Misteret Koçi Xoxes: A ishte vërtetë agjent i jugosllavëve, shefi i parë i Sigurimit të Shtetit shqiptar?
Cilat janë të fshehtat e ish-ministrit të Brendshëm që u dënua si bashkëpunëtor i jugosllavëve?
Në rubrikën “Sekretet e njerëzve të vdekur” do të jetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, i cili u dënua nga Enver Hoxha duke u akuzuar si bashkëpunëtor i jugosllavëve. Katër vjet pas çlirimit të vendit, Koçi Xoxe që deri në atë kohë ndodhej në majën e pushtetit u shpall tradhtar i vendit. Pikërisht më 28 nëntor të vitit 1948 ai arrestohet dhe disa muaj më pas në maj të vitit 1949, ai pushkatohet nga regjimi asaj kohe. Eshtrat e njeriut që ishte numri dy në hierarkinë e pushtetit pas Enver Hoxhës ende nuk janë gjetur edhe sot. Të shumta janë dyshimet pse u mor një vendim kaq i rëndë nga ana e diktatorit Hoxha për njeriun e tij më të besueshëm, që përveçse kishin qenë të afërt gjatë Luftës, ata i sollën marrëdhëniet drejt një konsolidimi sidomos me vendosjen e Pushtetit Popullor deri në vitin 1948, ku Koçi arrestohet.
Pse Enver Hoxha e dërgoi Koçi Xoxen në Greqi, cili ishte gjenerali që ai takoi dhe për çfarë diskutuan?
Ka qenë nëntori i vitit 1943, kur Enver Hoxha thërret Koçi Xoxen dhe e ngarkon me detyrë që të shkonte në Greqi për të takuar gjeneralin grek Sarafis, që ishte komandant i forcave të armatosura të EAM-it. Koçi mori me vete dhe Nesti Kerenxhin dhe shkuan e takuan gjeneralin grek që ishte i vendosur me trupat e tij në zonën e Kozhanit. Me nisjen e tij nga Shqipëria askush nuk mori vesh se cili ishte qëllimi i kësaj vizite. Në atë kohë u aludua për një ardhje të gjeneralit grek në forcat shqiptare, duke luftuar së bashku me partizanët shqiptarë. Por ky variant u hodh poshtë duke parë reputacionin dhe famën e gjeneralit grek Sarafis, i cili nuk mund të dezertonte nga forcat e vendit të tij. Nga dokumentet arkivore por dhe nga dëshmitarë të asaj periudhe është hedhur dritë mbi këtë takim, sikur gjatë takimit Koçi Xoxe i ka kërkuar gatishmërinë dhe miratimin e Enver Hoxhës për krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik, gjë të cilën Enver Hoxhës ia kishte kërkuar Tito me anë të të dërguarve të tij në Shqipëri. Gjenerali grek Sarafis, në mënyrë kategorike nuk e pranoi një propozim të tillë, duke i thënë Koçi Xoxes që është krejt i pavend krijimi i një shtabi të tillë. Kështu, Koçi Xoxe kthehet tek Enveri me mos miratimin nga ana e grekut të këtij projekt-plani i aleancës Tiranë-Beograd. Pas këtij dështimi, Enver Hoxha e hedh poshtë që të ketë bërë një propozim të tillë duke thënë që Koçi Xoxen e kishte dërguar në Greqi për një mision tjetër që nuk kishte të bënte me takimin me gjeneralin grek Sarafis. Më pas me urdhër të Shtabit Përgjithshëm, Koçi u caktua të shkonte në qarkun e Korçës në zonën e Gorë-Oparit. Ai punoi në atë zonë deri në mbarimin e Luftës, ku dha një kontribut të madh në organizimin e Lëvizjes Antifashiste me brigadat partizane. Koçi gjithashtu mori pjesë në Kongresin e Përmetit, ku ju dha grada gjeneral-leitenant, që ishte e dyta pas Enver Hoxhës që u gradua gjeneral-kolonel dhe gjithashtu u emërua në funksionin e zëvendëskryeministrit të qeverisë së përkohshme që doli nga ai Kongres, duke qenë direkt zëvendësi i parë i Enverit në të gjitha funksionet e tij.
A qëndrojnë akuzat e rënda që u thurën kundër Koçi Xoxes për afro 40 vjet nga propaganda e pushtetit komunist dhe personalisht të Enver Hoxhës, i cili e akuzonte ndihmësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij si njeriun më të errët në historinë e Shqipërisë dhe agjent të jugosllavëve që kishte mbështetjen e Titos? Pse u pendua Bedri Spahiu, prokurori i Gjyqit Special të bërë ndaj Koçi Xoxes?
Një mister të tillë më mirë se prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, nuk mund ta zbardhë askush tjetër. Dënimi për Koçi Xoxen ishte kapital dhe tepër i rëndë. Me daljen nga burgu pas viteve ’90, Bedriu u shpreh se ishte penduar që kishte dënuar një figurë siç ishte Koçi Xoxe. Spahiu ishte prokuror i tij dhe kërkoi dënimin e rëndë. Ndërsa më vonë, ish-prokurori i Përgjithshëm, Spahiu, u vu vetë në bankën e të akuzuarve. Ashtu sikurse e deklaron vetë, ai u detyrua që të deklaronte se Koçi Xoxe ishte fajtor. Duhet thënë që pendimi i Bedri Spahiut bëhet më i besueshëm kur kujton që këta të dy kishin marrëdhënie jo fort të ngrohta. Me vdekjen e tij, Koçi xoxe mori dhe shumë mistere. Ishte apo jo agjent i jugosllaveve? Kishte plane për rrëzimin e Enver Hoxhës, donte apo një rilidhje me shtetin fqinj, këto e të tjera mistere mbulohen me trupin tij. Gjatë gjithë periudhës që Enver Hoxha ishte gjallë, deri në vitin 1985 propagandoi me të madhe që Koçi Xoxe e kishte tradhtuar atë vetë por edhe atdheun, duke punuar për armiqtë më të mëdhenj siç i cilësonte Enver Hoxha, jugosllavët. A ishte Koçi Xoxe agjent i jugosllaveve, pse e dënoi Enveri me një motivacion të tillë absurd po t’u referohesh rrethanave të kohës? Në kohën e Luftës, Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira me shtetin jugosllav. Kjo erdhi për një sërë arsyesh, por sidomos për faktin që kishin një qëllim të përbashkët atë të luftimit të armikut nazi-fashit, i cili kishte marrë me dhunë territorin e dy vendeve, por edhe bashkimi drejt një ideali siç ishte komunizmi. Me mbarimin e Luftës edhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve filluan të ftoheshin. Kështu, në vitin 1948 vjen dhe divorci i një marrëdhënieje disavjeçare. Por këtë zhvillim do të vinin dhe viktimat e para pas saj. Kështu Koçi Xoxe, i cili kishte qenë në marrëdhënie mjaft të mira me jugosllavët, u etiketua nga Enver Hoxha dhe klika e tij drejtuese si një agjent me rrezikshmëri të lartë dhe një devijant i asaj që quhej “vija e Partisë”. Goditjen më të madhe ndaj ushtarakëve të lartë, Enver Hoxha e filloi në prag të Kongresit të Parë të PKSH-së. Asokohe dhe më pas gjatë vitit 1949, Enver Hoxha goditi bashkëpunëtorin e tij më të afërt gjeneral-leitenant, Koçi Xoxen.
A është përgjegjës Koçi Xoxe për terrorin e egër komunist që ndodhi gjatë viteve 1945-1948, kur ai ishte në postin e ministrit të Brendshëm, ku u eliminuan apo u zhdukën fizikisht një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Hoxhës, pa përmendur këtu kundërshtarët e krahut tjetër politik, apo Xoxe ka qenë thjesht një zbatues i bindur i shefit të tij në të gjithë ato krime?
Pasi Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore, e cila zgjati disa vjet kundër pushtuesve nazi-fashistë u radhit në vendet fituese të kësaj lufte që i kushtoi shtrenjtë si në aspektin e forcave njerëzore ashtu dhe në ato materiale. Në fillim të vitit 1945, me vendosjen e Pushtetit Popullor në postet kyçe të drejtimit të vendit u vendosën pikërisht ata që kishin luftuar gjatë Luftës. Njëri prej tyre ishte dhe Koçi Xoxe, i cili u vendos në krye të grupit të Gjyqit Special që do të gjykonin të gjithë ata që ishin kundërshtarë të pushtetit, por do të gjykonte dhe njerëz brenda vetit. Të gjithë ata që u cilësuan kriminelë të Luftës në vitet 1945-1948 u gjykuan nga Koçi Xoxe. Si kryetar i këtij grupi Special, Xoxe ishte mbikëqyrës e gjithë seancave gjyqësore ku bashkë me prokurorin e Përgjithshëm, Bedri Spahiu, dhanë dënime me të vërtet të rënda për shumë persona. Nga shumë dëshmitarë të asaj kohe dënimet që jepeshin nga ky grup ishin të gjitha të paramenduara. Kështu edhe pse marrja e vendimit ishte nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, përsëri ishin porositë e Enver Hoxhës ato që i vinin vulën përfundimisht. Pra, Koçi Xoxe apo dhe Bedri Spahiu ishin si të thuash vegla të një regjimi të egër që po instalohej në Shqipëri me në krye Enver Hoxhën. Pas përfundimit të këtyre gjyqeve tepër delikate për personat që dënoheshin, Koçi Xoxe u konsolidua si njeriu më i besuar i Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij me një pushtet politik absolut. Kështu ai përveç postit të zëvendëskryeministrit u emërua dhe ministër i Brendshëm, dhe gjithashtu ishte dhe në funksionin e Sekretarit Organizativ të PKSH-së, duke qenë numri dy pas Enver Hoxhës që ishte Sekretar i Përgjithshëm. Në mënyrë definitive mund të thuash se duke parë raportet midis Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës nuk mund të aludosh për veprime të Koçit pa miratimin e Enverit. Këto ngelen në kuadrin e misterit, pse prishja e marrëdhënieve me jugosllavët pati këtë efekt edhe te marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Koçi Xoxen.
A kishte ndonjë plan për eliminim e klerikëve nga ana e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës? Çfarë tha Koçi në praninë edhe të Bedri Spahiut në shtëpinë e Enver Hoxhës, ku thureshin plane dhe intriga për kundërshtarët?
Në sistemin një partiak shumë vendime merreshin edhe nga biseda direkte midis udhëheqësve. Menjëherë pas Luftës, dy nga njerëzit më të rëndësishëm ishin Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Një rast të tillë e ka sjellë Bedri Spahiu në kujtimet e tij. Ai thotë se Enveri dhe Koçi hartuan një plan për të zhdukur klerikët që ndodheshin në Shqipëri me metoda të fshehta duke krijuar skenarë që të sillnin enigmatizimin e zhdukjes së tyre. Në një bisedë të bërë midis Koçi Xoxes dhe Enver Hoxës pa praninë e të tretëve, në vitin 1946 aludohet nga Bedri Spahiu se ata të dy po krijonin skemën e zhdukjes së njerëzve të fesë. Bedri Spahiu në kujtime e tij thotë se “Një ditë shkova te shtëpia e Enver Hoxhës, aty ishte dhe Koçi Xoxe. Ata po bisedonin kur u ula. Koçi tha si vazhdim i bisedës së lënë përgjysmë, a, më saktë, si ndërrim teme: “Të poshtër e të rrezikshëm janë këta priftërinjtë që shkojnë e të vënë armë në altarin e kishës…”. Enveri i përgjigjet: “Ata bëjnë punën e tyre, derisa ne na mungon vigjilenca dhe i mbyllim sytë para tyre”. Jo, jo ia ktheu Koçi, nuk u ka munguar vigjilenca e organeve të Sigurimit, përkundrazi kanë qenë ata që e kanë zbuluar këtë krim të shëmtuar”. Nga ky bisedim i Koçit me Enverin del qartë sipas Bedri Spahiut, se “ata donin të më mbushnin mendjen jo për ekzistencën e një fakti, por për të më bindur në vërtetësinë e një trillimi”.
Fakte mbi gjyqin
-1948, në Plenumin e KQ-së të PPSH-së hidhen akuzat e para ndaj Koçi Xoxes, ku shpallet armik i popullit nga Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të asaj kohe.
-11 qershor të vitit 1948 bëhet gjyqi për Koçi Xoxen, ku ai shpallet fajtor. Gjyqin e drejtonte Bedri Spahiu, i cili kishte qenë së bashku Koçin në grupin e Gjyqit Special ku kishin dënuar shumë figura të asaj kohe. Gjyqi u bë pa praninë e Koçit dhe pas këtij gjyqi ai arrestohet.
-28 nëntor 1948 arrestohet Koçi Xoxe si armik i popullit dhe agjent i huaj, dhe burgoset në burgun e ri të Tiranës, ku mbahej nën masa të rrepta sigurie.
-Fillim maji i 1949-s, shpallet fajtor për të gjitha akuzat dhe nga gjykata i jepet dënimi kapital, ai me vdekje. Deri më sot akuzat më të rënda janë ato të bashkëpunimit me jugosllavët si shkelja e parimeve të Partisë duke u bërë pjesë e agjenturave të huaja.
-Maj 1949, në moshën 38-vjeçare pushkatohet sipas vendimit të marrë më parë nga Gjykata e Lartë edhe sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e Koçi Xoxes.
Jetëshkrimi
Emri: Koçi
Mbiemri: Xoxe
Vitlindja: 1911
Vendlindja: Follorinë Greqi
Shkollimi: Në vitin 1929 ka mbaruar dhe është diplomuar shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut
Aktiviteti
Themelues dhe kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.
Pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të saj që nga krijimi.
Në vitin 1941 dhe 1942 burgoset si antifashist nga italianët.
Nga 10 korriku i vitit 1942, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Në 24 maj 1944 gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit.
Në shkurtin e vitit 1945 emërohet kryetar i Gjykatës së Lartë.
Në vitin 1945, nënkryeministër dhe ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht shef i Sigurimit të Shtetit.
Në vitin 1945 merr pjesë në legjislaturën e parë si deputet i Kuvendit Popullor.
Në vitin 1945 bëhet Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së.
Në vitin 1948, ministër i Industrisë dhe Minierave.
Dekorata
I dekoruar “Hero i Popullit” dhe me medaljet më të larta në Shqipëri.
I dekoruar dhe me shumë medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.
Në 28 nëntor 1948, arrestohet.
Në maj të vitit 1949 dënohet me vdekje dhe pushkatohet.
Gjuhët e huaja që njihte: latinisht, greqisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, serbokroatisht dhe frëngjisht
38 vjeç ishte kur u pushkatua. Ai ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë.
Akoma dhe sot nuk i dihet ku ndodhet varri i tij.