Kësaj beteje, që i kemi dhënë zemrat dhe shpatullat tona, do ta fitojmë!
Lulzim Basha
E di se jo vetëm protestuesit e pranishëm sot, por cdokush po pret lajme nga zemra e demokracisë, nga Uashingtoni, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam kaluar pak më shumë se 48 orë në zemrën e demokracisë dhe lirisë, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe më duket sikur jam shkëputur për një kohë të gjatë nga ju dhe nga ky shesh i lirisë, ndaj nga zemra dua t’u përgëzoj dhe t’u them edhe unë me mall: mirësejugjej në këtë shesh të lirisë dhe të fitores!
Sesioni i sotëm që kemi zgjedhur, do të analizojë një nga mesazhet më të rëndësishme të administratës amerikane, raportin e Departamentit të Shtetit.
Por, para se ta bëjmë këtë, në praninë e qytetarëve, të rinjve dhe të rejave, të pedagogëve që shikoj këtu, më lejoni t’u sjell tre mesazhe kryesore. Mesazhet kryesore, të një vizite, të një pritje të jashtëzakonshme që më është ofruar jo thjesht si Lulzim Basha, jo thjesht si drejtuesi i opozitës, por në radhë të parë, si ushtar i kësaj kauze të madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nga takimi im i parë, mbrëmjen e së martës deri tek takimi i fundit, pasdrekën e së premtes, me përfaqësuesit më të lartë të Partisë Republikane, të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kongresit Amerikan dhe po, të bashkëpunëtorëve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, mesazhi i parë është mesazhi i përgëzimit për qytetarët shqiptarë, për këtë qëndresë të jashtëzakonshme, për këtë zgjim, për këtë kauzë të madhe, që i ndan kombet në të civilizuara dhe të pacivilizuara, në të lira dhe në të robëruara, në të forta dhe në të dobëta, në liridashëse dhe të nëpërkëmbura: kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e demokracisë, kauzën e lirisë.
Përgëzimet vijnë drejtpërdrejt, jo për mua, por për gjithësecilin prej jush që jeni në këtë betejë epike, historike, që do të ketë vetëm një përfundim, fitoren tuaj, fitoren e Shqipërisë, fitoren e demokracisë.
Mesazhi i dytë, i sinqertë, që buron drejtpërdrejt, jo nga kalkulimet politike të aleatëve tanë strategjikë, por nga bindja e tyre më e thellë, e këtij brezi drejtuesish dhe politikanësh në Kongres, në Senat, në Shtëpinë e Bardhë dhe dhjetra brezave para tyre, që e dinë fare mirë kuptimin e kësaj lufte në historinë e tyre, pra mesazhi i dytë, që ua kam premtuar bashkëbiseduesëve të mi, politikanëve më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që takova në Uashington se do ta përcjell besnikërisht këtu në këtë çadër, është: falenderimi për ju!
Jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, por si një armatë e vërtetë që luftoni për liri këtu në këtë front, ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga droga, nga paratë e pista që nesër mund të financojnë terrorizmin, dhe e kërcënuar nga nomenklatura e ish komunistëve anti-amerikanë dhe stalinistë të Tiranës. Falenderime për ju sepse beteja për lirinë zhvillohet kudo, zhvillohet kudo ku ajo është e kërcënuar. Dhe këtu kjo betejë luftohet jo vetëm për lirinë e Shqipërisë po për lirinë e çdo kombi të nëpërkëmbur, të dhunuar, të robëruar, të cilit i kërcënohet e drejta e votës, e drejta e lirisë së mendimit, e drejta e lirisë së shprehjes. Prandaj, mesazhi i dytë që ju sjell nga Uashingtoni, janë falenderimet e Amerikës mike dhe aleate për qëndresën tuaj, për betejën tuaj.
Mesazhi i tretë, është mesazhi i mbështetjes totale të miqve tanë! Mbështetjes politike, mbështetjes parimore dhe morale dhe po, mbështetjes së gjithanshme për Partinë Demokratike të Shqipërisë, nga ekipi fitues i Presidentit Trump, jo vetëm për këtë betejë, por edhe për zgjedhjet që do të vijnë, për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të kenë ekspertizën dhe ndihmën e ekipit fitues në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Beteja jonë ka hyrë në një fazë vendimtare. Në fazën kur vendosmëria, kurajo dhe besimi në kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të përcaktojnë të vetmin përfundim të kësaj beteje. Ka një, dhe vetëm një përfundim. Largimin e Edi Ramës, një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me forcën tuaj, me bekimin e Zotit dhe me ndihmën e miqve tanë amerikanë, ne patjetër do t’ia dalim. Kam ardhur me zemrën plot, me besim në fitoren e jashtëzakonshme të kauzës sonë, në Uashington, në Bruksel dhe anembanë botës së lirë dhe demokratike, dhe dua ta ndaj me ju, bashkëluftëtarët e kësaj beteje, besimin tonë total se kësaj beteje, që i kemi dhënë zemrat tona, shpatullat tona, prej ditës së parë, do t’i dalim në krye, do ta fitojmë për Shqipërinë, do ta fitojmë për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.