60 vjet Bashkimi Europian
Të shtunën (25.03) krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së festojnë në një ceremoni të posaçme 60-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës, që konsiderohet sot edhe si lindja e Bashkimit Europian.
Edhe presidenti Trump e uroi Bashkimin Europian në 60-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë theksohet angazhimi i përbashkët për “liri, demokraci dhe shtetin ligjor.”
Vendimi i Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Europian, hedh hije mbi këto festime, por kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk pret largime të tjera nga unioni. Merkel thotë, se Brexit nuk do të imitohet nga të tjerë.
“Vende të caktuara sigurisht kanë përfytyrime të ndryshme, se si duhet të formësojmë të ardhmen, por në përgjithësi rruga është e qartë: Më shumë bashkëpunim në politikën e mbrojtjes, mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, luftimin e terrorizmit islamist dhe bashkëpunim për gjithçka na bën të suksesshëm për sigurimin e vendeve të punës për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona”, tha Merkel për gazetën “Passuer Neuer Presse” dhe “Donaukurier”, transmeton DW.
As presidentja lituaneze,Dalia Grybauskaite nuk i trembet shpërbërjes së mëtejshme të BE-së “Ka 60 vjet që Europa, megjithë vështirësitë, me të cilat është konfrontuar, ka qenë në gjendje të gjejë kompromise e zgjidhje për t’i kaluar vështirësitë”, tha ajo për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Brexit nuk do të ketë ndikime substanciale në BE, tha ajo.
Për të mërkurën Britania e Madhe ka bërë të ditur, se do të dorëzojë kërkesën për largimin nga BE. Por Merkel nuk mendon, se kjo do të prishë festimet. “E dinim që kjo letër do të vinte, nuk luan ndonjë rol. Shtetet anëtare, që duan të shohin së bashku drejt së ardhmen, mund edhe të festojnë së bashku.”
Samit i posaçëm
Të shtunën krerët e qeverive dhe vendeve të 27 anëtarëve të BE-së takohen në Romë në një samit të posaçëm për të festuar nënshkrimin e Marrëveshjeve të Romës para 60 vjetësh, në mars 1957, marrëveshje që u bënë edhe baza e Bashkimit Europian.
Në samitin e posaçëm të shtunën në kryeqytetin italian, krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për strategjinë e Bashkimit Europian për 10 vitet e ardhshme, e njohur si “Axhenda e Romës”. Për deklaratën e Romës ka kundërshtime lidhur me politikën sociale, por edhe termin e ri të një Europe të shpejtësive të ndryshme.
Kancelarja Merke është ajo që kërkon që shtete të caktuara të ecin më shpejt me integrimin, nëse bien dakord, por ka kundërshtime. Polonia i trembet një Europe me dy klasa.
Por me gjithë kërcënimet për të bllokuar deklaratën e përbashkët të BE-së, nuk priten përplasje në Romë. Polonia ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga bllokada e saj, dhe se do të nënshkruajë deklaratën, pasi uniteti i BE-së ka rëndësi prioritare, ka thënë kryeministrja, Beata Szydlo. Edhe Greqia e mbështet deklaratën. Më parë politikanët grekë kishin kërkuar që të mos nënshkruhet deklarata, sepse kreditorët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga ky vend një liberalizim të gjerë të tregut të punës.
Sipas kancelares gjermane, puna e Bashkimit Europian në vitet e ardhshme do të përqëndrohet në dy drejtime.
“Nga njëra anë kemi negociatat e daljes së Britanisë së Madhe nga unioni, dhe nga ana tjetër përpjekjet për të aftësuar sa më shumë për të ardhmen e përbashkët 27 vendet anëtare”.