Si u realizua për herë të parë Simfonia e IX e Beethovenit në skenën shqiptare, në 200-vjetorin e tij të lindjes
Zhani CIKO
Mjeshtër i Madh
Me rastin e 190-vjetorit të vdekjes së Beethovenit (26 mars 1827)
U habitëm kur një kuadër i lartë partiak, që kishte ardhur në Hamallaj të Sukthit, ku bashkë me studentët po prashisnim misër, ndër të tjera na thotë: “E ç’është ky Mozart që e mbani për të madh? Një kompozitor – shërbëtori i aristokracisë. Po ky “Berberi i Sevlijes”? Një kopuk e batakçi. Ç’na duhen këto?! Ne duam artin tonë revolucionar!
“Revolucioni kulturor” kishte filluar…
Diçka kisha paranderë një vit më parë kur mu anulua një bursë studimi në Akademinë e Muzikës së Vjenës, e fituar personalisht nga Ministri austriak i linjës, që rastësisht më kishte dëgjuar në një koncert të studentëve. E kisha përjetuar dhimbshëm këtë humbje. Shpejtuam, që të nesërmen e diplomimit, të niseshim në Martanesh, në kooperativat bujqësore dhe në minierën e Batrës. Në vjeshtë u hoqën gjithë repertorët klasike, në koncerte, në opera, ku unë fillova punë si violinisti i parë e më pas si koncert-maestër, me emërim. Teatri që sapo kishte kaluar në Pallatin e Kulturës, kishte vetëm tre vepra në repertor: operën “Mrika”, baletin “Halili dhe Hajria”, baletin kinez “Detashmenti i kuq i grave”. Solistët plotësonin normën me koncerte në qendrat e prodhimit, të shoqëruar me fizarmonikë. Pas një viti, një herë në javë, mësonin zanatin e dytë, (tronitor, elektricist) etj. në uzinat e kryeqytetit.
Varfëri totale artistike që personalisht e përjetova si një izolim kulturor të pashpresë dhe dështim të karrierës.
Në orkestër, herë pas here, diskreditohej dhe përjashtohej ndonjë artist me cene në biografi, dikush se ishte parë në kishë etj. Më tronditën përjashtimet e Lek Tasit, Islam Petrelës, Niko Guralumit.
Mbi rotativën e skenës, për afro një vit, qëndronte një mal gjigant butaforik, mbetur nga baleti “Fatosi partizan”, që ishte anatemuar nga “komandanti”. P. Kanaçi, K. Lara, R. Teqja përpiqeshin të bënin korrektimet e vështira që kërkoheshin … Disa solistë, si pa u ndjerë, filluan të largoheshin drejt karrierës pedagogjike, dikush filloi të merrej me krijimtari….
Në këto kushte diçka filloi të belbëzojë në gojët e kyçura dhe në buzëqeshjet e ngrira. U shfaq në horizont dhe një instruktor i studiuar për kritik arti, që filloi të na mbledhë në sektorë e në grupe të vogla,lidhur me perspektivën e Teatrit të Operës.
I edukuar në familje me idenë e një artisti profesionist, patriot, por edhe të hapur ndaj skenave qofshin ato dhe të vendeve lindore, për hir të së vërtetës nuk isha vetëm unë i tillë, mora pjesë në këto takime dhe pak nga sinqeriteti dhe përkushtimi qëndrova në pozicionin mbrojtës të vlerave madhore të artit muzikor, dobinë e shfaqjes ës tyre në skenën tonë dhe sigurisht përkrahjes së krijimtarisë kombëtare me kërkesa artistike të larta.
Pas një heshtje të gjatë, më thërret një ditë drejtori i institucionit, Koço Vasili, i cili më propozoi postin e Udhëheqësit Artistik, pasi profesor M. Krantja do të kalonte në Ministri.
Isha 24 vjeç kur fillova detyrën e udhëheqësit artistik, praktikisht propozimi më i lartë profesional në vend. Ndër kohë, veç shfaqjes së veprave “Skënderbeu”, “Cuca e maleve”, një shenjë pozitive hapjeje u duk me pjesëmarrjen e Ansamblit në Dizhon të Francës dhe një grupi artistësh në Bukuresht. Mora zemër për t’i dhënë murit të izolimit një goditje të fortë. Ishte viti 1970, viti i 200 –vjetorit të lindjes së kolosit Beethoven (Në Kinë ende nuk ishte rehabilituar si kompozitor i borgjezisë që konsiderohej). Vendosa, pas konsultimit me drejtorin tim, Koço Vasili, t’i propozoj që për të treguar arritjet e artistëve tanë dhe shkollave artistike që i kanë përgatitur, të ekzekutojmë, për herë të parë në Shqipëri, Simfoninë e 9-të të Beethovenit, në kuadrin e përvjetorit. Për këtë do të bashkëpunonim me të dy orkestrat e TOB dhe RTSH. Pa e stërholluar shumë, propozimi, pas disa muajsh mbërriti si një “ferman” gojor korrikun e nxehtë, gjatë lejes vjetore. Gjithçka filloi menjëherë në mendje dhe punët i nisa që nga kopjimi i notave, përkthimi i Odës së Gëzimit të Shilerit, nga miku i shquar Robert Shvarc, që përballoi vështirësi për ta përkthyer një tekst që hapej me vargun: “Gëzimi është i perëndishëm, lindur është në Paradis”. E binda se qëllimi ynë ishte më i madh dhe Beethoveni dhe Shileri do të na e falnin “mëkatin” e kushtëzuar.
Një ditë tjetër, një artist, koleg, më thotë që episodin qiellor para finales, në Bashkimin Sovjetik, e shkurtonin. E kundërshtova përmes një gënjeshtre të vogël, se “në diskun sovjetik që unë kam, i viteve 50-të, pra në gjalle të Stalinit, pjesa ekzistonte.”
Synimi dhe argumenti im e bënë të mos hapte gojë.
Në ditët e provave në skenë ndodhi bllokimi i saj për shkak të “rrezikut të zjarrit”, nga një zjarrfikës i brendshëm, njeriu me lungë, siç e thërrisnin për shkak të deformimit dhe urrejtjes që demonstronte ndaj nesh.
Drejtori e zhbllokoi përmes një telefoni urgjent me Ministrin e Brendshëm. Mundëm të realizojmë vetëm një provë në skenë, ku u bashkuan, për herë të parë, 80 orkestrontë, 80 koristë, një dekor imponues i Shaban Hysës. Solistët Nina Mula, Rozmari Jorganxhi, Gaqo Çako, dhe Avni Mula me seriozitet profesional përgatitën veprën duke iu përkushtuar të kënduarit vokal- simfonik që kërkonte parti i vështirë i Beethovenit. Dirigjenti Rifat Teqja, me seriozitetin e tij të përhershëm, i asistuar nga Fiqri Kraja, dhe mjeshtri instrumenteve frymorë Aurel Popa (rumun që ndodhej në ILA për ca kohë) K/maestri Eno Koço, drejtori Koço Vasili, dhe Drejtoresha e Radios Nefo Myftiu, ishin mbështetja ime për realizimin e projektit.
Shqetësimi i fundit – por jo më i vogli! Veç ndjekjes në çdo detaj të provave, kurimit të çdo aspekti dhe përqendrimit total në këtë realizim, konceptova dhe përpilova programin e sallës. Diçka e veçantë se veç Beethovenit, autografeve të tij për veprën në kopertinë, protagonistëve interpretues, përmban edhe një shkrimin timin prezantues mbi të cilin unë vura një citat nga vepra e Fan Nolit, “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, e botuar vetëm në Kosovë dhe disa fragmente të hedhura në revistën e Lidhjes, “Nëntori”. Një citat i Romen Roland-it, “Simfonia IX është një botë planetare që shpërthen”, “Simfonia jakobine e lirisë, barazimit dhe vëllazërimit” (Noli), etj citime që lartësonin idenë për liri.
Kur gjithçka ishte në fund, në Lozhën qendrore, më thotë autoriteti partiak dashamirës: “Djalosh, ç’është kjo?! Mblidhe urgjent e zhduke, mos e shikojë njeri!”. E dija që ishte e pamundur tani, se në sallë e kishin të gjithë në xhep. Unë mblodha vetëm ato në Lozhë. (Kërkova një ditë në Arkivin e Operës dosjen e këtij eventi artistik muzikor, por nuk gjeta gjë. Madje as data dhe shfaqjet, gjithsej 2 koncerte, foto a regjistrim, nuk ekzistonin).
Suksesi ishte shumë i madh. “Shoqet e mëdha” që asistuan mbetën të kënaqura. Në sallë, veç të tjerëve ndodheshin edhe intelektualë si Skënder Luarasi, Eqerem Çabej, Injac Zamputi, Pashko Gjeçi e shumë të tjerë, që kishin mbajtur radhë e nuk pranuan ftesa, veç intelektualëve “të Partisë”, muzikantëve dhe melomanëve të vërtetë…
Artistët lumturoheshin dhe unë fluturoja prej gëzimit të realizimit të synimit tim për domosdoshmërinë e hapjes së kulturës tonë muzikore.
Beethoveni kishte fituar edhe një herë me veprën e tij. “Nëpërmjet luftës arrihet në fitore” mu duk sikur ma tha këshillën mua dhe atyre që më përkrahën.
Por jo, ishte Iluzioni i madh që zgjati vetëm gjatë tre viteve që pasuan dhe që u përjetua për mëse 15 vjet.
Kur unë e kuptova, ishte shumë vonë. Por nuk u pendova as për këtë as për ato që vijuan…
Konkluzion i vonuar:
Duke analizuar dhe reflektuar mbi këtë ngjarje madhore, artistike, këto ditë, më në fund gjeta arsyen e shqetësimit të fundit nga fletë-palosja dhe mbase zhdukja e gjurmëve arkivore në TOB: Në fletë-palosje dhe në shkrimin tim mungonte citati i zakonshëm i të plotfuqishmit…”.