Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria humbet përballë Italisë

Italia fiton 2-0 me Shqipërinë në një ndeshje ku ndodhi pothuajse gjithçka (përveç golit të Shqipërisë). Shqiptarët e nisën mjaft mirë takimin me një rast të Cikalleshit që në minutën e parë. Megjithatë Italia kaloi në avantazh në minutën e 12-të. Beloti u rrëzua në zonë pas një kontakti me Migjen Bashën dhe arbitri tregoi nga pika e bardhë. Penallti e dyshimtë, ndërsa Memushaj u ndëshkua me karton të verdhë për protesta. De Rosi u tregua i saktë nga 11 metrat e penalltisë duke e zhvendosur Strakoshën në krahun tjetër. Goli i 20-të në 111 ndeshje për mesfushorin e Romës. Italia e mbylli pjesën e parë me epërsinë minimale 1:0 ndaj Shqipërisë. Pothuajse në të gjitha statistikat, kombëtarja shqiptare ishte e barabartë me Italinë, përveç rezultatit.

Në minutën e 56-të ndeshja u ndërpre për shkak të hedhjes së vazhdueshme të tymuesve. Lojtarët i’u afruan tifozëve dhe u kërkuan t’i ndalin veprimet e papërgjegjshme. Gjyqtari mori topin dhe i dërgon ekipet në dhomat e zhveshjes. Pas 14 minutash loja rinisi.

Vjen minuta e 71-të dhe Italia thellon epërsinë. Imobile ndëshkon kuqezinjtë me kokë pas një krosimi të Kandrevës nga e djathta. Vendosje e gabuar e mbrojtjes sonë. Përpjekje të dështuara të ekipit shqiptar me futjen në fushë të Sadikut, Grezdës dhe Latifit, por asnjë rezultat. Mbyllet 2-0 në Palermo.

Kjo është humbja e tretë radhazi për Shqipërinë (pas Spanjës dhe Izraelit). Kombëtareja jonë ndodhet në vendin e 4-t me 6 pikë.

Please follow and like us: