Zbulohet lidhja e Joseph P. Kennedy, 60 vjeç, me sekretaren 24-vjeçare
Ronald Kessler, një ish-gazetar hulumtues që ka punuar për “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”, është autor i 20 librave bestsellerë, duke përfshirë edhe librin “The Sins of the Father: Joseph P. Kennedy and the Dynasty He Founded”, apo tash vonë edhe të librit “The First Family Detail: Secret Service Agents Reveal the Hidden Lives of the Presidents”. Gjatë jetës së tij, Joseph P. Kennedy, themelues i dinastisë Kennedy, në shtyp ishte përshkruar si hero Horatio Alger, por edhe si një katolik i devotshëm. Ish-ambasadori amerikan në Britani, i cili vdiq në vitin 1969, në moshën 81-vjeçare, zakonisht paraqitej përkrah gruas së tij Rose dhe njërit prej nëntë fëmijëve të tij, duke përfshirë edhe presidentin John F. Kennedy. Fotografitë e publikuara kurrë nuk paraqitnin sekretaren e tij të bukur sygjelbër, Janet Des Rosiers, e cila ishte dashnorja e tij për nëntë vjet. Një rrëfim i vetëcensuruar i aferës së saj me Joe Kennedy-n gjendet në librin e saj, të vetëbotuar, “A Good Life”.
Tre muaj pasi që e kishte punësuar si sekretare, Joe filloi t’i vardisej asaj
Por, kur kishte zbuluar për herë të parë aferën në një intervistë për librin “The Sins of the Father: Joseph P. Kennedy and the Dynasty He Founded”, Des Rosiers kishte treguar ngjarjen e vërtetë, me detaje intime, bashkë me mendimin e saj të sinqertë rreth Rose-s.
Në moshën 24 vjeçare, Janet Des Rosiers, e cila më vonë u martua dhe u bë Janet Des Rosiers Fontaine, kishte një lëkurë të kadifenjtë, sy të gjelbër dhe këmbë të hatashme. Duke treguar sesi u përzgjodh për postin e sekretares, ajo thotë: “Ai ishte i magjepsur nga unë, që në fillim kishte thënë se unë do të isha e tij”. Në dhjetor të vitit 1948, tre muaj pasi që e kishte punësuar si sekretare, Joe filloi t’i vardisej asaj. Takimi i tyre i parë ishte zhvilluar në shtëpinë me dy dhoma gjumi, të cilën ai e kishte marrë me hua në Uest Palm Biç, rreth 10 minuta larg nga shtëpia e familjes Kennedy në Palm Biç. Kur Joe kishte shkuar ta vizitonte atë një mbrëmje rreth orës 8, ai kishte filluar ta puthte dhe ta zhvishte atë. Ajo nuk ishte befasuar. Banesës së saj ajo i referohej si “shtëpia jonë”. Afera e tyre zgjati tri herë më shumë sesa afera e Joe-it me aktoren Gloria Swanson. Kur Joe kishte filluar t’i vardisej Des Rosiersit, kjo e fundit ishte ende e virgjër.“Joe nuk u befasua që unë nuk kisha pasur ende seks. Ai m’i mësoi të gjitha”, thotë ajo.
Des Rosiers nuk ishte e gatshme që të martohej me një plak
Des Rosiers e dinte se Joe mund të ishte i paskrupullt, por ajo kurrë nuk kishte provuar në praktikë se çka do të thotë ajo anë.
“Ai ishte argëtues, i ngrohtë, i mençur, kurrë nuk e tepronte me kërkesat e veta, ishte tepër i sjellshëm”, thoshte ajo.
Des Rosiers tregon se Rose, gruaja e Kennedy-s, ishte e vetëdijshme për aferën e tyre. Ajo vetë njëherë e kishte dëgjuar të thoshte: “Meshkujt gjithmonë dashurohen në sekretaret e tyre”. Sipas saj, Rose nuk e kishte thënë këtë me keqdashje. Des Rosiers tregon se as Joe kurrë nuk fliste keq për martesën e tij, si dhe asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin ndaj gruas së tij.“Dukej se ai e respektonte gruan e vet. Ata dy ia kalonin mirë, si miq”, thotë Des Rosiers. Des Rosiers kujtohet se, gjatë një udhëtimi në Francë, Rose e kishte qortuar pse kishte blerë tepër kremra dhe letër tualeti. Por, kjo nuk d.m.th. se Rose nuk ishte e preokupuar me pamjen e vet, përkundrazit.
Përkundër asaj se sa shumë e donte Joe-in, Des Rosiers nuk ishte e gatshme që të martohej me një plak. “Paramendoni sa gjë e marrë që do të ishte një veprim i tillë”, thotë ajo. Por, nëse Rose e dinte se çka ndodhte midis burrit të saj dhe sekretares së tij, ajo nuk ishte aq stoike, sa që dukej të ishte. Sekreti i saj, sikur edhe ai i fëmijëve dhe nipave e mbesave të saj, ishin barnat qetësuese. Robert D. Watt, M.D., doktori i familjes, i kishte përshkruar asaj pesë lloje të ilaçeve qetësuese. Pas më shumë se nëntë vitesh si e dashura e tij, Janet Des Rosiers e la Joe-in në mars të vitit 1958. Des Rosiers kaherë kishte vendosur që të mos qëndronte me të përjetë. Marrëdhëniet e tyre seksuale ishin rralluar, ku gjatë gjashtë muajve të fundit, thuajse nuk kishin fjetur asnjëherë.
“Kur qëndron me dikë për dhjetë vjet, ose vendos që të qëndrosh përgjithmonë me të, ose duhet të ikësh sa nuk është bërë vonë. Unë vendosa për këtë të dytën”, përfundonte ajo.