Albspirit

Media/News/Publishing

Xhafaj: Vetting çdo polici! Zgjedhjet do jenë të lira, ndëshkim kushdo që ndërhyn!

Në ditën e parë si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha sot se ka ardhur koha që të gjithë punonjësit e policisë të kalojnë në Vetting.

Në fjalën e tij Xhafaj u shpreh se lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e policisë, do të jetë prioritet i punëas së tij.

“Ka ardhur koha për të bërë Vettingun brenda vetë policisë së shtetit. Tolerancë zero do të aplikohet ndaj çdo rasti të shkeljes së detyrës.Është detyra ime në radhë të parë deri te punonjësi i fundit i policisë, për të zbatuar ligjin dhe shërbyer qytetarit. Lufta kundër korrupsionit do marrë prioritet gjatë qëndrimit tim.

Ne kemi nevojë për drejtues policie me integritet të lartë moral. Nuk mund të mendohet që edhe një punonjës i thjeshtë policie të japë ndihmë dhe bashkëpunojë me persona me precedent penal. Reagimi ndaj tyre do të jetë shumë i ashpër”, u shpreh Xhafaj.

Sakaq, ministri i Brendshëm ka paralajmëruar penalitete të ashpra për ata punonjës të policisë që implikohen në proces dhe kalojnë detyrimet që ua parashikon ligji.

“Po afrojnë zgjedhjet parlamentare, dhe Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri për realizmin e punës së saj. Paanësi në çdo veprimtari që do të kryejmë për mbarëvajtjen e procesit, do të jetë kryefjala jonë. Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje e policisë në proces, apo që kalon kompetencat e parashikuar nga ligji. Zgjedhjet janë të qytetarëve, dhe policia u përket qytetarëve, dhe nuk do të lejojmë përfshijen në këtë proces. Prioriteti ynë janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Prioritet i yni në krye të Ministrisë së Brendshme do të jetë edhe zbatimi i të gjithë marrëveshjeve me vendet partnere dhe ndërkombëtarët. Tjetër prioritet i punës sime si ministër, do të jetë bashkëpunimi me vendet partnere për parandalimin e mbjelljes së kanabisit dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Puna e çdo oficeri apo agjenti të policisë do të duhet të matet me rezultate konkrete të arritura në terren. Do të inkurajojmë që të merren të gjitha masat e nevojshme në parandalimin e aktiviteteve kriminale.

Fakti se për fakt të keq ka raste të korruptimit të agjentëve të policisë, por këto raste nuk duhet të përsëriten më”, tha ministri Xhafaj.

Please follow and like us: