Albspirit

Media/News/Publishing

Gruevski dhe Ivanov do të përpiqen, por nuk mund ta ndalin formimin e Qeverisë

Formimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, emërimi në krye të saj nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski dhe kandidimi për kryetar të Kuvendit nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi, sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike paraqet kompromis i grupeve parlamentare dhe pavarësisht asaj se edhe më tej Gjorge Ivanov nuk vendos që të mandatojë Zora Zaevin, sërish formimi i Qeverisë do të arrihet. Kështu vlerësojnë profesorët universitar Sefer Tahiri dhe Besa Arifi.

“Vlerësoj se zgjedhja e kryetarit të Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së është një kompromis i bërë ndërmjet grupeve parlamentare në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit. Tani më nuk ka asnjë pengesë juridike që të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Maqedonisë në të cilin do të thirret kryetari i Kuvendit ku do te zgjidhen trupat punues të komisioneve tjera parlamentare të Kuvendit, gjë që do ta bënte funksional dhe do ta vente në lëvizje këtë institucion shtetformues”, vlerëson Tahiri.

Por në këtë rrjedhë të zhvillimeve politike, Tahiri e thekson edhe mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili pas kthimit të funksionit të Kuvendit, do ta shqyrtojë edhe një herë mundësinë e mandatimit të kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaevin.

Por ai gjithashtu theksoi se edhe nëse Gjorge Ivanov nuk ndryshon qëndrim, sërish Qeveria do të formohet vetvetiu.

“Zgjedhja e kryetarit të Komisionit dhe më pas e kryetarit të Kuvendit me shumë gjasë do të ndikojë edhe te kryetari Ivanov që në njëfarë mënyre të mendojë edhe njëherë se vallë a duhet t’i jepet mandati për formim të Qeverisë kreut të LSDM-së i cili tashmë ka siguruar mbështetjen për të. Por edhe nëse Ivanov nuk ndryshon qëndrim, kjo mënyrë e zhvillimit politik do të mundësojë formim të vetvetishëm të Qeverisë”, u shpreh Sefer Tahiri.

Profesoresha universitare, Besa Arifi, shprehet më pesimiste në tërë këtë raport politik, ngaqë siç shprehet ajo, “VMRO-DPMNE-ja me çdo kush do të mundohet të bllokojë procesin e trasferimit të qetë të pushtetit pasi që është e vetëdijshme që kjo do të thotë edhe bartje e përgjegjësisë penale për krimet që hetohen nga Porkuroria Speciale Publike”. /Portalb.mk.

Please follow and like us: