Basha nga Amerika: Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, nuk presim urdhra nga të huajt se ç’duhet të bëjmë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhje farse, duke iu referuar këtu edhe dekretimit të datës së zgjedhjeve në Kavajë. “Qëndrimi i PD dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë, PD, opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve që prej 18 shkurtit ndodhen në një lëvizje qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të lira, as nuk do të pranojnë dhe as nuk do të lejojnë zgjedhje farse, zgjedhje me krimin, drogën dhe për ketë kushti i patjetërsueshëm është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjithë forcave politike që do të krijojnë kushtet për zgjedhje të lira dhe duke zbatuar ligjin e dekriminalizimit”, është shprehur kryeopozitari Basha. Ai deklaroi se kishte një bashkëbisedim të përkryer me pjesëtarët e administratës Trump si edhe deklaroi se nuk presin zgjidhje nga të huajt. “Dua të ndaj sot lajmin e shkëlqyer për mbështetjen që kam marrë nga të gjithë bashkëbiseduesit e administratës Trump për kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për betejën e qytetarëve për të mos lejuar asnjë standard tjetër përveç standardit europian dhe euroatlantik. Nuk presim zgjidhjen nga të huajt, sepse po të prisnim zgjidhje nga të huajt nuk do të ishim në këtë ditë të 35 të një protestë të paprecedente”, ka deklaruar ai. Basha i është përgjigjur edhe kritikave për reformën në drejtësi. “PD ka votuar dhe iniciuar ndryshimet kushtetuese që të ishin në standardin amerikan dhe jo të Ramës. Dhe ne e fituam këtë betejë dhe PD jo vetëm votoi, por ishte e lumtur. Rama theu një marrëveshje të bërë me prezencën e SHBA dhe BE, që 7 ligjet kryesore të kalonin me konsensus. Amerikanët që ishin përgjegjës për ligjin për SPAK e detyruan Ramën që të mbante fjalën dhe u kalua me konsensusin tonë. 6 ligjet janë jashtë standardit, prandaj reforma zhbllokohet përmes paktit për qeverisje teknike”, ka deklaruar Basha.