Rama drejt Surrelit…
Kishte kohë që Rama ishte në dilemë, mes fundit te tmerrshëm dhe tmerrit pa fund. Mes përplasjes me qytetarët në protestë duke insistuar me kokëfortësi për zgjedhje pa opozitën dhe largimit nga posti i kryeministrit për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes qeverisë teknike. Mes zgjidhjes radikale me rreziqe të larta trazirash dhe zgjidhjes së butë me rotacion të natyrshëm të pushtetit përmes zgjedhjeve të lira e të drejta. Por gjasat më të mëdha janë që të përfundojë në Surrel…
Kjo gjendje e dy mundësive pra e ambiguitetit të Ramës ku bashkëjetonin të dy zgjidhjet ishte evidente gjatë këtyre dhjetë ditëve. Këtë javë Ramën e lanë nervat duke zgjedhur rrugën e fundit të tmerrshëm, rrugën e zgjedhjeve pa opozitën, rrugën e përplasjes me qytetarët në protestë … Pyetja që shtrohet është nëse do ti qëndrojë opsionit të fundit të tmerrshëm apo do ti dorëzohet frikës që e tmerron çdo sekondë… Kjo është dilema e re që e mundon aktualisht dhe evidentohet qartësisht në nervozizmin dhe mungesën e qetësisë, dhe shpërthimet apo acarimet në komunikimet publike….Vetëm Bunkeri i Surrelit ja zgjidh këtë dilemë të re.
Deklaratat e Ramës se ai do të “futet në zgjedhje pa opozitën dhe çdo forcë tjetër..” natyrisht nuk mund të jenë as racionale dhe as normale, as vendime të marra në qetësi dhe as të konsultuara me askënd. Mbi të gjithë një vendim i tillë është i pamundur dhe nuk të çon askund. Për më tepër opozita ka deklaruar dhe duket e angazhuar të mos e lejojë të ndodhë ky opsion duke përdorur të gjithë mjetet demokratike… Një deklaratë e tillë është më shumë blof për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve por edhe një provokim ndaj opozitës. Që me siguri do të përfundojë duke marrë vendimin e rrugëtimit drejt Surrelit.
Kjo sjellje bazohet në frikën e madhe të humbjes të cilën e çifton me frikën ndaj ndëshkimit për të gjithë prapësitë e tij personale dhe të klientelës së ngushtë. E vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë duket se i ka mbetur manipulimi i zgjedhjeve duke përdorur paratë e korrupsionit, individët me rekorde të tmerrshme kriminale dhe mekanizimin e kultivimit të kanabisit, Por ky shteg i është mbyllur tashmë nga opozita politike, dhe i mbetet të dorëzohet pa kushte ose të vijojë në rrugën e marrëzisë e cila i shfaqet si “fundi i tmerrshëm”… sepse edhe këtë rrugë ja kanë mbyllur qytetarët në protestë.
Sidoqoftë Rama edhe për pak kohë do të vijojë me provokimin për “zgjedhje pa opozitën”, me shpresën se opozita e qytetarët do të tërhiqen apo ndërkombëtarët do të ndërhyjnë; por në fakt as njëra dhe as tjetra nuk duket se ka shans të ndodhë. Arsyet janë të shumta dhe gjenden tashmë jo vetëm në kokën e shumicës së qytetarëve por edhe në kancelaritë e vendeve demokratike të cilat nuk ka mundësi ti manipulojë.
Të gjithë e dinë se Rama ka fituar një pushtet me ndihmën e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale që do të shndërrohej në një periudhë të shkurtër pas 2013 në një marrëdhënie pengmarrjeje reciproke mes krimit e politikës dhe kjo lidhje nuk do të mund të kishte fund tjetër veçse atë të përballjes së fuqishme me qytetarët e varfëruar, të dhunuar dhe të revoltuar.
Të gjithë e kanë tashmë të qartë se Rama erdhi në pushtet me paratë e korrupsionit të fituara përmes lejeve klienteliste të ndërtimit apo tenderat selektivë me fondet publike kur Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe që do të synonte ta konsolidonte pas 2013 duke priveligjuar me dhënien e koncensioneve klienteliste që arrijnë deri në 1 miliard euro apo shfrytëzimin korruptiv dhe vënien në kontroll nga individët e kupolës të të sektorëve naftës, energjisë elektrike, lojërave të fatit, e tjerë duke çuar në krijimin e kupole minoritare me pasuri përrallore të fshehur në parajsa fiskale dhe varfërimin ekstrem të shumicës së qytetarëve e shkatërrimin përfundimtar të klasës së mesme dhe biznesit të vogël e të mesëm.
Të gjithë e kanë tashmë të qartë se Rama i pasigurtë për të manipuluar zgjedhjet në ata shkallë sa të kthente në fasadë opozitën reale por edhe të eliminonte LSI iu drejtua strategjisë së përdorimit të kultivimit të kanabisit si mekanizmi kryesor i blerjes së votave përmes fitimeve marramendëse dhe përmes joshjes apo kërcënimit të kultivuesve në këmbim të një sasie votash. E gjithë kjo skemë e manipulimit të votave përmes kultivimit të kanabisit do të drejtohej, zbatohej, menaxhohej nga rrjeti i ngushtë i policisë, i drejtuar nga Ministri i Brendshëm. Të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, janë tashmë koshientë se kjo skemë nuk do të mund çmontohet me Ramën kryeministër i cili është ideatori i saj dhe pa larguar dhe ndëshkuar të gjithë rrjetin e kupolës së policisë të implikuar me zbatimin e kësaj strategjie.
Të gjithë po ashtu e kanë të qartë se prej kohësh Rama ka bërë dhe po bën përpjekje për të ruajtur pushtetin e tij personal duke mos kursyer askënd, as kundërshtarët e opozitën, as aleatët dhe më konkretisht LSI e Metën, as bashkëpunëtorët e ngushtë, as qytetarët në protestë për shkak të papunësisë e varfërisë ekstreme duke synuar ti nënshtrojë, as marrëdhëniet me partnerët strategjikë e fqinjët, madje deri as edhe stabilitetin e vendit duke shkuar aq larg sa të ndërhyjë publikisht e brutalisht edhe në punët e brendshme e një vendi fqinj. Skenari i manipulimit të zgjedhjeve me të tre mekanizmat e korrupsionit, krimit dhe kanabisit në Dibër ishte prova e “fitores” pa “opozitën dhe pa LSI..”.
Ndërhyrja në fushatën elektorale të kandidatit Trump duke lëshuar vlerësime të turpshme dhe rrufe për shkatërrimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ishte një nga tentativat më të turpshme që ai e kishte llogaritur se do ti konsolidonte pushtetin por që në fakt është kthyer e më siguri do të rezultojë në vetëvrasëse, pavarësisht përpjekjeve të dështuara me lobistë të paguar majmërisht apo përdorimit të mbeturinave të eshtablishmentit humbës. E rrezikshme do të cilësohej ndërhyrja në mënyrë mediokre në punët e brendshme të vendit fqinj…
Natyrisht të gjitha marrëzi mund të shpjegohen me frikën e humbjes së një pushteti të ngritur mbi themelet e i) korrupsionit, ii) lidhjeve të krimit me qeverisjen; iii) me përdorimin e kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve, iv) me vendosjen në pozicionet kyçe te pinjollëve trashëgimtarë të përfaqësuesve më të lartë të regjimit punist; dhe v) promovimit të individëve të paaftë, të parsimuar dhe të spikatur për “cilësi perverse kontemporane”. Llogaria e Ramës prej 200 milion euro e fshehur në llogari off shore, e zbuluar përmes një “rrjedhje konfidenciale” të një informacioni të OSBE, do të jetë shpata e Demokleut mbi kokën e personit simbol, më të korruptuar, të lidhur ngushtësisht me krimin dhe ideatorit të kultivimit të kanabisit dhe përdoruesit të drogave të forta. Nuk është e neglizhueshme edhe frika e madhe dhe pasiguria që vjen nga të dhënat e dosjes së fotos me Obamën, që për shkak të dhunimit të ligjit elektoral të SHBA coi në dënimin e dy personave me të cilët Rama ka ndërtuar skemën e transferimit të parave që konsiderohet dhunim i ligjit amerikan. Edhe harakiri me pjesën e reformës jo konsensuale të drejtësisë për të cilën pretendon se ka mbështetjen “ndërkombëtare” është vetëm një tullumbace që nuk e shpëton dot nga ndëshkimi, i cili ka filluar të shfaqet në hetimin që 6 senatorë të rëndësishëm të administratës Trump i kanë kërkuar Sekretarit të Shtetit të SHBA të fillojë. I mbetet të struket në bunkerin e Surrelit që mesa duket e ka konceptuar për ditë të vështira të “jetës së tretë” sepse edhe opsionin e pleqërimit në Qeparo duket e ka hedhur në erë pasi shpalli “tradhëtar” edhe “atin e tij”…