Albspirit

Media/News/Publishing

Basha kthehet nga SHBA: Mora mbështetje nga bashkëpunëtorët e Trump

Kryetari i PD-së Lulzim Basha përcolli në çadrën e protestës mesazhet e marra në Uashington. Ai tha se në takim me përfaqësuesit më të lartë të partisë Republikane, të Senatit, Kongresit amerikan dhe bashkëpunëtorëve të Trump në Shtëpinë e Bardhë mori disa mesazhe.

“Mesazhi i parë është mesazhi i përgëzimit për qytetarët shqiptarë, për këtë qëndresë të jashtëzakonshme, për këtë zgjim, për këtë kauzë të madhe, që i ndan kombet në të civilizuara dhe të pacivilizuara, në të lira dhe në të robëruara, në të forta dhe në të dobëta, në liridashëse dhe të nëpërkëmbura; kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e demokracisë, kauzën e lirisë. Përgëzimet vijnë drejtpërdrejt, jo për mua, por për gjithësecilin prej jush që ndodheni në këtë betejë epike, historike, që do të ketë vetëm një përfundim, fitoren tuaj, fitoren e Shqipërisë, fitoren e demokracisë.”

Mesazhi i dytë, tha Lulzim Basha, vjen nga bindja dhe kuptimi i ndërkombëtarëve ndaj luftës që sot, e kanë shqiptarët për të luftuar.

“Mesazhi i dytë, që ua kam premtuar bashkëbiseduesëve të mi, politikanëve më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që takova në Uashington se do ta përcjell besnikërisht këtu në këtë çadër, është; falenderimi për ju, jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, por si një armatë e vërtetë që luftoni për liri, këtu në këtë front, ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga droga, nga paratë e pisëta që nesër mund të financojnë terrorizmin, dhe e kërcënuar nga nomeklatura e ish komunistëve anti-amerikanë dhe stalinistë të Tiranës. Falenderime për ju sepse beteja për lirinë zhvillohet kudo, zhvillohet kudo ku ajo është e kërcënuar”, tha Basha.

Në përfundim Basha foli për mbështetjen jo vetëm morale dhe parimore, por mbështetjen politike të ofruar nga SHBA-të.

“Mesazhi i tretë, është mesazhi i mbështetjes totale të miqve tanë, mbështetjes politike, mbështetjes parimore dhe morale dhe po, mbështetjes së gjithanshme për Partisë Demokratike të Shqipërisë, nga ekipi fitues i Presidentit Trump, jo vetëm për këtë betejë, por edhe për zgjedhjet që do të vijnë, për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të kenë ekspertizën dhe ndihmën e ekipit fitues në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Lulzim Basha theksoi se beteja e qytetarëve ka hyrë tashmë në një fazë vendimtare ku vendosmëria dhe kurajo për kauzën do të përcaktojnë dhe të vetmin përfundim të kësaj beteje: largimin e qeverisë së krimit, ngritjen e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që do të garantojnë përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë.

Please follow and like us: