Greqisë derisa t’i kthehet tavolinës së negocimit për t’i dhënë zgjidhje të drejtave njerëzore të çamëve. Në vend që të hapë një dialog me popullin çam dhe përfaqësuesit e tij, Qeveria Greke po përdor metoda të vjetra të forcës dhe të kërcënimit.

Duhet të jetë një evidentim që kur çamët kanë qenë të persekutuar, të masakruar dhe forcërisht të përzënë nga shtëpitë e tyre dhe tokat e tyre shekullore, nuk janë kundërpërgjigjur me dhunë kundër bashkështetasve të tyre grekë. Ku është ndërgjegjja juaj, sa shumë urrejtje ka në sistemin tuaj, si mund të flini natën duke ditur se sa keq dhe sa dëm i keni shkaktuar çamëve të pafajshëm. Duhet të marrë fund dhe duhet të marrë fund tani.

Nuk di dhe nuk mund ta pranoj se provokimet greke kërkojnë një kundërpërgjigje të shpejtë nga qeveritë demokratike dhe organizatat e të drejtave të njeriut të cilat ose heshtin, ose bëjnë sehir, ose kanë qëllime të mbrapshta. Qeveria greke duhet të mësojë të sillet si çdo shtet demokratik i përgjegjshëm, në qoftë se do të jetë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe OKB. Pjesëtarët e tjerë kanë mbajtur përgjegjësi përsa i përket ligjeve, rregullave dhe rregulloreve, të cilat Greqia si një anëtare i ka firmosur. Kush duhet të bëjë të pamundurën për të krijuar një atmosferë me harmoni, ku popujt me etni të ndryshme, racë dhe besim të ndryshëm të jetojnë në paqe dhe në harmoni. Të drejtat e njëjta dhe barazia për minoritetet krijojnë një shoqëri multietnike funksionale, ashtu si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku shqiptarët, grekët, italianët dhe të tjerë kanë krijuar shtetin më të suksesshëm në botë me drejtësi dhe liri për të gjithë.

Për fatin e keq, gjithçka ka mbetur këtu në këtë pikë dhe as institucionalisht, as politikisht, e as shtetërisht nuk ka asnjë veprim që të tregojë se çfarë po bëhet në skutat e labirintheve të haurit ku rri i strukur Kali i Trojës. Sipas kryetarit Xhafo, që në emër të gjithë komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë në SHBA, që në atë kohë mori përgjegjësinë e një lëvizje të gjerë sensibilizuese të organizatave ndërkombëtare, por edhe atyre shqiptare, u shpreh në atë kohë se “Ne po përgatisim letra për kryeministrin Berisha.

 

Nga Hyqmet Zane

Please follow and like us: