Sidrita Sadikaj, ambasadore e kulturës shqiptare në botë
Sidrita Sadikaj, bukuroshja Kosovare, Drejtore Nacionale e Garave Ndërkombëtare të Bukurisë dhe Talenteve për fëmijë, fituese e çmimit “Best Nacional director 2015”. Sukseset e saj s’kanë të ndalur, për katër vite korr suksese me ekipin e fëmijëve nga Shqipëria dhe Kosova, ku ajo transmeton bukurinë, talentet e fëmijëve dhe mbi të gjitha kulturën shqiptare. Për këtë viti për gazetën “Telegraf” ajo thotë: “Krenaria dhe lumturia ime, kur shikoj fëmijët e Kosovës dhe Shqipërisë në mesin e fëmijëve të botes, duke valëvitur flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, gëzohem kur kolegët e mi, drejtorët e shteteve të tjera vlerësojnë punën time, me çmimet e para dhe të dyta. Gjithnjë kam ëndërruar të përfaqësoj Republikën e Shqipërisë në gara ndërkombëtare madhështore. Viti 2015 ishte realizimi i ëndrrës time. Kjo ëndërr u bë realitet pikërisht në Eventin madhështor në ‘Charity Queen of One Power International 2015’ Taiwan, ku isha “Mbretëresha e Bamirësisë së Kombit Shqiptar 2015”. Me shiritin “Albania” dhe me flamurin e Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në botë. Iu tregova të gjithëve për kulturën shqiptare në çdo intervistë, pasi më bëheshin shumë pyetje. Slogani KSSID-Models është “Ne jemi Një – Një gjuhë, një komb”. Është viti i katërt që organizohen me fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës aktivitete të këtij lloji. Sukseset e fëmijëve që Sidrita Sadikaj përzgjedh për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës kanë renditur të dy shtetet në vendet e para dhe të dyta në mesin e shumë shteteve të tjera në botë. Fëmijët shqiptarë janë jo vetëm të bukur, të talentuar, por dhe shumë të shoqërueshëm me fëmijët e tjerë, me kombësi të huaja. Këtu në redaksinë e gazetës “Telegraf” ato janë prezentë së bashku me organizatorin e garave kombëtare për fëmijë, Skënderbe Sadikaj, i cili shprehet: “Është kënaqësi të punosh me fëmijët, sidomos në spektakle të tilla, ku ata shfaqin talentin dhe bukurinë e tyre. Po ashtu njohin të tjerët me kulturën Shqiptare, të cilën me krenari do ta përfaqësojnë në botë”. Skënderbeu ka rreth pesë vite si organizator i spektakleve të bukurisë për fëmijët, si dhe talent show të ndryshme. Fëmijëve fitues në këto gara ju mundësohet për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës në shumë gara ndërkombëtare për fëmijë, ku Sidrita Sadikaj ka licencat nga drejtorët ndërkombëtarë. Sukseset e këtij viti janë të shumta.
Rajzi Zoto: Është nga Tirana dhe është 6 vjeçe. Ka fituar 2 çmime kryesore: ‘Little miss Pavarësia e Shqipërisë 2015’ dhe ‘Little Princess Albania 2015’. Rajzi do të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë në garën ndërkombëtare për fëmijë ‘Little Princ and Princess World 2016’ në Burgas të Bullgarisë. Rajzi shprehet: “Jam shumë e lumtur që viti 2016 më gjen dhe miss, dhe princeshë. Unë kam gjetur shumë shok dhe shoqe nga Kosova, unë kam pasur qejf të bëhem princeshë dhe dëshira mu realizua”.
Asja Zekthi: Unë jam 6 vjeçe, jam në klasë të parë. Jam fituese e çmimit të madh ‘Princesha’ dhe ‘Tradita jonë 2014’. Këtë çmim e kam fituar në Kosovë, ky çmim më mundësoi të përfaqësoj Shqipërinë në garën ndërkombëtare ‘Little miss and mister Galaksi’ në 2014 në Bansko të Bullgarisë, ku atje arrita në finale me vajzën nga Rusia. Çmimin e parë e mori ajo, unë fitova Miss Sharmë dhe shoqëruesja e parë e Little miss Galaksi 2014. Falënderoj drejtoreshën time Sidrita Sadikaj dhe jam shumë e lumtur që kam shumë shoqe nga shtete të ndryshme të botës. Së shpejti kam një surprizë nga Sidrita: “Unë do të përfaqësoj përsëri Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës në një garë gjigante…por që është surprizë.
Ebi Demollaj: Unë kam përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në garën ndërkombëtare të bukurisë për fëmijë ‘Little miss World’ në Burgas të Bullgarisë. Unë, me veshjen kombëtare të Tiranës, ju kam treguar të gjithëve se fëmijët e Shqipërisë përveç bukurisë kanë dhe më shumë talent. Para natës finale u mbajt talent show, ku unë shfaqa talentin tim me gjimnastikë artistike. Konkurrentët i kisha shumë të fortë, sidomos Rusia dhe South Africa. Emocionet e mia ishin shumë të mëdha. Prezantuesi dhe presidenti i kësaj gare, Jordan Bachverov thotë në mikrofon: “Little miss talent fiton, fiton, fiton… Hebi Demollari Albania… më pas në natën finale isha shumë e lumtur përsëri të fitoja çmim. Sytë e mi ishin drejt drejtoreshës Sidrita, kur erdhi momenti fitova çmimin ‘Little Miss World 1-st place’. Kam shumë ftesa, diploma dhe jam duke u përgatitur për të përfaqësuar Shqipërinë në një garë ndërkombëtare në Rusi. Skënderbeu, organizatori u shpreh: “Jam krenar me fëmijët shqiptarë dhe shpresoj që talenti i tyre, si dhe bukuria të triumfoj në garat ndërkombëtare, si dhe të valëvisim flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës mes shteteve të tjera. Falënderojmë shumë drejtorin e gazetës “Telegraf” Engjëll Musai. Si zakonisht thënia e KSSID-Models është: “Ne jemi një! Një komb, një gjuhë.”
Arbër Dedaj: Unë jam nga Gjakova, kam marr pjesë në garën ndërkombëtare për fëmijë ‘Little King Qween World 2015’ në Burgas të Bullgarisë, ku kam fituar çmimin 1-st (shoqëruesi i parë) Little King World 2015, dhe tani do të përfaqësoj Republikën e Shqipërisë në: Festival Model & Talent World 2016 në Antalia Turqi. Kam një vit që jam tek kssids-Models. Më pëlqen të merrem me modelim, sepse kam dëshirë që të gjithë të njohin Shqipërinë dhe Kosovën. Unë kam emocione kur konkurroj, por besimin në vetvete e fitoj, pasi në skenë ka edhe shqiptarë që më mbështesin mua. Jam shumë i lumtur që përfaqësoj Republikën e Shqipërisë, pasi në Kosovë dhe pikërisht në qytetin e Gjakovës, si dhe në të gjithë trojet shqiptare, Flamuri i kombit shqiptar është prezent mes ngjyrave të tjera. Unë do të zgjedh veshjen Kombëtare, ku të jetë brenda edhe Kosova, edhe Shqipëria. Falënderoj shumë drejtoreshë Sidritën për mundësinë që na jep dhe na bën që ne të përfaqësojmë kombin tonë në botë, dhe aty ne përçojmë kulturë nga kultura jonë.
Agjellos Zoto: Unë jam nga Skrapari. Unë kam marrë pjesë në garën kombëtare ‘Little miss dhe mister pavarësia e Shqipërisë’. Unë do të marr pjesë në garën ndërkombëtare që do mbahet në Antalia të Turqisë, Future Fashion Face World 2016, ku do të përfaqësoj kombin Shqiptar denjësisht me veshje të ndryshme, dhe me veshjen kombëtare të Shqipërisë. Gara është shumë e fortë, pasi aty marrin pjesë super modelët e botës dhe unë jam më i vogli, pasi jam vetëm 15 vjeç. Më pëlqen shuam modelingu dhe kam shumë qejf të marr pjesë nëpër sfilita të ndryshme edhe tashmë ëndrra ime po realizohet, dhe këtë mundësi ma dha Sidrita Sadikaj, që është drejtoresha nacionale e Shqipërisë dhe Kosovës, ku me të cilën do të shoqërohem në Antalia të Turqisë. S’më besohet akoma, por kjo është e vërtetë. Duke parë sukseset e Sidritës edhe unë kam shumë besim që do e përfaqësoj shumë mirë vetën time dhe kombin.
Sidrita Sadikaj, cilat janë projektet e së ardhmes?
Me 21 janar do jem në Bullgari në eventin ‘Burgas Fashion Lights 2016’, si imazhi i këtij eventi. Është viti i katërt që organizohet ky festival për dizanjerin më të mirë të vitit. Ky festival është festival i organizuar për bamirësi, ku çdo dizanjer dizajnon fustane falas për maturantet, që e kanë të pamundur të kenë një fustan special për mbrëmjen e tyre të maturës. Në këtë festival marrin pjesë 7 dizanjere me 7 koleksione.
Po Sidrita, me çfarë koleksionesh do të marrë pjesë?
Me 7 fustane të ndryshme dhe në fund e përmbyll me fustanin e dizajnuar nga “Labarum”, nga Bachvarov&Koprivski.
Po garat me të vegjlit?
Me 28 shkurt në Afrikën e Jugut mbahet për herë të parë eventi “Mini miss&mister earth 2016”. Presidentja e garës është Amanta Kriel, Shqipërinë do e përfaqësoj bukuroshja nga Korça, Gloria Andoni. Ndërsa Kosovën do e përfaqësojnë Alejna Svarça dhe Dren Abazi nga Prishtina. Ndërsa eventi tjetër mbahet në Antalia të Turqisë ‘Future Fashion Face World 2016’, ku Shqipëria përfaqësohet nga Agjellos Zoto.
Ku jeni me përgatitjet?
I kemi filluar ato dhe sapo mbaruam fotoshuting e parë dhe jemi në proces e sipër. Punojmë intensivisht me fëmijët, që të jemi sa më të përgatitur për prezantimin e tyre në garat ndërkombëtare.
Cila është kënaqësia më e madhe për ty Sidrita?
Kënaqësia më e madhe për mua është kur shikoj fëmijët shqiptarë në skenat botërore tek valëvisin flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë. Kjo është arritje për ta, pasi përveç ngjyrave të flamujve, ato bëhen edhe përcjellës dhe shkëmbyes të kulturave.
13 janar 2016
Please follow and like us: