Vuçiç takoht me Putin pak para zgjedhjeve
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohet me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nesër në Moskë. Ai po e forcon pozitën e tij para zgjedhjeve presidenciale në Serbi më 2 prill.
Në disa raporte theksohet se Vuçiç po përpiqet ta finalizojë marrëveshjen me Putinin, lidhur me dërgimin e gjashtë aeroplanëve luftarakë të tipit MiG-29, disa ditë para votimeve për President.
“Zoti Vuçiç, ish-ultranacionalist e tani reformues pro-evropan, po përpiqet të manovrojë duke i mbajtur raportet e Serbisë me perëndimin, por njëherësh duke i përmirësuar lidhjet me aleatin shumëvjeçar, Rusinë”, shkruan Radio Evropa e Lire.
Serbia kishte shprehur dëshirë për forcim të lidhjeve me NATO-n, derisa ende i përmirëson lidhjet ushtarake me Rusinë, dhe kjo gjë i ka shqetësuar fqinjët e saj, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Konsiderohet se Aleksandar Vuçiç, është favorit për të fituar kundër opozitës së ndarë dhe ai po synon të fitojë numër të mjaftueshëm të votave për të mos pasur nevojë për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që eventualisht do të mbaheshin më 16 prill.