Maqedoni, pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit
Në Kuvendin e Maqedonisë pritet sot vazhdimi i seancës konstitutive për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit.
VMRO-DPMNE-ja ka refuzuar të komentojë nëse do ta mbështesë apo jo kandidatin e përfolur të shumicës së re parlamentare, Talat Xhaferin, apo nëse do të propozojë emër të ri. Ndërkohë, agjencia INA njofton se Lëvizja Besa mund të dalë me kandidatin e saj për këtë detyrë. Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh. Janë paralajmëruar gjithashtu sërish protesta nga grupimet pro-Gruevski.
Në rast problemesh në zgjedhjet e kreut të Kuvendit, rregullorja parashikon që seanca për zgjedhjet e kryetarit të thirret nga 1/3 e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime ose me nismën e 20 deputetëve.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski iu rikthye edhe një herë apelit për zgjedhje të reja së bashku me ato lokale. Përgjigja e LSDM-së është se zgjedhjet e fundit treguan vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë dhe se referendumi i vërtetë ndodhi më 11 dhjetor.
Të enjten u arrit marrëveshja që kryetari i Komisionit të Emërimeve të ishte nga VMRO-ja, e cila do të ketë aty 6 anëtarë, LSDM-ja 5, ndërsa Besa dhe BDI-ja nga një anëtar.