Familja e Ana Frank nuk u tradhtua… por u zbulua nga nazistët rastësisht
Një studim i ri sjell një version ndryshe të momenteve të fundit të familjes së Ana Frank. Ka mundësi që familja e vajzës e cila u bë e njohur për ditarin e saj, të mos jetë tradhtuar, por të jetë zbuluar rastësisht nga nazistët në gusht të vitit 1944. Kjo është ajo që hipotetizon fondacion që menaxhon shtëpinë muze kushtuar Ana Frank, në Amsterdam. Sipas studimit, kërkimi në vendin ku ishte fshehur familja Frank u zhvillua në kuadër të kontrolleve që lidheshin me vepra të paligjshme të punësimit dhe mashtrimit në shpërndarjen e kuponëve ushqimorë.
Për të mbërritur në këtë përfundim, studiuesi Gertjan Broek analizoi të dhëna të njohura dhe burime të reja informacioni. Deri më tani ishte marrë si e mirëqenë se nazistët kishin mbërritur në ndërtesën ku fshihej e reja hebreje në kërkim të të tjerëve si ajo që mund të ishin fshehur dhe se zbulimi i vendqëndrimit të tyre ishte si rezultat i një tradhtie. Fondacioni beson, megjithatë, se edhe nëse do të ishte një rast tradhtie në kohë lufte, historia ka shumë kundërthënie dhe sugjeron se diçka tjetër ka ndodhur në vendin ku Ana Frank dhe familja e saj qëndronte e fshehur.
Studimi thotë se tre prej oficerëve nazistë të përfshirë në bastisje nuk ishin në dijeni se qenë në kërkim të hebrejve, dhe thekson se, nga hyrja deri në daljen e autoriteteve nga ndërtesa kishin kaluar dy orë, që është më shumë se sa koha e nevojshme në rastin e aksioneve policore për kapjen e hebrenjve të denoncuar. Gjithashtu, sipas studimit një prej policëve që morën pjesë në arrestimin e familjes Frank, Gezinus Gringhuis, ishte agjent në një departament për hetime të krimeve ekonomike.
Studimi, megjithatë, nuk përjashton në mënyrë absolut faktin se zbulimi i Ana Frank dhe familjes së saj mund të ketë qenë rezultat i një tradhtie. Një studim i publikuar në vitin 2015 vinte në dukje se motra e një mikeje të afërt me Ana Frank mund të kishte qenë ajo që që zbuloi strehën, por në atë kohë shtëpia-muze kishte thënë se ky zbulim ishte një “teori e dobët., raporton shqip.
Hipoteza e tradhtisë ishte bazuar në të dhënat e dala nga biografia botuar në prill të vitit 2015, e Elisabeth “Bep” Voskuijl (1919-1983), një nga njerëzit që ndihmuan familjen Frank të fshihej: ishte motra e saj, Nelly , bashkëpunëtorja e pretenduar e nazistëve, që besohej se kishte informuar pushtuesit gjermanë. Elisabeth Voskuijl, e cila në Ditarin i Ana Frank shfaqet nën emrin e Elli Vossen, është një prej shtetaseve holandeze që ndihmuan familjen Frank të fshihej gjatë pushtimit nazist të Holandës. Ana dhe motra e saj Margot vdiqën në kampin e përqendrimit të Bergen-Belsen, në vitin 1944, përkatësisht në moshën 15 dhe 19-vjeçare, por data e saktë e vdekjes së tyre nuk dihet.