Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA forcon kontrollin për aplikantët e vizave

Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar ambasadave dhe konsullatave amerikane në botë të identifikojnë grupe të caktuara që duhet t’i nënshtrohen një analize më të hollësishme kur kërkojnë vizë.

Direktiva instrukton misionet diplomatike amerikane të kontrollojnë postimet e aplikantëve në median sociale, në rastet kur ata dyshohen për lidhje terroriste apo për udhëtime që mund të kenë bërë në zona të kontrolluara nga ISIS.

Direktivat që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u dërgoi ambasadave instruktojnë personelin diplomatik të krijojë grupe pune me specialistë zbulimi dhe sigurie, të cilët të hartojnë “një listë me kritere ku identifikohen grupe të popullatës në vendin ku ndodhet ambasada përkatëse”, për të cilat kërkohen kontrolle shtesë të biografisë.

Edhe në rastet kur aplikanti i përmbush kushtet për të marrë vizë, në rast se ai individ është brenda kategorisë që kërkon kontroll më të imtësishëm, rasti i tij do t’i nënshtrohet analizës shtesë, ose personit mund t’i mohohet viza.

Ky udhëzim është dëshmia e parë e “vetingut ekstrem” të shtetasve të huaj që vijnë në Shtetet e Bashkuara, një politikë që Donald Trump premtoi gjatë fushatës se do ta vinte në zbatim.

Zyrtarët e ambasadës duhet tani të analizojnë imtësisht një numër më të madh aplikantësh për të parë nëse përbëjnë rrezik për SHBA, siç del nga udhëzimet dërguar ambasadave nga 10-17 mars.

Direktiva, që fillimisht u bë e njohur nga Reuters, u kritikua nga grupe të të drejtave të njeriut dhe të tjerë, të cilët e kanë akuzuar Presidentin Trump për diskriminim kundër myslimanëve pas urdhrit për të ndaluar udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Për momentin urdhri është pezulluar nga gjykata.

Dje, organizata Amnesty International i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të bëjë publike udhëzimet.

“Kjo masë mund të hapë rrugën për diskriminime në baza të origjinës etnike dhe besimit fetar”, tha organizata në një letër dërguar sekretarit të shtetit. “Ajo mund të shërbejë si pretekst për të mos lejuar individë të vijnë në SHBA, bazuar në bindjet dhe deklaratat e tyre pa dhunë. Kontrollet në median sociale, si dhe kërkesa që njerëzit të dorëzojnë fjalëkalimet për median sociale në kufirin e Shteteve të Bashkuara, kanë implikime të ndjeshme në të drejtat e privacisë dhe lirisë së shprehjes”, shkruan Amnesty International.

Please follow and like us: