Çfarë ka shkruar studiuesi arvanitas Aristidh Kola për Vallen Çame
Nga Arben Llalla
Pata fatin të bashkëpunoj ngushtë me Aristidh Kolën, por dhe krenarinë që ai më besoi pak ditë para se të vdiste një arkiv të tërë me libra, revista dhe gazeta për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Greqisë.
I ndjeri Aristidh Kola ka qenë njëri nga intelektualët e mëdhenj të shekullit XX që ka bërë një punë të lëvdueshme për të dalë në dritë heroizmi, kultura dhe traditat e shqiptarëve të Greqisë, të cilët herë i quajnë arvanitas e herë allvani. Ai ka shkruar disa libra, por libri më i njohur dhe i suksesshëm është: “Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve” (Αρβανιτεσ και η Καταγωγη των Ελληνων), i cili u botua për herë të parë më 1983 dhe është ribotuar mbi 15 herë të tjera deri sa vdiq autori në tetor 2000. Ndër shumë tema historike, kulturore dhe mendimeve Kola na sjellë dhe mendimet e tij rreth Valles Çame, të cilat kemi zgjedhur t’i botojmë sot për lexuesin e 27.al. Në këtë studim Aristidh Kola shkruan për të vërtetën e kësaj valle, ku ngre lart krijimin popullor të Valles Çame, e cila kërcehet sot edhe nga grekët. Ai na sjell faktin se piktura e piktorit gjerman Peter fon Ess-it (Peter von Hess (1792-1871), shën. A.Ll.), ku na paraqet trimat e Kollokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare. Ky është një dëshmi që vërteton se traditat, zakonet dhe veshja kombëtare shqiptare në veçanti të atyre të Epirit është përvetësuar pa të drejtë nga grekët e Greqisë së Re.
Aristidh Kola, në vitin ku ka shkruar librin 1980 që flet edhe për Vallen Çame shpreh indinjatën e tij për keqinformimin e studiuesve për këtë valle, deformimin e saj historik, krijues dhe interpretues, duke i quajtur këta studiues injorantë. Kola kritikon ashpër studiuesit grekë, të cilët qëllimisht me fantazinë e tyre e quajnë Vallen Çame si valle vllehe, por vllehët nuk kanë lidhje as me Vallen Çame e as me fustanellën. Kuptohet që kritika e Aristidh Kolës bëhet në kohën kur çamët kishin rreth 35 vjet që ishin përzënë me genocid nga Çamëria dhe Shqipëria ishte një vend i izoluar në diktaturën e komunizmit, ku televizioni dhe gazetat tona, pothuajse nuk na informonin rreth të vërtetave të shqiptarëve në Greqi e më gjerë. Në këtë studim Aristidh Kola tregohet një studiues profesionit dhe një avokat mbrojtës i Valles Çame e kulturës shqiptare në përgjithësi.
Vallja Çame
Nga Aristidh Kola
Vallja Çame është vallja më përfaqësuese e fisit Arvanit (shqiptarëve të Greqisë, shën. A.Ll.). Është një valle që pasqyron shpirtin shqiptar. Si tregon dhe fjala kjo vjen nga çamët. Nëse analizojmë Vallen Çame do të na japë dhe karakterin e popullit krijues. Guxoj të them që analiza e valleve popullore vështirë të bëhet saktë nga të huajt, por dhe mësimi i saj në raste të tilla do të ishte i gabuar.
Fatkeqësisht vallja e vetme dhe e papërsëritshme çame ka rënë në duar “të paligjshme” dhe prezantohet krejt e panjohshme nga kinemaja, qendrat e ndryshme dhe televizori. Ata njerëz që kanë marrë në duar Vallen Çame, prej disa kohësh tanimë me sa duket qartësisht as arvanitasit nuk janë dhe as idenë s’ia kanë ç’lloj valleje është Vallja Çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame, të cilën e shohin arvanitasit e qeshin. E quajnë “shkollore”, sepse mësuesit që dërgoheshin në fshatrat arvanitase pa ditur gjë prej gjëje përpiqeshin t’i mësonin Vallen Çame popullit që e krijoi atë dhe përfundimi ishte disi qesharak.
Ata që merren me vallen kombëtare nuk duhet të punojnë me fantazinë e tyre në mënyrë që të paraqesin vallet, sepse në këtë rast në mënyrë disi paradoksale, fantazia dëmton shumë. Këtu nevojitet njohje dhe studim i përqendruar, fillimisht dhe kryesisht i popullit që krijoi këtë valle, të cilën duhet të paraqesim. Guxoj të them se njohja dhe studimi nuk mjaftojnë, nëse pikëpamjet e tua bien në kundërshtim me atë të popullit të caktuar që studiohet. Kështu e shohim Vallen Çame që vetëm e tillë nuk duket dhe mirë do të ishte që të interesuarit të marrin kamerat dhe të shkojnë në fshatrat arvanitase, në dasmat dhe festat e tyre, ta flasin dhe ta bisedojnë Vallen Çame në vendet, ku kërcehet. Shumë njerëz kujtojnë se Vallja Çame është vllahe dhe se atje duhet ta kërkojnë. Por, vllehët nuk kanë asnjë lidhje me Vallen Çame, ashtu si nuk kanë me fustanellën. Por, kjo pikëpamje e gabuar krijohet, sepse athinasit dhe aziatikët e vegjël, të gjithë joathinasit i emërtojnë vllehë…
Vallja Çame ka levendëri, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja Çame është valle triumfale. Dyshoj, nëse mund të ketë një të dytë në botë.
Vallja Çame përmbledh me lëvizje, bukurinë, levendërinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimit të parë, sepse duhet theksuar këtu se Vallen Çame nuk e kërcejnë të gjithë, por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejtë” e mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij. Sigurisht nuk kemi parë asnjëherë në kinema apo televizor një Valle Çame të kërcyer drejtë, por as Valle Çame që të kërcehet nga grua. Si thamë është valle triumfale dhe zakonisht kërcehet nga burrat, por është me të vërtetë e mrekullueshme të shihni një kërcim të këtillë nga vashë arvanitase të krahinës sime.
Pra, Vallja Çame është një valle triumfale, fitimtare. Kërcehet pas betejës, por dhe përpara apo gjatë armëpushimit dhe na është e njohur në piktura e Ess-it (Peter von Hess (1792-1871, shën. A.Ll.), piktor gjerman që paraqet trimat e Kolokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare.
Ndoshta është vallja e vetme joerotike, megjithëse dhe elementët erotike kalojnë brenda shfaqes së levendërisë, bukurisë dhe aftësisë së kërcimtarit të parë.