“Artet e Bukura” të Korçës dhe kabaja e Hajros
Vepror Hasani
Shoqëria e “Arteve të Bukura” e krijuar në vitin 1920, provoi t’i mblidhte njerëzit në kopështoren e kishës së “Shën Gjergjit”, (kopësht fëmijësh), ku mblidheshin kryesisht banorët ortodoksë; provoi që në ditë koncertesh të organizonte lotari, të jepte biskota, ëmbëlsira, karamele etj; provoi të sillte grupe muzikore të huaja nga Greqia, Italia, Rusia dhe gjetkë, që të bënte për vete sa më shumë njerëz, por sërish nuk ia mbërriti dot qëllimit të ëndërruar. Krejt ndryshe ndodhte me sazexhinjtë e Korçës. Djemtë e niprit e Ibrahimit të famshëm me violinë, çdo natë i mbushnin kafenetë me njerëz. Ishin të pakonkurueshëm. Tmerrësisht të papërballueshëm.
As banda “Vatra” e krijuar në Worcester Mass të Amerikës në 11 dhjetor të vitit 1916, dhe e ardhur në Korçë në vitin 1920, nuk e përballoi dot konkurencën e tyre. Për këtë arsye ajo bashkëpunoi me ta. Shpesh e më shpesh organizonte koncerte të përbashkëta, të cilat në ato kohë i quanin “ballo familjare”:
“Me inisiativën e bandës “Vatra”, të kryesuar prej profesorit z. Thoma Nasi, kjo valle u-plotësua me sukses, me që ish një valle krejt familjare dhe kombëtare. Salloni i kopështores, zbukuruar e stolisur me ngjyrat kombëtare, i ndrituar me llamba (drita elektriku), dhe me fenera ngjyrash të bukura, jepnin një pamje zbukurimi të posaçme. Banda “Vatra” me coprat (pjesët) e saj muzikale të zgjedhura dhe të kryesuara prej të dëgjuarit Rushan Hajro, të perëndonin në (për)fytyrime me ëmbëlsinë e mellodisë! Vallet kombëtare, vallset, pollkat’ mazurkat dhe kadri-let u-lojtnë tepër bukur prej çiftëve që muar pjesë…” (Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1923)
As profesori i muzikës së bandës “Vatra”, Thoma Nasi, nuk e mohonte talentin e sazexhinjve të Korçës; vetë ai ishte krijesë e ndikimit të sazeve, ashtu si shumë muzikantë e këngëtarë të tjerë të njohur:
“Ndikimi i muzikës me saze të qytetit të Korçës si dhe në përgjithėsi i sazeve të jugut, do të konstatohet më vonë edhe në interpretimet e këngëtarëve lirikë si Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko apo dhe të kompozitorëve si Thoma Nasi, Kristo Kono etj”. (Vasil Tole, “Sazet e dasmës së mbretit Zog, turne në Italinë e viteve ’38)
Po, është e vërtetë. Shoqëria muzikore e Demkë-Hajros ishte formacioni i parë popullor që mori pjesë në dasmën e mbretit Zog. Njerëzit e artit nga Italia që u ndodhën në dasmën e mbretit, të mbetur të mrekulluar nga ajo që dëgjuan, i ftuan muzikantët e sazeve të Korçës për një turne në Itali, ku u krijuan mundësinë të njihen me shtëpitë diskografike italiane, të cilat treguan interes të veçantë. Muzikantët e Korçës ishin të mrekullushëm.
Por, le t’i marrim gjërat me radhë. Më i pari ndër muzikantët e Korçës njihet Ibrahimi me violinë. Kur qante violina e tij, drithërohej Korça. Ka mundësi që edhe i ati të ketë qenë muzikant; kjo do të thotë se Korça ka patur saze që para fillimit të viteve 1800. Pas Ibrahimit erdhi i biri, Hajroja, edhe ai me violinë, por edhe këngëtar i zoti; shkëlqeu gjatë viteve 1890-1920, deri ditën kur vdiq. Kabaja e tij, e quajtur “Të qarët e Hajros”, u bë himn i kohës. Ishte një kaba që të linte të mahnitur. I ngjasonte njeriut të vuajtur që dëshiron të qajë hallet që i kanë rënë, por nuk do që ta shohin njerëzit duke qarë; dëshiron të duket i fortë e të mos jepet në sytë e të tjerëve, derisa vjen një ditë kur ai ndjen nevojën të qajë dhe askush të mos i thotë: “Mjaft qave!” Dhe Hajroja këtë shpërthim çasti e qante me violinën e tij. Nuk kishte dasmë a kafene ku të mos kërkohej e “E qara e Hajros”. Kjo ishte arsyeja pse njerëzit mblidheshin atje ku ishin sazexhinjtë e Korçës, gëzoheshin dhe mallëngjeheshin me virtuozitetin e tyre. As “Vatra” dhe as “Artet e Bukura” nuk e patën këtë famë. Sazexhinjtë e Korçës ishin të pasfidueshëm.
Hajroja pati tre djem: Demkën Shefkën dhe Rushanin. Para se të ndahej nga jeta, bashkë me ta krijoi shoqërinë muzikore “Demka & Hajro”. Gjatë viteve ’20 Demka pati në grupin e tij Xhemal Gajden nga Pėrmeti me violinë, Qamilin e Famës me gërnetë, Malkën, Sherifin me llahutë, Kiço Podën, Qerimenë me dajre dhe këngëtarë. Edhe Demka ashtu si i ati, Hajroja, ishte edhe këngëtar i zoti. Si muzikant mundi të dilte mbi sazexhinjtë e tjerë të Korçës. Orkestra e tij mbizotëroi gjatë viteve 1920-1947, vit kur Demka u nda nga jeta. Bashkëpunoi edhe me sazet, Sazet e Cilo Qorrit, e quanin kështu sepse ishte i verbër:
“Cilo Qorri apo i njohur edhe me emrin “Ciloja me shokët”, është një ndër sazexhinjtë e shquar të sazeve të Korçës. Luante në mënyrë virtuoze në fyell, gërnetë dhe në buzuk. …Janë tepër të njohura këngët dhe meloditë baritore të tij. Formacioni më i preferuar i veglave që merrnin pjesë në Saze ishte 1 gërnetë, 1 fyell, 1 violinë, 1 llahutë + bakllama, 1 dajre. …Krahas Cilos, përmenden edhe Sazet e Jonuz Korçës me gërnetë.” (Referuar Enciklopedisë shqiptare për muzikën”)
Edhe Laver Bariu inspirimet e para i mori nga sazexhinjtë e Korçës pasi në këtë qytet qëndroi për gati dhjetë vjet(1936-1945):
Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. (Referuar rrëfimeve të Laver Barit)
Muzikantët e Korçës nuk shterrën kurrë, dukej sikur lindnin nga dheu:
“Treva e cila është konsideruar vendlindja e sazeve është ajo e Përmet- Leskovik- Korçës. (Profesor Aeksandër Peçi – Mjeshtër i madh, “Sazet dhe sazeologjia”)
Kujtimet për sazexhinjtë e Korçës janë të shumta. Të përshkruara bukur i sjell poeti dhe publicisti Klito Fundo, i cili tashmë nuk jeton më:
Prej pleqve kemi dëgjuar për Malkën me gërnetë (klarino), Malkën e famshme që me aq nostalgji e kujtonin pleqtë e moshës së kaluar. Ç’të thuash për Hajron dhe djemtë e tij, Rushanë e Demkën, për djemtë e Rushanit dhe të Demkës, një familje e tërë violinistësh të mbaruar, të dalluar, që e bënin violinën të këndonte, siç thotë fjala. Mbaj mend Hajdinin e gjatë me buzuk e sa e sa të tjerë; Arifin dhe të birin e tij, Çobanin me lahutë …Nuk mund të harrohet Cilo-Qorri, siç i thonin, që i binte si gërnetës, ashtu dhe fyellit me një përsosmëri që të emociononte. Me pasion i këndonte këngët, sa thuajse me anë të këngës dhe fyellit donte të vajtonte sytë e tij pa dritë”. (Klito Fundo, “Kujtimet e Korçës ringjall”, gazeta “Korça”, dhjetor 2009)
Në pellgun e Korçës, në prag fejesash, dasmash e gëzimesh, kur njerëzit kërkonin saze, pak a shumë dëgjoheshin këto fjalë:
“Do të nderohesh?Pajtoi këta sazexhinj: Rushankën me gërnetë, Demkën me qemane, Cilon me bakllama dhe Qerimenë me dajre. Kur i kërcen gishtrinjtë mbi dajre dhe dredh zërin Qerimeja, tunden themelet e shtëpisë…”. (Tomi Mato, “Dasmë mokrare me saze”)
Ndërsa për Qerimenë, këngëtaren e shquar të muzikës së Jugut, krahas Hafize Leskovikut, poeti Klito Fundo shkruan:
“Edhe dajreja në Korçë ka luajtur një rol të shënuar. Ajo ishte e pashmangshme në çdo dasmë. Dajrexhesha ishte njëkohësisht dhe këngëtare për këngën popullore në çdo dasmë. Në korteun e rastit udhëhiqte atë. Me dajren në krye gratë, të Premten e dasmës, me përparëset që u dhuronte dasma, shpinin dhe merrnin bukët në furrë, duke kënduar dhe hequr vallen të shoqëruar nga dajra. Me dajre fillonte dasma të hënën. Dajrexhesha dhe këngëtarja më e shquar në Korçë, ka qënë në atë kohë Qerimeja. Ka dhe incizime, por këto incizime janë marrë, kur ajo ishte e avancuar në moshë. (Klito Fundo, “Kujtimet e Korçës ringjall”, gazeta “Korça”, dhjetor 2009).
Lokalet më të famshme dhe më të frekuentuara ishin ato ku çdo natë ishin të pranishme sazet e artistëve të mëdhenj të Korçës:
“Me sazet, Demka aktivizohej kryesisht nëpër dasma dhe në lokalet qendrore të Korçës”.(Vasil Tole, “Sazet e dasmës së mbretit Zog, turne në Italinë e viteve ’38)
Të njëjtën gjë rrëfen edhe i famshmi Laver Bariu në vijim të kujtimeve të tij të qëndrimit në Korçë, ku nxjerr në pah, kërkesat që kishin lokalet për saze të vërteta:
“Në Korçë shkova dhe punova me klarinetistin Hajdar Cangonji. Dasmën e parë e kam bërë më Hajdar Cangonjin në Vithkuq të Korçës. Pas Hajdarit shkova me klarinetistin Sulo Konica, i ardhur në Korçë. Unë punoja me llahutë. Punoja me sulon në lagjen “Kulla e hiri”t dhe në lokalet e Korçës”.
(Referuar kujtimeve të Laver Bariut)
Tre djemtë e Hajros: Demka me violinë, Rushanit me violinë dhe Sherifka më llahutë ishin të kërkuar nga të gjitha lokalet e Korçës: Pronarët me të rënë në ujdi me sazexhinjtë shpallnin njoftimet:
“E plotësuam kafenenë tonë me tërë sendet e duhura sipas sistemit të ri, që të mbushë dëshirat e popullit që të shkojnë një kohë të ëmbël. Për çdo të diel dhe të kremte do të dëgjojnë të famshmin Rushan Hajro në kafenenë tonë. Pandë V. Osmanlli”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 7 korrik 1923)
Të gjendur në këto kushte shoqëria e “Arteve të Bukura” e pati të vështirë të mbijetonte. Që nga viti 1927 nuk u dëgjua të flitej më për të. “Artet e Bukuar” dhe grupe të tjera pas tyre, provuan të konkuronin me serenata, por Demka i Hajros, me violinë, që la pas 5 djem dhe dy vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin Adivien dhe Xhevrien, që të gjithë të lindur për muzikë, u duk sikur Abazin e solli enkas në jetë për të sfiduar me serenatat. Njerëzit i dhanë emrin “babai i serenatave”. Pas kësaj, konkurimi me serenatat u bë edhe më i vështirë.
Nuk doni ta besoni që është kështu? Atëherë na ndiqni fundjavën që vjen, do t’ju rrëfëjmë kush ishin ata që u dhanë jetë serenatave korçare. Pas tyre do te vinte një fenomen tjetër i muzikës: Novruz Nure – Lulushi me gërnetë. /tesheshi.com/