“Anembanë gjëmon këmbana, Edi Rama! Edi Rama! Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa. Vendosi me shpresë dhe bindje, për rilindje për rilindje”…. “Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar;  Kush m’i qan hallet e mija; Ilir Meta LSI-ja!”

Në “çadrën e lirisë” e cila prej më shumë se një muaji është instaluar para zyrës së kryeministrit Rama, dëgjohen shpesh këngë të ndryshme por njëra përsëritet më shumë se të tjerat. Është kënga që i këndohet Sali Berishës dhe që nga fundi i tekstit përmendet edhe Lulzim Basha.  Ka një histori interesante me këngët që populli shqiptar i ka kënduar udhëheqësve të tij edhe pse bilanci i tyre në drejtimin e Shqipërisë është në tërësi negativ.  Ka raste kur është bilanc i tmerrshëm si ai i diktatorit Enver Hoxha i cili është udhëheqësi që populli shqiptar i ka kënduar më shumë se kujtdo tjetër.

Më poshtë rendisim disa këngë e poezi që shqiptarët i kanë thurur udhëheqësve të tyre qysh nga koha e Ahmet Zogut, për të vazhduar me diktatorin Enver Hoxha e të gjithë udhëheqësit që e kanë pasuar atë deri në ditët e sotme.

Janë vargje zemre të pastra si “ujët e kristaltë të maleve të Kurveleshit e të Valbonës”. Këto vargje burojnë nga shpirti i popullit për udhëheqësit që në dy shekuj ia dolën me sukses të lënë këtë popull si askush tjetër, në këtë ditë të lumtur, si një kala të pamposhtur varfërie, korrupsioni e cannabis-i, mu në zemër të Europës.

Pa u zgjatur ju sjellim vargjet unike për mbretin Ahmet Zogu, të shkruara me zjarr e dashuri. Po të mos e kesh mendjen duket sikur je duke dëgjuar këngë për Enver Hoxhën, sepse është ai vargu i famshëm “Rrofsh sa malet tona!”  ose “Rrofsh sa moshë e kësaj toke, apo març’ nga ditët tona…”.

Me të njëjtën dashuri i ka kënduar populli edhe Sali Berishës ku spikasin vargjet: “Në qiellin blu o e t’lir t’jet shqipja, prin në ball o Sali Berisha, Si një lule rrit nër pisha, emri tij Sali Berisha”. Është po kaq e ndjerë kënga për Edi Ramën: “Anembanë gjëmon këmbana; Edi Rama Edi Rama; Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa”.

Për të mos u humbur është kënga për Ilir Metën: “Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar;  të mbajë në pëllëmbë të dorës…;Kush mi qan hallet e mija; Ilir Meta LSI-ja!”. Po kaq emocionuese është edhe kënga që i kushtohet Lulzim Bashës: “O moj Serbi, o varrin ta plasa, O se k’tu po i  thon’ more Lulzim Basha”.

Këngë për Ahmet Zogun

zogu-treRroftë mbret Zogu i Parë

Që si dragua nuk përtoi

Po me nji grusht atdhetarë

Armikët i ç’qeu e i coptoi

Është ylli i Shqipërisë

Që Perendia ia dhuroi

Ngriti flamurin e Shqipnisë

E nga rrezikët na shpëtoi

Është i lumtur shteti ynë

Sa askush tjatër s’ia shkon

Si dragua e ka synë

Sa gjithë botën e copton

Kjo është dita e shkëlqyer

Kur flamuri kuq e zi valon

Flamuri i papërlyer

Rrofsh o mbret sa malet tona.

 

Këngë për Edi Ramën

Që nga Shkodra gjer në Vlorë

dje e mori partinë  në dorë

uragani popullor vendosi me votë

Vendosi me shpresë dhe bindje

për rilindje për rilindje

Foli prapë historia nuk përkulet Shqipëria;

S’duron t’i preket liria ajo të gjykon

Vendimi që merr sovrani peshë e rëndë jatagani

Vlorë e dallgës Vlorë e nurit me zemër uron

Anembanë gjëmon këmbana

Edi Rama! Edi Rama!

Me punë e kthesa të forta sup më sup na pret Europa

Këngë për Enver Hoxhën

Dëgjo Argjiro shqiponja, këngën që të sjellë gjitonja

Ç’të ka lezet lëmi i këngës për birin e shtrenjtë të zëmrës

Moj nëna gjirokastrite gjiri yt me qumësht drite

Dhe mbi gjithë djepet që rrite, ç’t’i jepje shqipes e dite

Lum si ne……

Shqipërisë fjala jote

Ushtrim dhe flamur epoke

Ju bë dritë si ëndërronte

Rrofsh sa moshë e kësaj toke…

Këngë për Sali Berishën

Në qiellin blu o e t’lir t’jet shqipja

prin në ballë o Sali Berisha

Si një lule rrit nër pisha

emri tij Sali Berisha

Sot po je për në Tiranë

po n’Tropojë zemrën ke lanë

Shumë njerëz t’kan inatin,

ty 12 po t’rrin sahati

 

Këngë për Ilir Metën

Jam i ri, jam beqar, trim i rritur në Skrapar

të mbajë në pëllëmbë të dorës

Jam i ri, jam beqar nuk kam borxhe për të larë

e kam zemren si behar lindur rritur në Skrapar

Thellë në malet e Skraparit lindi burri i vatanit

Kush m’i qan hallet e mija

Ilir Meta, LSI-ja!

Këngë për Lulzim Bashën

O moj Serbi, o varrin ta plasa,

O se k’tu po i thon’ more Lulzim Basha!

O moj Serbi, u murin ta prisha,

O k’tu po i thon o Sali Berisha!

O moj Serbi, o zemrën ta kalli,

O k’tu poi thon’ o Azem Hajdari!

O po qan zemra, o n’demokraci e

O t’kem Lulzim Bashën, o kryetar bashkie!

Populli po vazhdon të shkruajë këngë. Të tjerë udhëheqës do të gëzojnë çastet e lumtura që të jep ai moment, kur populli të këndon këngë zemre.