Xhani, faleminderit dhe mirupafshim
Bledi Lumani
Xhani De Biasi ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar, si trajneri më i suksesshëm në drejtimin e Kombëtares shqiptare, që jo vetëm e kualifikoi për herë të parë vendin tonë në një eveniment të rëndësishëm, por dhe i ndryshoi fytyrë dhe mentalitet Kombëtares.
Ndaj, ai meriton mirënjohje pafund.
Por, De Biasi tani duhet të na thotë mirupafshim.
Ai e kreu misionin e vet dhe tashmë ka ardhur koha që të largohet, pasi nuk ka çfarë t’i japë më shumë Kombëtares, gjë që e pranoi edhe para ndeshjes me Italinë në një intervistë për gazeta “Dello Sport”, ku tha se “nuk di a mund të shpik ndonjë gjë tjetër për Shqipërinë…”.
Tani ai po bën vetëm dëm. Dhe nuk bëhet fjalë për rezultatet apo lojën, pasi ato tashmë mungojnë!
Suksesi i arritur me kualifikimin në Europian dhe nderimet e temenatë e shumta nga autoritetet shtetërore, e kanë bërë De Biasin nga një trajner që erdhi pa zhurmë e bujë dhe me skepticizëm në drejtim të Kombëtares, në një njeri arrogant.
Ai është sjellë në mënyrë të vrazhdtë dhe të pashpjegueshme me disa nga talentet dhe futbollistët më të mirë të Kombëtares.
E nisi me Ergys Kaçen, mesfushorin më të mirë dhe të talentuar shqiptar, dhe po vazhdon me Taulant Xhakën dhe Amir Abrashin, po ashtu dy nga më të mirë e ekipit tonë, por dhe me Shkëlzen Gashin.
Për të mos harruar pastaj edhe sjelljen e pashpjegueshme me Berat Gjimshitin dhe Milot Rashicën, që i zboi nga Europiani, edhe pse Gjimshiti ishte një nga lojtarët e rëndësishëm në kualifikimin e Shqipërisë, ndërkohë që Rashica konsiderohet si një nga talentet më të rëndësishëm të futbollit europian.
Dhe një vend që lojtarët e mirë i ka me pikatore, nuk mund të lejojë që t’i humbasë vetëm për ego apo kapriçio të një trajneri, që sot është dhe nesër s’është.
Nuk mund të lihen jashtë futbollistë si Kaçe, Xhaka e Abrashi, dhe të mbahen futbollistë të tipit Andi Lila, që thjesht dinë të vrapojnë kot në fushë dhe t’i binden trajnerit.
Shqipëria nuk e ka luksin të privohet nga lojtarë të tillë dhe FSHF duhet të ndërhyjë, pasi De Biasi nuk mund të veprojë me kokën e vet me futbollistët dhe Kombëtaren.
Nuk është një apo dy raste, dhe të thuash që mund ta kenë fajin futbollistët për sjelljen e tyre.
Fakt është që po bëhen shumë raste futbollistësh që kanë probleme me De Biasin, i cili i trajton ata me arrogancë dhe indiferencë.
Ndaj De Biasi duhet të largohet, pasi dhe vetë dëshira e tij është e tillë. Këtë gjë e tregoi që në përfundim të Europianit, kur nuk la media europiane pa u shfaqur, duke iu vetëofruar ekipeve të ndryshme, herë Anglisë, herë Italisë e herë ndonjë ekipi tjetër.
Nuk ka pse bën lojëra të tilla me lojtarët, që ta shkarkojnë dhe të marrë dëmshpërblim. Është më e ndershme që të largohet siç erdhi, me modesti! Kushedi, ndoshta gjen ndonjë ekip tjetër!