Të luftojmë për një Evropë më të fuqishme!
SIGMAR GABRIEL*
Evropë, është ditëlindja jote! Më 25 mars 1957, përpara 60 vjetësh, shtetet themeluese nënshkruan “Traktatet e Romës”. Kjo datë ka shenjuar thellë projektin më të suksesshëm të lirisë, paqes dhe mirëqenies, që bota ka njohur ndonjëherë!
Dhe kjo është një arsye për të gëzuar.
Por, pas 60 vjetësh, Evropa gjendet edhe përpara një udhëkryqi. Kriza financiare dhe menaxhimi i dyndjeve të refugjatëve kanë zbuluar pa mëshirë dobësitë e projektit të bashkimit të Evropës. Pas pak ditësh Britania e Madhe do të shpallë dëshirën e saj për t’u shkëputur prej Bashkimit Evropian. Ky është një alarm zgjimi. Ne duhet të biem dakord për atë që Evropa do të thotë për ne, ku duam të shkojmë me të dhe çfarë jemi të gatshëm të investojmë për këtë qëllim.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e vërtetë e këtij përvjetori të Romës.
Projekti i bashkimit evropian është sot, si rrallëherë më parë, në shënjestrën e sulmeve nga brenda dhe jashtë, nga populistë, që pretendojnë se kanë zgjidhje të thjeshta, nga autokratë, që janë kundër vlerave tona. Të gjithë ata duan ta kthejnë Evropën pas, apo deri edhe ta shkatërrojnë atë.
Për mua është e qartë, rruga e bashkimit të Evropës është e duhura, dhe e vetmja. Le të mos e gënjejmë veten: në këtë botë të tronditur nga krizat, me kaq shumë siguri të humbura, shtetet e Evropës mund t’i mbrojnë në mënyrë të suksesshme interesat dhe vlerat e tyre, vetëm nëse flasin me një zë. Asnjë vend i Evropës, as Gjermania, nuk ia del dot i vetëm. Të bashkuar jemi pakrahasimisht më shumë e më të fuqishëm, se sa thjeshtë shumatorja e të gjitha shteteve një e nga një. Por për këtë duhet të bëhemi bashkë edhe më fort.
Ndaj ky përvjetor i 60-të është një dritë shprese, një apel për të luftuar për Evropën. Nuk duhet të rrimë në heshtje, kur të tjerë janë të bindur sy ky është fundi i Evropës.
Të luftosh për Evropën do të thotë të mbrojmë vlerat evropiane, pra vlerat tona të përbashkëta. Ne dëshirojmë të aftësojmë për të ardhmen atë Evropë, që për dekada të tëra na ka siguruar lirinë dhe stabilitetin. Shteti ligjor, demokracia, solidariteti me njëri-tjetrin dhe diversiteti mes nesh janë gurët e ngrehinës së projektit Evropian. Për këtë arsye duhet të reagojmë njësoj si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda tij.
Por të luftosh për Evropën do të thotë gjithashtu që të garantojmë për gjithë sa është arritur deri më tani. Kthimi pas i integrimit tonë nuk na çon më tej. Ne e kemi kapërcyer bashkarisht krizën e borxheve kombëtare dhe po punojmë që të gjithë ata, që bëjnë pjesë në Eurozonë, të shohin me optimizëm përpara, që kudo të ndihet një rritje e re ekonomike dhe së bashku me më shumë vende të reja pune të lindin edhe perspektiva të reja. Për këtë qëllim duhet të thellojmë më tej unionin ekonomik dhe monetar. Jo për t’u kufizuar së jashtmi, por sepse përmes një monedhe të përbashkët jemi të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin si kurrë më parë.
Por ne duhet të ecim më tej. Detyra historike, që kemi përpara vetes, është krijimi i një Evrope më të mirë, më të fuqishme. Ne duhet të investojmë së bashku në Bashkimin Evropian dhe të punojmë që projekti më i rëndësishëm i paqes dhe mirëqenies të jetë një projekt me të ardhme.
Në radhë të parë, në politikat e jashtme dhe të sigurisë: ka ardhur koha të ndahemi nga ideja, që ne në Evropë nuk e mbajmë vetë përgjegjësinë për sigurinë tonë. E saktë do të ishte të thuhet, se Evropa më në fund duhet të rritet. Partneriteti me SHBA-të dhe NATO-n janë kolonat bazë të komunitetit transatlantik. Por Bashkimi Evropian duhet të jetë në gjendje të menaxhojë në mënyrë të pavarur krizat dhe konfliktet në fqinjësinë e vet. Hapat e parë janë hedhur, të tjera duhet të pasojnë.
Së dyti, ne kemi nevojë për një mbrojtje të kufijve të jashtëm evropianë, që ta meritojë vërtet këtë emër. Brenda Evropës kufijtë kanë humbur shumëçka nga rëndësia e tyre. Kjo është një arritje madhore. Por po aq të rëndësishëm janë edhe kufijtë e jashtëm të fuqishëm. Ne po e shohim se sa e rëndësishme është një mbrojtje efektive e kufijve tanë në mesin e krizave të fqinjësisë sonë dhe të rrymave të refugjatëve.Mbrojtja e kufijve të jashtëm duhet të jetë e çmuar për të gjithë ata që e kanë të rëndësishëm Schengen-in. Diçka është vënë në lëvizje, por duhet të bëjmë më shumë. Kjo është një detyrë evropiane, që na takon të gjithëve, jo vetëm atyre që janë më të prekurit mes nesh.
Së treti: Evropa duhet të përmirësohet në sigurinë e brendshme. Lufta kundër terrorizmit është një angazhim i përbashkët. Këtu ne mund dhe duhet të përmirësohemi, me një bashkëpunim më të mirë e më shumë shkëmbim. Njerëzit në Evropë nuk duhet të kenë frikë. Qoftë në Bruksel, Paris, Berlin apo gjetkë. Liria dhe siguria ecin krah për krah.
Dhe së katërti, duhet të sjellim më fort në kujtesë, që premtimi evropian ka qenë gjithnjë edhe një premtim për mirëqenie. Tregu i brendshëm i ka dhuruar mirëqenie pjesës më të madhe të njerëzve për një periudhë të gjatë kohe. Por tani shumëkush në Evropë ka ndjesinë se nuk po përfiton më nga një Evropë e përbashkët , por është lënë jashtë vëmendjes. Këtë duhet të arrijmë ta kuptojmë dhe ta ndryshojmë. Ndaj të luftosh për Evropën për mua do të thotë, të fuqizojmë tregun e brendshëm dhe të marrim seriozisht dimensionin social të projektit evropian. Na duhen kushte të reja të përgjithshme për rritjen ekonomike dhe mirëqenien. Këtu bëjnë pjesë investimet evropiane në infrastrukturën dixhitale, sikurse edhe në arsim e kërkime shkencore. Ne nuk jemi pagues dhe marrës neto, por do jemi të gjithë përfitues neto të Evropës, nëse ia dalim të përdorim më mirë fondet dhe në të njëjtën kohë të jemi të gjithë të gatshëm të nisim reformat e nevojshme për ruajtjen e aftësisë konkurruese.
Ne dëshirojmë të ngrihemi së bashku, në mënyrë që prej Romës të përçohet ky sinjal: ne, evropianët , dimë ta marrim situatën në dorë, ne mbështesim Evropën dhe duam ta bëjmë më të mirë atë! Dhe do t’ia dalim nëse nuk frikemi, nëse rijetësojmë me guxim dhe vetëdijë shpirtin evropian, nëse i entuziasmojmë të gjithë për të dhe vemë në pikëpyetje edhe ndonjë ndjeshmëri të caktuar kombëtare.
Gjermania është gati.
(Sigmar Gabriel është Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë. Ky tekst i shkruar me rastin e 60 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Romës prej mediumeve në gjuhën shqipe në Maqedoni botohet ekskluzivisht në Gazetën Lajm).