Ne katundarët e Europës
Mira Kazhani
Të gjithë në këtë vend e kanë një histori me Europën. Nuk ka shqiptarë që nuk ka një fabul, një histori a historizë, dikush të dhimbshme, dikush të mrekullueshme, herë si shpresë dhe herë si shpëtim, ndonjëherë për fat të keq edhe si ofendim.
Dikush ka marrë anijet, të tjerë kanë ngjitur malet me bukën me vete, disa kanë blerë pasaporta dhe dokumente false, disa kanë zgjedhur edhe një martesë të tillë vetëm për të jetuar në kontinentin romantik; me katedrale, djathë të mirë, pica, rrugë të pastra, një punë të sigurt, shkollim të denjë, të ardhme pa frikën se nesër nuk dihet si gdhihesh. Nëse sot çdo shqiptar do ulej të shkruante historinë e vet me Europën do ja dilte më mirë sesa një shkrimtar. Jam e bindur!
Unë nuk kam një histori të madhe me Europën. Ndoshta mund të jetë për të qeshur historiza ime, por aty zë fill Europa në versionin tim personal.
“Kam qenë vajzë e vogël kur nisi pluralizmi dhe në shtëpi prej satelitit që vendosi vëllai (modeli Sharp i famshëm në çdo pallat të vendit) shihnim MTV, stacionet italiane, filma tek të cilët u prezantova me Parisin, Romën etj. qytete me të cilët mbyllja sytë dhe ëndërroja.
Kur vinin pushimet e verës prindërit na çonin gjithmonë tek shtëpia e gjyshit në fshat. Nuk është se më pëlqente shumë, se doja të lozja para pallatit me shoqet por nuk kisha asnjë zgjidhje tjetër. Do shkoje dhe pikë!
Këtë fat ndanin edhe kushërinjtë e mi, për të cilët motra e vogël më kujton se njëherë ju paskam hedhur sirën.
I kam telefonuar të gjithë në telefonat e shtëpisë duke ju kërkuar të merrnin me vete sende nga shtëpia, rrobat e banjës, ora muri, fustanet dhe kostumet e mirë, dhe gjatë rrugës i paskam këshilluar që mos të mërziten dhe që në vend të fshatit të gjyshit (që ishte pak i sertë dhe nuk na linte të hipnim nëpër pemë) të imagjinonin sikur ishin në Paris ose Romë. Lumin e fshatit do ta trajtonim si ato pishinat që kishim parë në filmat falë “Sharpit” tek dritarja.
“Përfytyroni se jemi jashtë shtetit,-ju paskam thënë atyre dhe ata të gjithë kishin shkundur shtëpitë duke marrë me vete ç’të mundnin për t’ju përgjigjur thirrjes time europiane.
Shumica e kushërinjve të mi jetojnë prej më shumë se dy dekadash në Europë, disa në Angli, në Itali dhe Greqi. Ndër të paktët që mbeti këtu, isha unë; organizatorja e ëndrrave me Europë brenda.
Në legjendën e vet personale të gjithë ne kërkojmë t’i japim kuptim jetës dhe me shpirt duam të zgjohemi në mëngjes në vendin ku kemi qenë në ëndërr gjatë natës, po që në përgjithësi zgjohemi në krevatin tonë! E nisim që fëmijë me fantazi dhe më pas biem në realitet. Aty tregojmë çfarë jemi në të vërtetë.
Sot kemi udhëtuar në pjesën dërrmuese të gjithë të paktën një herë në Europë. Rrjetet sociale e kanë bërë lehtësisht të verifikueshme sesa shumë ne e çmojmë Europën.
Nuk ka asnjë adresë në rrjetet sociale që mos të gjesh një foto para një Katedraleje, para një muzeu, duke ngrënë një picë, para dyqaneve të markave në Milano, Romë, Paris, Firence, Berlin, Bruksel, Monte Carlo e kështu më radhë.
Dikush para një makine, dikush para një jahti, një tek Kulla e Pizës e një tjetër tek e bukura Eifel. Do thoni ju, po këtë bëjnë të gjithë në rrjetet sociale.
Edhe Kim Kardashian, edhe Belen Rodriguez, edhe Barack Obama po deshe ti, edhe çdo anonim i kësaj bote poston foto dhe kjo është normale. Unë e bëj sa herë udhëtoj me shumë dashuri biles. Por nuk fle lepuri këtu!
Çështja është se në dashurinë për Europën, ballkanasit në përgjithësi dhe shqiptarët meqë brenda këtij realiteti jetojmë kemi imituar Europën e filmave, modën, muzikën, dhe ushqimin. Në Tiranë mund të gjesh një çantë “Chanel” për 30 mijë lekë të vjetra, të veshësh një bluzë “Armani” dhe një rrip Dolceand & Gabbana dhe të jesh konviktor; që në vende të Europës të vjedhin kuletën se të marrin për fëmijë miliarderi.
Në Tiranë mund të gjesh pjatat italiane, franceze, spanjolle dhe të lëpish gishtat. Në Tiranë duan të gjitha vajzat të jenë si Chiara Ferragni, ose të paktën të kenë fatin e Arminës.
Pak nga rrjetet sociale dhe pak nxitimi me të cilën duam të kapim majën ka bërë që të dukemi imitues të keq të Europës.
Djemtë në zonën e Ish-Bllokut nuk i dallon më. Janë të gjithë të veshur në një stil, me ca bluza me temina, pistoleta, më tregojnë se është një stilist “Philip Lein” (një gjerman që ka prodhuar veshje për yjet e HIP-HOP-it).
Flokët i kanë prerë të gjithë njësoj ngaqë është moda. Në klubet e natës po nuk porosite shampanjë “Rose” (mundësisht) nuk je mirë nga lekët. Porosia është status, jo shije.
Syri të kap rrallë ndonjë përqafim, përkëdhelje. Janë si të mpirë nga vaniteti dhe nevoja për tu dukur i veshur bukur, që jeton mirë, që do shkosh të bësh shooping, dhe me humor një mikeshë më thoshte një ditë se në takime vijnë me vonesë, djemtë tani në Tiranë.
Provoni të vëzhgoni “Bllokun” janë sikur ju ke bërë të gjithëve një vaksinë. Një sjellje, i njëjti defiçit njerëzor! Biseda po shkon drejt zhdukjes dhe të gjithë kanë ëndrra, shumë pak syresh plane, projekte.
Të paktën në vështrim të parë se dorën mbi zjarr nuk e vë. Por bëni një studim dhe me siguri do mësojmë më shumë. Të gjitha këto nuk çojnë në konkluzione anti-europiane, se ëndrra europianë na është ngjitur në kokë si reklama e coca-colës. E duam dhe pikë! Po si e duam? E duam me imitime, kopje të shëmtuara, pa shembuj dhe modele suksesi. Dua të tregoj vetëm një shembull të vogël…
Kur isha në Bruksel para 3 vitesh, në një udhëtim pune, përfitova nga rasti që në një paradite të lirë t’i telefonoja shoqes së gjimnazit dhe fillores e cila jeton atje. Për herë të parë me Lorenën provova akulloret e markës Haagen- Dazs që si të thuash Mc Donald, akulloret më të mira në Europë.
Në fakt nuk bëj pjesë tek njerëzit me neps dhe që rendin pas ushqimit, as pas muzeve meqë ra fjala. Kur udhëtoj më intrigojnë kulturat e vendeve. Më pëlqen të shoh si vishen njerëzit, çfarë blejnë në supermarket, si hanë në lokal, pse rrinë aq vetëm dhe nuk mërziten.
Shoh gjithmonë rrugicat, shtëpitë për të mos thënë që në fillimet e mia kisha merak se edhe ku i ndenin rrobat. Tek akullorja e famshme që më çoi shoqja vëmendjen më mori një vajzë e gjatë, e bukur si top modele. Ajo na shërbeu me një indiferencë të edukuar dhe u largua sikur se dinte që ishte një copë ylli që shërbente akullore.
I tregova Lorenës (shoqes sime) se të ishte në Tiranë një vajzë kaq e bukur, e sigurt që mami do e çonte që 15 vjeç ta bënte velinë, star, prezantuese; ose mund të mos bënte këtë por po të dilte në zonën e ish-Bllokut maksimumi do zinte të dashur djalin e bukur e të famshëm të një pronari mediash që bredh me makinë si avion nëpër qytet.
Ka ambicie në Shqipëri i thashë. “Nuk e lënë këtë bukuri të shkojë kot. Sepse atje në Europën e kemi imituar në bazë të serilave dhe filmave. Madje kemi klubet e natës më të mira se ç’i keni ju. Qyteti është në verë si një videoklip i Beyonce ose Ricky Martin. Ku ka vajza të bukura që të shërbejnë akullore?!”
Nuk më la mola e gazetarisë dhe para se të largohesha e pyeta vajzën e akulloreve se çfarë bënte në jetë veç punës si kamariere. Më tregoi se ishte në doktoraturë për Shkenca Politike dhe punonte vetëm 4 orë gjatë drekës.
Kështu pra, ne mezi-europianët jemi ende larg Europës që shtirim. Atë mundemi ta absorbojmë vetëm kur t’i kthehemi fuqisë së edukimit, institucioneve, ligjeve, edukatës dhe të qenit i përunjur. Me këmbë në tokë. Mund të duash të behësh edhe Velinë, se nuk kam asgjë kundër për këdo që do pretendojë fyerje për këtë profesion, bie fjala.
Çështja është tek qasja që ne kemi, tek Europa që kaq shumë e kemi keqkuptuar dhe ajo është e mirë, shumë më e mirë sesa djathi që prodhon, sesa jahtet dhe makinat në Monte Carlo, sesa veshjet firmato. Asgjë nga këto nuk ka vlerë pavarësisht çmimit. Mund të parkosh një avion, një jaht, dhe mund të jesh një derr katundari që nuk provon shijen e bukur të lirisë, të të drejtave, dhe të një mëngjesi secili në punë të vet./Tiranapost.al/