A mund ta kontrollojmë lajmin e rremë?
“Është koha që lajmi i rremë të luftohet duke edukuar lexuesit se si të përpunojnë në mënyrë kritike informacionin e marrë, në vend që të kërkojnë lajme që konfirmojnë bindjet e tyre”.
Në përgjigje të valës së lajmeve të rreme që përmbytën fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, shumë vëmendje i është përkushtuar atyre që prodhuan apo shpërndanë ato histori. Supozimi është se nëse mediat do të raportonin vetëm “faktet”, lexuesit dhe shikuesit do të arrinin gjithnjë konkluzionin e duhur të një historie.
Por kjo qasje adreson vetëm gjysmën e ekuacionit. Po, na duhen organizata lajmesh që të japin informacion të besueshëm; por duhet gjithashtu që ata që e marrin të jenë konsumues të zgjuar.
Për dekada, qeveria amerikane ka mbështetur programe për të nxitur media të pavarur në vendet autoritare, pa burime apo jo funksionale. Por këto programe prezumojnë në heshtje se SHBA-ja në vetvete është imune ndaj problemeve që hasin njerëzit në vende të tjera, kur ata krijojnë apo konsumojnë informacion. Ne në SHBA supozojmë se media amerikane, e ushqyer nga reklamat, do të vazhdojë të lulëzojë; se gazetaria e pavarur është norma dhe se shumica e njerëzve janë të aftë të mendojnë në mënyrë kritike dhe të bëjnë gjykime kritike ndaj informacionit që marrin.
Në fakt, disa nga leksionet që kemi mësuar ndërsa mbështesnim mbledhjen dhe ofrimin e informacionit të vërtetë jashtë vendit janë po aq të rëndësishme edhe për SHBA-në. Në zgjedhjet e 2016, bindjet personale që nxitën vendimet e miliona votuesve nuk ishin bazuar vetëm te eksperienca personale dhe te informacioni që ata kishin marrë, por edhe nga mënyra se si ata i përpunojnë ato eksperienca dhe atë informacion. Marrëdhëniet e votuesve me ata që prodhonin informacionin, motivet e tyre për të besuar apo mosbesuar faktet dhe aftësitë e tyre të mendimit kritik që të gjitha përcaktuan se si do të interpretonin apo vepronin ata mbi informacionin e marrë.
Në zgjedhje, shumica e ekspertëve të zakonshëm nuk duket se i “kuptuan” bindjet apo pikëpamjet e miliona amerikanëve, ndaj nuk është çudi që ata miliona amerikanë u mënjanuan nga diskutimet e ekspertëve. Për këta votues, ekspertët ishin thjesht të lidhur me informacionin, jo me çështjet që kanë rëndësi. Burra dhe gra që flasin përpara kamerave të televizorit të cilët janë shumë të distancuar nga fabrikat, zyrat, lokalet, kishat, shkollat dhe spitalet ku shikuesit formojnë marrëdhënie që përcaktojnë mënyrën si ata përpunojnë informacionin. I ashtuquajturi revolucion dixhital nuk kap rëndësinë e madhe të lidhjes njerëzore në formësimin e interpretimit të njerëzve dhe përgjigjes ndaj informacionit që ata marrin.
Marrëdhëniet ndërtohen mbi besimin, që është thelbësor për t’u siguruar që konsumatorët të pranojnë informacionin që sfidon besimet e tyre të forta. Por sipas Gallup, vetëm 32% e amerikanëve kanë “një besim të madh” ose “sasi të konsiderueshme besimi” te mediat tradicionale – një shifër e ulët historike. Kjo është shumë problematike dhe sugjeron se shumë qytetarë po e shkëmbejnë marrjen e informacionit të mirë, me atë të keq.
Ashtu sikurse me çdo mall tjetër, mënyra se si konsumohet informacioni reflekton mundësitë ekonomike dhe politike, stimujt personal dhe normat institucionale apo kulturore. Punëtorët në Ohaio rrogat e të cilëve kanë mbetur në vend apo votuesit e papunë në Miçigan punët e të cilëve kanë migruar jashtë vendit, do të konsumojnë informacion në një mënyrë që reflekton situatën e tyre ekonomike. Nuk është çudi, që ata shpesh zgjedhin burime – të besueshme ose jo – që janë kritike ndaj globalizimit dhe politikave aktuale fiskale dhe ekonomike.
Një sasi e mirë informacioni të besueshëm nuk mjafton për të bërë zgjedhje të mira; konsumatorët e lajmeve duhet të kenë aftësi të mendimit kritik. Informacioni është më shumë sesa ushqimi që hamë: ne duhet të kuptojmë të gjithë përbërësit dhe vendin dhe mënyrën si është prodhuar, si dhe efektet e mbikonsumimit.
Me gjasa do të duhen dekada për të rindërtuar marrëdhënie të besueshme mes konsumatorëve dhe medias tradicionale. Konsumatorët e informacionit do të kenë gjithnjë arsye subjektive për të zgjedhur një informacion përpara një tjetri. Megjithatë, mund të përmirësojmë aftësitë e mendimit kritik që qytetarët të dinë si të zgjedhin burime të besueshme dhe t’i rezistojnë paragjykimeve të tyre.
Kultivimi i mendimit kritik kërkon kohë dhe praktikë, ndaj është më e rëndësishme se kurrë që të investohet në arsimim. Disa nga modelet që janë përdorur jashtë mund të funksionojnë edhe në SHBA gjithashtu. Për shembull, në Ukrainë një iniciativë e fundit e mbajtur nga IREX mobilizoi librarët në përpjekje për të neutralizuar pasojat e dëmshme të propagandës të financuar nga Kremlini. Pesëmbëdhjetë mijë ukrainas u mësuan si të shmangin manipulimin emocional, të verifikojnë burimet dhe kredencialet, të dallojnë informacionin e paguar dhe gjuhën e urrejtjes dhe të kuptojnë videot dhe fotot false.
Rezultatet ishin impresionuese: pjesëmarrësit përmirësuan aftësinë për të dalluar lajmet e besueshme nga lajmet e rreme me 24 për qind. Dhe për ta çuar më tej, ata më pas stërvitën qindra njerëz të tjerë për të dalluar dizinformimin, duke shumëfishuar kështu impaktin e përgjithshëm të iniciativës.
Me një investim më modest, ne mund ta bëjmë mësimin e këtyre aftësive një praktikë standarde në programin shkollor. Filantropët gjithashtu mund të krijojnë ose mbështesin organizatat që punojnë me qytetarët për të forcuar aftësinë e tyre të konsumit të informacionit në mënyrë kritike.
Informacioni i saktë dhe aftësitë e mendimit kritik janë të domosdoshme për demokracinë. Ne nuk mund t’i marrim ato për të mirëqena, edhe në Amerikë. Kështu fiton lajmi i rremë.