Artan Hoxha: Në Shqipëri kanë hyrë dhe dy pajisje të sofistikuara përgjimi
Gazetari investigativ, Artan Hoxha deklaroi sot se përveç pajisjes së bllokuar pak ditë më parë në Rinas, që i përkiste shtetasit izraelit, Yoram Frig, në Shqipëri janë futur edhe dy të tjera më të sofistikuara.
Teksa ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Hoxha theksoi se vlera e këtyre pajisjeve është me një vlerë prej 400-500 mijë dollarësh që përdoren nga biznesmenë apo politikanë për përgjim. Ndër të tjera ai tha se pajisja e izraelitit kapte vlerën e 18 mijë eurove.
“Pajisjet kanë hyrë në Shqipëri. Pse nuk janë kapur është tjetër gjë, e kam thënë që janë 2 pajisje të tilla brenda territorit. Telefoni im i bllokuar ka fotot e dy makinave, me targa gjermane, por kanë brenda një pajisje përgjimi që shkonin në drejtim të Sheraton, aty ku takohen politikanë dhe biznesmenë në vend por edhe diplomatë të huaj. Këto mjete i kam të filmuara. Nëse janë përgjigje që cenojnë sigurinë kombëtare do ishin problematike. Akuzat që i janë veshur izraelitit, janë; së pari për akuza të lehta; kontrabandë, përgjimi i paligjshëm, hyrja e pa autorizuar me atë pajisje dhe hyrja e paautorizuar në të dhëna. Pajisja është me një çmim prej 18 mijë euro. Ajo shpërben për të parë nëse një ambient shihet nëse ka valë që përdoren për përgjime dhe i identifikon ato. Duke nisur nga kryeministri e me radhë, në automjetet e tyre, ato përdorin pajisje bllokuese, e kam parë dhe tek biznesmenë të fuqishëm. Është një bllokues valësh që biseda të mos dëgjohet. Kam parë që disa politikanë të rëndësishëm përdorim muzikën e lartë të kasetofonit. Sidomos takimet e politikanëve bëhet në det, 100 m larg. Kam informacione se kanë qenë dy pajisje që kanë hyrë në Shqipëri, që shkonin në 400-500 mijë dollarë”, theksoi Hoxha.
Po ashtu, Hoxha i bëri thirrje organeve të hetimit që përveç rastit të shtetasit izraelit, të hetojë dhe për grupe të tjera që kanë futur pajisje përgjimi shumë të shtrenjta.
“Pajisje që janë në përdorim të grupeve private të interesit apo dhe nga politikanë. Pajisja është shumë e vogël dhe ka një rreze përgjimi 3 km. Nëse e vë afër çadrës psh, dëgjon se çfarë thuhet brenda çadrës, në Kuvend, apo dhe në Kryeministri. Pajisja është blerë në Izrael, që ka ardhur specialisti prej andej dhe ka trajnuar shqiptarë. I bëj apel organeve të hetimit, që të hetojë se kush është personi, apo dhe kush janë grupet e personave që kanë sjellë së fundmi pajisje të tilla. Ne nuk e dimë nëse ai ka zbuluar këtë gjë. Atij i është marrë pasaporta dhe qëndron në Sheraton”, përfundoi Hoxha.