Vettingu, të hënën nis rishikimi i dokumentacionit të kandidatëve
Avokati i Popullit nis të hënën, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit(ONM), rishikimin e dokumentacionit të 164 kandidatëve që kanë aplikuar për 27 postet e anëtarëve të organeve të vettingut, të cilët do të votohen në Kuvend.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, deklaroi një ditë më parë se shpreson që brenda datës 3 prill të arrihet përzgjedhja e kandidaturave, të cilët më pas do t’i kalojnë për shqyrtim parlamentit. Fillimisht, ishin 79 kandidatura që morën miratim pozitiv nga ONM, por vetëm 21 prej tyre u konsideruan të kualifikuar plotësisht.
Më 6 mars Kuvendi vendosi të kthejë edhe njëherë mbrapsht listën që kishte ardhur nga ONM dhe Avokati i Popullit, duke shpallur rihapjen e garës për kandidatët e rinj, pasi numri 21, u konsiderua i pamjaftueshëm, për 27 vendet e organeve te vettingut, raporton agjencia telegrafike e lajmeve. Por, në seancën plenare të 16 marsit parlamenti shfuqizoi vendimin e 10 ditëve më pare për rihapjen e garës, duke lëne në fuqi vetem plotësimin e dokumentacionit për kandidatët që kishin aplikuar qysh në fillim.